Me këtë libër Natasha Lako nuk rend të ndriçojë ndokënd a t’i mësojë ndokujt ecjen majëgishtave, rregullin, si të mos bëjë zhurmë dhe si të lërë gjurmë në një jetë që ndryshon dhe përsëritet përherë nga fillimi, si të qenkësh krejt e re. Dhe kjo për shkak të poetit që vendos rendin që emërtohet sipas tij, që nga ai çast kur poezia hyn siç hyn ndonjë trup në kohë dhe në hapësirë apo si kundërtrupi në mishin tonë.
Na kanë mësuar që më të mirën e poezisë ta gjejmë larg ose të presim në heshtje, derisa të tjerët të na pohojnë se ajo çka kemi pikasur si të rëndësishme në poezinë tonë është me të vërtetë e tillë. Kjo pasi sa herë që mbajmë në dorë hartën poetike, gishti e mbulon krejt një vend të vogël si Shqipëria, duke e bërë atë thuajse të padukshëm, kur bëhet fjalë për poezinë që niset t’i bashkohet denjësisht rrjedhave më të mëdha.
Natasha Lako është rasti kur poezia që, veç bukurisë, ka fituar edhe forcë, duhet kërkuar më afër, brenda shtëpisë. Jo e ëmbla jo, por më e pjekura e kësaj. Se për poetin, ruajtja e forcës, njëlloj si ruajtja e kuotës, prej ku e kemi parë të shfaqet në takimin e fundit me të, mbetet shenjë e qëndresës dhe qëndresa, merr rëndësi.
Me librin e saj më të fundit, titulluar “Kundërpërfytyrime”, botuar nga “Nakenbad Books” 2016, Natasha Lako, dëshmon se të ushqyerit me materie të errët, me leskëra historish që i ndodhin botës dhe njerëzve të tu të afërt, zona e zymtë e krijimit, njëlloj si dhe marrëveshja me gjuhën, si imagjinata, si fjalët e zgjedhura e të shkujdesura, pikërisht ato që kanë pjellë kundërpërfytyrimet, e ka përligjur edhe mungesën prej një dekade të autores edhe pritjen e lexuesit për një poezi të asaj bukurie që jo vetëm të kënaq, të lëndon, të dhemb, por edhe të kanos – pakashumë si plaga në trup të tjetrit ose si poezia e shkruar pastër dhe mirë.
Lirizmi – brenda një kohe dhe një autoreje të paqetë – ky e ka mbrojtur krijimtarinë poetike të Natasha Lakos si përherë edhe tani. Ky lirizëm finosh, i shfaqur që në krye të krijimtarisë së saj (1972) vazhdon të ruajë jo vetëm autoren, por të mbrojë edhe lexuesin nga vulgariteti, duke i shpëtuar ata nga pajtimi me shijen dhe duhmën aromatik të së Mirës, që nuk është tjetër veçse banalja e veshur me frak dhe me liturgji poetike.
Por vargjet e këtij libri, që i drejtohet qytetërimit të inteligjencies (atij që nuk po arrin të dallojë se dy palë çizme dhe dy palë atlete të njëjta mund të ndodhen pranë jo për shkak të globalizmit, por ngaqë duhet të ndajnë qiranë e një dhome të vogël, apo koston e diçkaje mbi të cilën shënohet për dy paguaj vetëm një) mund të na ndihmojnë të kthejmë mendjen drejt vëzhgimeve që bën poezia, më të plotës së saj e cila, duke vlerësuar lartësinë, tregohet e pavëmendshme ndaj masave të tjera dhe numrave rendorë, që mëtojnë t’i vënë poetët në rresht.
Natasha Lako është dalja nga rreshti. Nuk mendon të jetë e para apo e rëndësishmja e poezisë. Çdo lavd mbi poezinë e saj do të tingëllonte si të gjitha gjërat e ëmbla që nuk na bëjnë aq mirë.
Shija e Martin Canajt (“Të kam lexue. Më më pëlqen. Më më pëlqen vërtet.”) dhe pritshmëria e studiuesit Robert Elsie për një ‘grande dame të vargjeve’, (“…dhe ndoshta nëse bëjmë fare pak durim, Natasha Lako mund të na e japë këtë kënaqësi.”) duket se janë përligjur me këtë libër.
* * *
Mëse një herë poezinë e Natasha Lakos e kanë kufizuar brenda një bote gruaje, madje prej Safoje ndonjëherë, vetëm e vetëm se aty gjenden vargje mbi të dashurin që kalon përmes apo ngaqë ka përkëdhelje, fustane, botë dallëndyshesh, puthje, komça xhakete, fjollë dëbore, trupa që i ngjajnë një dhome të freskët plot me jastëkë e nime dhe shumë luledele, lulekumbulla e lulebore.
