Lifestyle

October 19, 2020 | 8:34

1984, ishte viti kur regjimi totalitar i Vëllait të Madh ushtronte kontrollin absolut mbi veprimet dhe ndërgjegjet e njerëzve

 

Kur George Orwell shkruante këtë libër, viti 1984 ishte e ardhme. Sot, ai vit është e shkuar. Por pas kësaj vepre, viti i vërtetë 1984 do të jetë gjithmonë një datë e së ardhmes, viti i fillimit të një epoke të mjegullt për historinë e njerëzimit.

2

“1984” është një roman distopik i shkrimtarit anglez George Orwell. “Vëllai i madh po të vëzhgon” është parulla që lindi prej këtij libri, i cili shumë shpesh është quajtur “roman despotik”, ku një qeveri autoritare shikon dhe kontrollon gjithçka. Ai është një vizion i zymtë i së ardhmes, që shpie në pasojat ekstreme të kushteve dhe prirjeve totalitare të botës aktuale.

Regjimi totalitar i Vëllait të Madh, që vëzhgon vazhdimisht gjithkënd dhe gjithçka nëpërmjet ekraneve të panumërta, ushtron kontrollin absolut mbi veprimet dhe ndërgjegjet e njerëzve. Gjithçka i shërben pushtetit. Librat, gazetat, arkivat dhe mendjet falsifikohen pareshtur, sepse “kush ka në dorë të shkuarën, ka në dorë të ardhmen; kush ka në dorë të tashmen, ka në dorë të shkuarën.”

Uinston Smith është nëpunës në Ministrinë e së Vërtetës, e cila i përkushtohet përditësimit të vazhdueshëm të historisë për t’iu përshtatur rrethanave të sotme dhe aleancave të brishta. Ai bashkë me kolegët e tij mbahen nën mbikëqyrje si një masë kolektive nga prania e kudogjendshme e Vëllait të Madh që sheh dhe di gjithçka. Në romanin “1984” ekranet e televizorit të vëzhgojnë dhe të gjithë përgjojnë njëri-tjetrin. Krimmendimi është “mëkati” që sjell vdekjen, prandaj gjithçka që ndihmon krimmendimin duhet të zhduket: liria, gjuha, ndjenjat.

1Me shumë mjeshtëri, George Orwell-i eksploron temat e kontrollit të mass-medias, survejimin e qeverisë, totalitarizmin dhe metodat e një diktatori për të manipuluar dhe kontrolluar historinë, mendimet dhe jetën e njerëzve në mënyrë të atillë që askush nuk i shpëton dot.

“1984”, një nga kryeveprat e letërsisë së shek. XX, është lexuar si manifest dhe si profeci njëherazi. Ende te lexuesi i sotshëm vjen si thirrje për të jetuar pa kompromis, por edhe sikur na paralajmëron të vërtetën e ankthshme, se shtetit terrorist që mbjell vdekje është vetëm një hap larg të kthyerit në realitet: Vëllai i Madh tashmë po na vëzhgon!

11

Papritur, romani i Orwell-it na duket shumë i njohur. Është një botë ku Vëllai i Madh vëzhgon vazhdimisht dhe mjetet e teknologjisë mund të përgjojnë deri në shtëpitë e njerëzve; një botë me luftëra pa fund, ku frika dhe urrejtja drejtohen ndaj të huajve; një botë ku qeveritë ngulin këmbë se realiteti nuk është “diçka objektive, e jashtme, e vetëqenësishme” por “ajo që Partia beson si të vërtetë, ajo është e vërteta.” The New York Times

Romani i Orwell-it është një paralajmërim për racën njerëzore. Ai thekson rëndësinë e qëndresës përballë kontrollit të masës dhe shtypjes. The Guardian

Absolutisht i jashtëzakonshëm! Time

Orwell e krijoi personazhin e O’Brajënit për të paralajmëruar njerëzit nga intelektuali që e josh pushteti në mënyrë sadiste. The New Yorker

Është thuajse e pamundur të përmendësh propagandën, mbikëqyrjen, politikat autoritare apo shtrembërimet e së vërtetës pa marrë si referencë veprën “1984”. […] Ai roman është njëkohësisht një ese e thellë politike dhe një vepër arti tronditëse dhe tragjike. The Atlantic

Libra si ai i Orwell-it janë një paralajmërim i fuqishëm dhe do të ishte mëkat i madh sikur lexuesit ta interpretonin “1984” thjesht si një përshkrim tjetër të barbarizmit stalinist pa e kuptuar se, në atë vepër, fjala është edhe për ne. Erich Fromm

“1984” nuk u shkrua vetëm për hir të stalinizmit apo për diktaturat në përgjithësi, por thjesht dhe vetëm për qeveritë. Edhe qeveritë më paternaliste dukeshin si pjesë e 1984-ës dhe fraza “Vëllai i Madh po të vëzhgon” përfaqësonte çdo gjë që ishte jashtë kontrollit të individit.

