“Ne jemi si vëllezërit Siamezë, kur sëmuret njëri teshtin tjetri”. Sipas kësaj sentence, huazuar nga një skenar filmi fort të njohur, dukej se Porta e Lartë e Azisë kërkonte vazhdimësinë e vëllazërimit me shqiptarët e Evropës. Ndërkohë, vështirë ta thuash se edhe shqiptarët, të ndikuar fort nga “dashuria” 500 vjeçare, ku herë pas here u ishte dhënë shansi të merrnin në duar frenat e vetë Perandorisë, po ndaheshin me gëzim nga pushtuesit e lodhur. Ndërsa në 28 nëntor të vitit 1912 pas shumë negociatash të vështira diplomatike në kancelaritë e Evropës, Ismail Qemali dhe 83 delegatët nga të gjithë viset arritën në shpallnin Pavarësinë e Shqipërisë.
Për të përkujtuar një ditë kaq të rëndësishme për shqiptarët, në Muzeun Historik Kombëtar u çel ekspozita “105-vjetori i shpalljes së Pavarësisë”. Kjo ekspozitë u organizua në bashkëpunim me Qendrën Mbarëkombëtare të Koleksionistëve të Shqipërisë.
Sipas drejtorit të Muzeut Historik Kombëtar. Dr. Dorian Koçi festa e flamurit është më e veçanta pasi është ky flamur që i bashkon të gjithë shqiptarët në Rajon. “Kjo ditë dhe ky flamur na përbashkon dhe na bën krenarë” tha mes të tjerash në fjalën e tij të përshëndetjes drejtori i Muzeut Historik Kombëtar. Dr. Dorian Koçi. Ai shtoi gjithashtu se në ekspozitë janë të ekspozuara flamujtë që janë përdorur që nga viti 1912 deri në 1920 dhe që kanë të bëjnë me përpjekjet e mëdha të shqiptarëve në kuadër të shtetformimit.
Objekti kryesor i kësaj ekspozite tematike është pena, me të cilën është nënshkruar Akti i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Objekt tjetër me rëndësi është aparati telegrafik mors, me të cilin Qeveria e Përkohshme e Vlorës ka marrë e ka dhënë telegrame gjatë periudhës 1912-1914. Në stenda janë ekspozuar objekte të protagonistëve të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Në ekspozitë janë gjithashtu flamuj të periudhës së Pavarësisë, foto origjinale të Ismail Qemalit, foto të firmëtarëve, që nënshkruan Aktin e Shpalljes së Pavarësisë, dorëshkrime origjinale, gazeta e revista të asaj periudhe etj. Një vend të rëndësishëm në ekspozitë zënë flamujt e shoqërive atdhetare, të cilat ndezën dëshirën e patriotëve shqiptarë që Shqipëria të ishte e lirë dhe e pavarur.
Nga ana e tij presidenti i Qendrës Mbarëkombëtare të Koleksionistëve të Shqipërisë, z. Shpëtim Sala tha se ekspozita “105-vjetori i shpalljes së Pavarësisë” vjen në frymën e shumë bashkëpunimeve të Qendrës me Muzeun Historik Kombëtar. Ai shtoi se e veçantë në këtë ekspozitë është dhe paraqitja e 14 telegrameve të cilat hedhin dritë se çfarë ka ndodhur gjatë ditëve të ngarkuara të nëntorit 1912.
Më pas nxënësit e shkollës “Gustav Majer” dhanë një koncert me këngë dhe recitime për të pranishmit e shumtë që ndodheshin në hollin e Muzeut Historik Kombëtar.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur nga data 28 nëntor deri më 4 dhjetor 2017.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.