FB

November 25, 2024 | 7:14

25 Nëntori, një ditë ndërkombëtare kundër dhunës ndaj GRAVE

 

25 Nëntori shënon një moment të rëndësishëm në kalendarin global, një ditë që u dedikohet luftës kundër dhunës ndaj grave. Kjo datë simbolizon angazhimin e të gjithë individëve dhe shoqërive për të ndaluar abuzimin, diskriminimin dhe dhunën, të cilat ndodhin në shumë forma e në të gjitha nivelet e shoqërisë. Origjina e kësaj dite daton nga vrasja e motrave Mirabal në Republikën Dominikane në vitin 1960, të cilat u përballën me regjimin e diktaturës. Ato u bënë simbol i qëndresës dhe guximit për t’i bërë ballë dhunës dhe padrejtësisë.

dhuna-grate-duar

Sot, 25 Nëntori nxit reflektim, vetëdijesim dhe veprim

Dhunimi i grave është një fenomen global, që prek miliona gra dhe vajza çdo vit. Ai shfaqet në forma të ndryshme, nga dhuna fizike e emocionale deri tek abuzimi seksual dhe tregtia e qenieve njerëzore. Kjo situatë është një shkelje e të drejtave të njeriut dhe pengon zhvillimin e shoqërive të shëndosha e të barabarta. Në këtë ditë, inkurajojmë të gjithë individët dhe komunitetet të flasin, të ndihmojnë dhe të mbështesin viktimat e dhunës. Është e rëndësishme që të ndërtojmë një kulturë që nuk e toleron dhunën, por promovon respektin, barazinë dhe mbështetje për të gjithë.

Të gjithë kemi një rol në këtë betejë. Qeveritë, organizatat joqeveritare dhe individët duhet të punojnë së bashku për të krijuar politika efektive, për të ofruar mbështetje për viktimat dhe për të edukuar shoqërinë mbi pasojat e dhunës. Vetëm përmes një angazhimi të përbashkët mund të arrijmë një botë ku çdo grua të jetë e lirë nga frika dhe dhuna.

 

Këpucët dhe stolat e kuq, simboli i luftës kundër dhunës ndaj grave

Ato janë simboli i 25 Nëntorit dhe në shtrirje të luftës kundër dhunës me bazë gjinore, këpucët e kuqe, me fuqinë e tyre të fortë evokuese, përfaqësojnë betejën kundër keqtrajtimit dhe feminicidit në vende të ndryshme të botës. Por si u bënë ato një element kaq i rëndësishëm për t’u lidhur me Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Gjinore? Historia e këpucëve të kuqe fillon në Meksikë, në Ciudad Juárez, një qytet i njohur fatkeqësisht për numrin tronditës të feminicideve që kanë ndodhur në njëzet vitet e fundit. Është pikërisht për të kujtuar gratë viktima të dhunës që një artiste meksikane, Elina Chauvet, vendosi 33 palë këpucë grash, të gjitha të kuqe, në një shesh të qytetit më 22 gusht 2009. Ideja e Chauvet lindi nga nevoja për të hedhur në qendër të vëmendjes fenomenin e përhapur, por edhe për të kujtuar motrën e saj, të vrarë nga i shoqi në moshën vetëm njëzet vjeç. 33 palë këpucë, të gjitha të ndryshme nga njëra-tjetra, por të bashkuara nga ngjyra e kuqe, e njëjtë si gjaku, dhe nga fakti i të qenët pa pronarët e tyre, u zhdukën për shkak të një dhune sistematike të pamohueshme. Instalacioni Zapatos Rojos pati një jehonë shumë të fortë në vend dhe më vonë në botë. Simbolika e këpucës së kuqe u përshtat menjëherë në zona të tjera të vendit dhe shpejt kaloi kufijtë kombëtarë. Vepra simbolike u përsërit në Argjentinë, Ekuador, Brazil, Peru, Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe kaloi oqeanin duke mbërritur në disa vende evropiane, edhe në Shqipëri.

Ngjyra e kuqe u zgjerua si veçanti, duke u përshtatur në stola, një mobilie shumë e zakonshme e rrugës e ci u bë mjet i këtij mesazhi të rëndësishëm. Stoli i kuq sot përdoret për t’i thënë jo dhunës, duke iu referuar veçanërisht dhunës në familje, dhe është një element që na kujton se keqtrajtimi ndaj grave ndodh sistematikisht edhe në komunitetet tona, në vende të njohura për ne, në qendra të vogla dhe të mëdha. Me ngjyrën e tyre të kuqe të ndezur ata kujtojnë boshllëkun e lënë nga viktimat dhe tërheqin vëmendjen për nevojën për të kundërshtuar atë që është një fenomen sistemik.

Një shoqëri e barabartë është një shoqëri më e fortë. Le të punojmë të gjithë së bashku për ta arritur këtë qëllim.

 

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top