Edhe vetëm me këto kjo autore do të ishte e përveçme, nëse do të kuptonim se bota floreale në poezi bëhet mjet për të menduar se çfarë mund të bëjmë me dashurinë e tepërt.
Por çdo krahasim mes poetëve, sidomos me poetet e temave të përjetshme apo me poeteshat e motiveve të përditshmërisë sjell hare, pasi nën këto perde e dantella ruhen të fshehtat e një gruaje dhe një burri që mund të krijojnë një njeri të ndryshëm nga vetja, buzë një rruge plot agjenci udhëtimesh dhe spitalesh për zemrën, ku një viç i sapotherur varet kokëposhtë në qetësi, aty shfaqen historitë e nënave me bijtë dhe bijat ose thënë shkurt janë marrëdhëniet e atyre që mund ta zbulojnë dritën, duke hedhur pas shpine diçka.
* * *
Janë kundërpërfytyrime, pra dhe jo thjesht poezi, ato me të cilat do të përplasemi në lexim. Dhe kemi qenë të paralajmëruar. Që në titull. Nuk është një libër që sjell hare dhe paqe. Do të kthehen të uritur nga leximi edhe ndjekësit e hershëm, sidomos ata që e kanë mbërthyer autoren pas vargjeve 20 qindarka për të folur me ty… 30 qindarka për të qenë të dy. Kjo pasi poezitë e këtij libri nuk ushqejnë askënd me ëmbëlsinë e më të bukurës së jetës.
Poezitë janë ndërtuar prej furisë së përfytyrimeve aq të forta sa jo gjithkush do të ishte i gatshëm t’i pranonte si të vetat ato vargje, veç autorit që e di se i shton botës së vet ujëra të reja e të kreshpëruara dhe ajër të harlisur qiellor.
Në dukjen e parë piano, piano, ato vargje ruajnë shijen e athët të skandalit që shkaktojnë ngjarjet apo fjalët kur vendosen për herë të parë pranë e pranë. Na zënë befasisht, na gjejnë të papërgatitur dhe na kujtojnë se për të qenë autor i tyre duhet paguar shpagë.
Autori paguan me të njëjtën kokëfortësi që paguan edhe jetën. Por një gjë dihet dhe mund të merret me mend: prej poezive të tilla jeta e shqiptarëve mund të mos bëhet më e mirë, por poezia e tyre, sigurisht që është më e mirë.
* * *
Natasha Lako nuk ia ka lejuar poezisë së saj romantizimin e imazheve, të fjalës apo vargut, por kjo nuk na bën të harrojmë se vijmë nga ajo trashëgimi që kërkoi dhe kërkon nga poeti himnizonjësin apo disidentin. Heroin domethënë, pavarësisht se mes vargjeve të librit shënohet se nuk dimë ende asgjë mbi heroizmin apo lëshimin e zemrës dhe se të magjishmen duhet ta zhveshim trupi çdo mbrëmje. Ndryshe, mes nesh do të mbetej po ai paradoksi i vargjeve me rima, i kadencave me rima të puthura, i metrikës së rregullt dhe i ritmeve triumfale që poetët shkruan në kohën kur vendi rroposej dhe rrokullisej në heshtje dhe në krim.
* * *
Duhet ta gjejmë një përgjigje edhe për lirikën që mbijetoi jo tek të gjithë poetët, në motet kur bora nuk lejonte të shihje as çatitë e kuqe dhe as pemët e zhveshura, por të ndjeje se nën të pranverën që lëvizte, siç i gjejmë të shkruara që kohë më parë në poezinë e Natasha Lakos.
Ndaj dhe poetët si ajo nuk e shmangin shikimin as nga dashuria, nga kohët e bukura të trupit dhe drita e Mesdheut dhe as nga të uriturit shqiptarë, plaga që shkohet në pe, aplikacioni për punë të rregullt në Gjermani, nga lajmi se nuk e ke fituar lotarinë amerikane, nga kredia e madhe dhe puthjet edhe më të mëdha të një të dashuri që e fshehim në zemër a dollapin e shtëpisë, duke ndenjur përballë lexuesit drejt e drejt, duke e këqyrur në sy – njëlloj si lauresha që këmbehet në shteg me gjahtarin, në atë “qytetin femëror”, që shfaqet dhe zhduket brenda këtij libri.
Me këtë libër Natasha Lako nuk rend të ndriçojë ndokënd a t’i mësojë ndokujt ecjen majëgishtave, rregullin, si të mos bëjë zhurmë dhe si të lërë gjurmë në një jetë që ndryshon dhe përsëritet përherë nga fillimi, si të qenkësh krejt e re. Dhe kjo për shkak të poetit që vendos rendin që emërtohet sipas tij, që nga ai çast kur poezia hyn siç hyn ndonjë trup në kohë dhe në hapësirë apo si kundërtrupi në mishin tonë.
*fjalë përcjellëse mbi poezitë e reja të Natasha Lakos
Botuar te MAPO
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.