Për të luftuar shqetësimet e ankthit është mirë të mbështeteni te psikoterapia apo ilaçet e përshkruara nga mjeku, por kjo nuk do të thotë se ndryshimet e stilit të jetës nuk janë të nevojshme. Një dietë e ekuilibruar dhe aktiviteti i rregullt fizik, pa dyshim që nuk janë kura, por mund të ndihmojnë për të përmirësuar humorin në përgjithësi dhe mirëqenien psiko-fizike.
Qumështi
Sipas një studimi të botuar në “British Food Journal”, fosfolipidet që gjenden te qumështi kanë aftësinë të veprojnë në mënyrë pozitive në humor, në funksionet konjitive dhe kundër stresit. Studimi, i bërë në universitetin gjerman në Trier, është zhvilluar për tri javë në 46 persona të moshës madhore dhe studiuesit kanë treguar se si marrja e përditshme e fosfolipideve të qumështit lidhet me përmirësimin e memories dhe të aftësisë psikologjike që reagon ndaj stresit, sidomos te personat që janë të nënshtruar nga nivele të larta e kronike stresi.
Çokollata
Në SHBA kanë treguar se 40 gramë çokollatë fondente në ditë për dy javë rresht, ul ndjeshëm nivelet e hormonit të stresit te njerëzit shumë të tensionuar.
Një tjetër studim i bërë në universitetin Adelaide në Australi, ka arritur në përfundimin që çokollata fondente ndikon për të ulur tensionin e lartë.
Vera
Sipas një studimi të bërë në universitetin e Madridit, një gotë verë e kuqe në ditë ndihmon në parandalimin e depresionit, ankthit dhe stresit. Vera ka një veprim anti-radikal (që mbron nga radikalet e lira, të cilat janë shkaktarët e stresit), anti-inflamator, përmirëson qakullimin e gjakut dhe ul tensionin e lartë.
Stikat
Stikat ndihmojnë kundër tensionit të lartë dhe mbajnë nën kontroll si stresin e përditshëm, ashtu dhe kolesterolin. Ky është përfundimi i një studimi të ri të bërë në “Pennsylvania State University”, i botuar edhe në revistën “Hypertension”, botim i sektorit të Shoqatës Amerikane të Zemrës.
Arrat
Një studim i botuar nga “Journal of the American College of Nutrition” tregon se një dietë e përditshme e pasur me arra mund të ndihmojë trupin për të larguar efektet biologjike që lidhen me stresin. Mjaftojnë disa arra në ditë. Kanë efekt më të mirë nëse i konsumoni në mëngjes.
Limoni
Përmban sasi të lartë antioksidantesh, si: Vitamina C dhe anticianosidë, që pastrojnë trupin dhe mbrojnë qelizat e mëlçisë. Për cilësitë pastruese që ka, është mirë që limonin ta konsumoni të shtrydhur e ta pini në mëngjes esëll.
Thjerrëzat
Përmbajnë fibra që stimulojnë ndjenjën e ngopjes, magnez që ka një efekt qetësues në trup dhe kalcium, që njihet për vetitë kundër ankthit. Konsumoni 3-4 herë në javë thjerrëza, pasi ju ndihmojnë për të pastruar organizmin, duke larguar edhe toksinat që shkaktohen prej stresit. Një racion është i barabartë me 4 lugë thjerrëza të pagatuara.
Lakra e kuqe
Të gjitha frutat dhe perimet ngjyrë vjollcë përmbajnë anticianinë, që mbron kundër sëmundjeve kardiovaskulare, përmirësojnë kthjelltësinë mendore, asgjesojnë stresin oksidativ dhe ndihmojnë për të parandaluar kancerin.
Çaji
Përveç kamomilit zgjidhni erëza si: lulet e portokallit, çajin e zi, nenexhikun. Sidoqoftë, të gjitha llojet e çajit janë të shëndetshme për t’u konsumuar, pasi pastrojnë trupin.
Kosi
Rigjeneron florën intestinale dhe favorizon prodhimin e serotoninës, hormonit të humorit të mirë, që prodhohet edhe në tru. Për të shfrytëzuar sa më mirë cilësitë e tij, mjafton 125 gramë kos natyral në ditë.
Përgatiti: Manjola Ereqi
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.