“…Kështu, me këtë shpikje budallaqe që quhet orë, i shtyjmë orët dhe ditët sikur të na ishin barrë, dhe ato janë barrë për ne, sepse nuk jetojmë… Vazhdojmë të shikojmë orën, le të shkojë edhe kjo kohë, le të shkojë edhe kjo ditë, le të vijë e nesërmja dhe prapë, si për dreq prapë nga fillimi.
Ditën e ndamë në kufoma çastesh, në orë të vdekura që do t’i varrosim brenda nesh, brenda shpellave të qenies sonë, në shpellat ku lind liria e dëshirës dhe i mbushim me gjithfarë muti e plehrash që na kalojnë si “vlera”, si “etikë”, si “qytetërim”.
Ne i kemi bërë trupat tanë një varrezë të madhe dëshirash dhe pritshmërish të vrara, lëmë gjërat më të rëndësishme, më thelbësore, si të luajmë dhe të kënaqemi me njëri-tjetrin, të luajmë dhe të shijojmë me fëmijët dhe kafshët, me lulet dhe pemët, të bëjmë dashuri, të shijojmë natyrën, bukuritë e dorës dhe shpirtit të njeriut, të zbresim me butësi brenda vetes, të njohim veten dhe atë që kemi në krahë… Gjithçka, gjithçka e lëmë për të nesërmen që nuk do të vijë kurrë…
Vetëm kur vdekja godet një të dashur, ne ndjejmë dhimbje, sepse zakonisht mendojmë se donim t’i tregonim atij kaq shumë gjëra të rëndësishme, si për shembull sa e donim, sa i rëndësishëm ishte për ne…
Por e lamë për nesër… Për të shkuar ku?
Pasi lind, dielli perëndon dhe ne nuk shkojmë askund tjetër, përveç vdekjes dhe ne budallenjtë, në vend që të qajmë për perëndimin e diellit që humbi një ditë tjetër të jetës sonë.., gëzohemi.
E dini pse? Sepse dita jonë është e ngarkuar me dhimbje, në vend që të jetë një aventurë, një konflikt me kufijtë e lirisë sonë.
Fragment nga libri “Buzëqesh…, çfarë po të kërkojnë?” nga Chronis Missios, Ed. Letters, 1988
Përgatiti Esmeralda Birçaj, eksperte e shëndetit mendor
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.