Ekspertët shpjegojnë përse disa prej nesh kanë gjithmonë ftohtë dhe çfarë duhet të bëjnë për t’u ngrohur…
Kur bien temperaturat është normale që të kemi dëshirë të mbulohemi sa më shumë të jetë e mundur. Ka disa faktorë specifikë që duhet të merrni në konsideratë për të kuptuar se përse keni gjithmonë ftohtë. Kemi përzgjedhur 11 arsye nga ekspertët…
- Tiroidja nuk funksionon siç duhet
Ndoshta është faji i hipotiroides, problem që shkakton funksionimin jo të mirë të gjëndrës tiroide. Gjëndra tiroide është përgjegjëse për një sërë procesesh metabolike dhe është e përfshirë edhe në rregullimin e temperaturës së trupit.
Sipas Chirag Shah, specialist dhe themelues i Accesa Labs: “Kush vuan nga hipotiroidja shpesh ka ftohtë për shkak të prodhimit të pakët të hormoneve të tiroides. Rezultati? Metabolizmi ngadalësohet dhe kjo gjë gjeneron një ndjesi të ftohti”.
- Mosha e thyer
“Me kalimin e moshës, mund të vuajmë nga i ftohti; metabolizmi ka tendencën të ngadalësohet, duke prodhur më pak nxehtësi”, shpjegon Marcello Campos, specialist i mjekësisë pranë Atrius Health, në Newton, Massachusetts.
Me kalimin e kohës, edhe funksionet normale të trupit mund të dobësohen. “Studimet kanë nxjerrë në pah që rreth moshës 60 vjeç aftësia e trupit për të ruajtur nxehtësinë fillon të pakësohet dhe kjo gjë jep ndjesinë e të ftohtit”.
Duke u plakur masa muskulare pakësohet: një tjetër faktor që ndikon që të keni ftohtë.
- Ushqyerja
Josh Axe, nutricionist dhe krijues i Ancient Nutrition dhe DrAxe.com, ka shpjeguar se faji është edhe i disa ushqimeve të caktuara. “Kush konsumon më shpesh ushqime të pasura me ujë ose ushqime krudo, ka më ftohtë se të tjerët”. Një shembull? Fruta ose perime të shtrydhura, lëngje të ftohta dhe sallatë. Për të provuar të kundërtën: zgjidhni të konsumoni një supë të ngrohtë në vend të një gote me lëng të shtrydhur ose hani ushqime të gatuara në vend të sallatës së zakonshme.
- Vuani nga anemia
Shah ka shpjeguar se anemia, që vjen për shkak të mungesës së hekurit, mund të shkaktojë një ndjesi të ftohti më të madhe se sa normalisht, duke nënvizuar se hekuri është një mineral thelbësor në rruazat e kuqe.
“Rruazat e kuqe kanë si funksion të kalojnë oksigjenin në brendësi të organizmit. Nëse hekuri nuk është i mjaftueshëm, rruazat e kuqe nuk funksionojnë siç duhet: kjo mund të bëjë që të ndihni më ftohtë, përveç se shkakton shqetësime të tjera”, shton Shah.
Shenja të tjera të anemisë janë: lodhje, marrje mendsh, rrahje e shpejtë zemre.
- Jeni shtatzënë
Në përgjithësi, temperatura e trupit ka tendencën të ngrihet në shtatzëni. Jacques shpjegon se temperatura bazë varion nga 36,5-37 në37,7 kur një femër është në pritje të ëmbël.
- Jeni të dehidratuar
Carol Aguirre nga Nutrion Connections, një qendër këshillimi nutricionistësh me seli në Florida, ka shpjeguar që uji e ndihmon metabolizmin, duke favorizuar shpërbërjen e ushqimeve, proces që krijon energji dhe ngrohtësi. “Nëse uji nuk është i mjaftueshëm, metabolizmi ngadalësohet dhe e pengon organizmin të krijojë energji të mjaftueshme, e për rrjedhojë edhe për të mos ndjerë ftohtë”.
- Mund të jetë faji i hormoneve
Sipas ekspertëve, hormone të ndryshme mund të ndërhyjnë edhe në temperaturën e trupit. Për shembull, estrogjeni, në përgjithësi favorizon zgjerimin e enëve të gjakut, rënien e temperaturës së trupit”, shpjegon Kord. “Ndërsa progresteroni dhe progestinikët kanë efektin e kundërt”
Ndaj, në bazë të ciklit menstrual të një femre dhe në bazë të niveleve hormonale që trupi i saj ka, organizmi mund të pësojë luhatje temperature dhe një ndjeshmëri më të madhe ndaj të ftohtit”.
- Femrat kanë më shumë ftohtë
Një studim i bërë nga Universiteti i Utah, ka nxjerrë në pah që duart e femrave kanë tendencën të jenë më të ftohta krahasuar me duart e meshkujve. Dhe sipas Jacques, femrat janë më të ekspozuara ndaj rrezikut të anemisë dhe hipotiroides, që kanë lidhje me ndjesinë e të ftohtit.
- Qarkullimi i keq i gjakut
Nëse duart dhe këmbët janë akull të ftohta, por pjesa tjetër e trupit është e ngrohtë, me shumë gjasa është faj i një problemi qarkullimi, që e pengon gjakun të qarkullojë siç duhet në të gjithë trupin. Kort pranon se ndër shkaqet e këtij shqetësimi mund të jetë një problem kardiovaskular.
“Ndoshta zemra nuk e pompon gjakun në mënyrë efikase, ose mund të jetë një bllokim i arterieve që e pengon gjakun të qarkullojë në të gjithë trupin. Edhe duhani shkakton probleme të qarkullimit dhe dëmton enët e gjakut.
- Ankthi ju “ftoh”
“Kush vuan nga ankthi, në përgjithësi ka më shumë ftohtë”, shpjegon Maryam Jahed, themeluese e Airo Health. Sipas Jahed, kjo ndodh për shkak të aktivizimit të amigdalës, që përkeqësohet nga ankthi. “Kjo gjë e bën organizmin të mbështetet te të gjitha rezervat e energjisë për të na mbajtur të sigurt”. Ankthi mund të gjenerojë ndjesinë e të ftohtit, sepse trupi përqendrohet për të qenë në një gjendje të qetë, ndaj nuk ka një qarkullim të mjaftueshëm të gjakut për t’u ngrohur.
- Indeksi i masës trupore është shumë i ulët
Indeksi i masës trupore ose pesha veprojnë mbi ndjesinë, por edhe sasia e yndyrës dhe muskujt kanë ndikimin e tyre. “Muskujt janë më aktivë në këndvështrimin e metabolizmit dhe kjo gjë gjeneron më shumë ngrohtësi. Yndyra është një izolues dhe veprimi i saj mund të pakësojë shpërndarjen e ngrohtësisë”, shpjegon
Campos. Nga ana tjetër, dobësimi i madh dhe një dietë e fortë mund të shtrojnë ndjesinë e të ftohtit. Sipas Jacques, “Duke qenë se trupi djeg kalori për të rritur temperaturën, kur sasia e kalorive pakësohet, pakësohet edhe karburanti që mban organizmin ngrohtë. Trupi është programuar për të parandaluar mosushqyerjen. Nëse kontrolloni në mënyrë të rreptë kaloritë, ose dobësoheni shumë shpejt, sidomos pas dietave ekstreme, trupi mundohet t’ju shpëtojë nga uria, duke ngadalësuar metabolizmin. Për pasojë, duke mos djegur mjaftueshëm energji, do të ndjeni më ftohtë.”
Përgatiti: Manjola Ereqi
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.