Isaac Asimov

Shumë prej ideve të këtij libri janë bërë kaq shumë pjesë e gjuhës dhe e trashëgimisë sonë kulturore, saqë lehtësisht mund të harrohet se “1984” në fakt është një libër. Nga “Vëllai i Madh” te “Dymendimi”, peizazhi i distopisë që krijoi Orwell-i ekziston edhe në mendjet e atyre që s’e kanë lexuar librin. Ai është shndërruar në një doracak për totalitarizmin, për shtetin që vëzhgon gjithçka, për pushtetin e mass-medias në manipulimin e opinionit publik, të historisë, madje edhe të së vërtetës. Independent

3

George Orwell, emri i vërtetë i të cilit ishte Eric Arthur Blair, ishte shkrimtar, eseist, gazetar, aktivist dhe kritik letrar britanik. Ai ishte një prej eseistëve më të ndritur të kohës së vet dhe kundërshtar i çdo forme totalitarizmi. U bë i njohur kryesisht për dy romane, në të cilat shkrihet angazhimi politik dhe pasioni letrar: “Ferma e kafshëve”, një satirë therëse e retorikës sovjetike për barazinë; dhe “1984”, roman që përshkruan me tone apokaliptike një botë imagjinare në një të ardhme jo të largët, një roman fantastiko-politik, prej të cilit lindi dhe cilësimi “oruellian”, që sot përdoret gjerësisht për të përshkruar mekanizma të ndryshme totalitare të kontrollit të mendimit. Si polemist i kthjellët dhe antikonformist që ishte, Orwell-i nuk i kurseu kritikat as ndaj inteligjencies socialiste angleze, përballë së cilës ndihej krejt i huaj. Ai ishte dhe mbeti deri në fund socialist i bindur, por ndërgjegjësimi, edhe për shkak të përvojave tragjike personale, për kontradiktat e thella dhe gabimet fatale të vijës së ndjekur në Bashkimin Sovjetik, nën drejtimin e Josif Stalinit, e nxiti që të përqafonte një antisovjetizëm të flaktë, duke u përplasur kështu me një pjesë të rëndësishme së të majtës europiane të asaj kohe. Në 1946, shkroi: “Çdo rresht të çdo vepre serioze që kam shkruar nga 1936 e këtej, e kam shkruar direkt ose indirekt kundër totalitarizmit dhe pro socializmit demokratik, ashtu siç e mendoj unë.”

***

… Të dish dhe të mos dish, të jesh i ndërgjegjshëm për të vërtetën e plotë, teksa thua gënjeshtra të sajuara me kujdes, të kesh njëherazi dy mendime të barasvlershme, duke e ditur se kundërshtojnë njëri-tjetrin dhe t’i besosh të dy; të përdorësh logjikën kundër logjikës, të shkelësh moralin teksa e predikon atë, të besosh se demokracia është diçka e pamundur dhe se Partia është rojtari i demokracisë; të harrosh gjithçka duhet harruar, pastaj ta risjellësh në kujtesë në çastin kur të nevojitet, mandej, befas, ta harrosh sërish: dhe, mbi të gjitha, të zbatosh të njëjtin proces edhe mbi vetë procesin. Kjo ishte finesa e epërme: me vetëdije të ushtrosh pavetëdijen, dhe pastaj, edhe njëherë, të bëhesh i pandërgjegjshëm për veprimin e hipnozës që sapo ke kryer. Madje, edhe për të kuptuar fjalën dymendim duhej përdorur dymendimi.

… Pushteti nuk është mjet, është qëllimi. Askush nuk vendos diktaturën për të mbrojtur revolucionin, por krijon revolucionin për të rrënjosur diktaturën. Qëllimi i përndjekjes është përndjekja. Qëllimi i torturës është tortura. Qëllimi i pushtetit është pushteti.

… Edhe parullat kanë për të ndryshuar. Si mund të kesh një parullë si “liria është skllavëri”, kur koncepti i lirisë është shfuqizuar? E gjithë klima e mendimit ka për të qenë ndryshe. Në fakt, nuk ka për të pasur më mendime, ashtu siç e kuptojmë sot. Besnikëri do të thotë të mos mendosh – të mos kesh nevojë të mendosh. Besnikëria është pandërgjegje.

Titulli: 1984

Autori: George Orwell

Përktheu: Sokol Çunga

Zhanri: Roman

Data e botimit: nëntor, 2020

Numri i faqeve: 298

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top