Mirëkuptimi dhe dashuria, e kemi thënë gjithmonë, është baza për çdo marrëdhënie që të jetë afatgjatë. Dashuritë mund të jenë të flakta, por me të mbaruar zjarri i parë i dashurisë, shumë çifte hyjnë në fazat e para të problemeve. Shpesh, tregohemi shumë egoistë për t’i imponuar partnerit dëshirat dhe idetë tona, por marrëdhënia nuk shkon gjatë në këtë mënyrë. Të jesh dominues, do të thotë të mos dëgjosh dhe të mos respektosh partnerin, ndaj më poshtë kemi përzgjedhur 3 hapa që mund t’ju ndihmojnë.
Dëgjoni njëri-tjetrin
Në fillimet e dashurisë secili prej nesh dëgjon me vëmendje dëshirat dhe kërkesat e partnerit. Por me të kaluar kjo fazë, në mënyrë të pavetëdijshme, kemi tendencën të ‘detyrojmë’ partnerin të bëjë atë ç’ka ne dëshirojmë. Duke menduar se e njohim partnerin, marrim të mirëqenë dëshirat e tij pa e dëgjuar dhe shkojmë kështu drejt pakënaqësive të para. Duhet të dimë të dëgjojmë partnerin: me veshë, me zemër, me shikim. Nuk ka marrëdhënie që jeton gjatë nëse nuk përkushtohemi ndaj partnerit.
Argëtohuni
Çdo çift, edhe pse mund të ketë preferenca të ndryshme në jetë, mund të gjejë mundësinë të argëtohet. Mos e harroni asnjëherë këtë. Argëtimi mban gjallë bashkëveprimin në çift. Jo domosdoshmërisht duhet të dilni nga shtëpia për t’u argëtuar. Bëni gjithmonë diçka të re, takohuni me njerëz apo gjeni ndonjë formë të re argëtimi. Në jetën në çift, të mbani gjallë humorin është shumë e lehtë. Mund të mjaftojë vetëm një kërcim nëpër kuzhinë apo një lojë me jastëkë që t’ju kthejë buzëqeshjen. Mënyrat për t’u argëtuar gjenden, mjafton të keni dëshirë.
Jini kureshtarë për njëri-tjetrin
Ndodh shpesh që na duket sikur e njohim shumë mirë partnerin. Njohim shijet e tij, mendimet, zakonet. Proust-i shkruan: “udhëtimi i vërtetë drejt zbulimit nuk është kërkimi i tokave të reja, por të kesh sy të rinj” dhe ka shumë të drejtë. Vetëm kështu marrëdhënia mund të jetë e gjallëruar. Dhe vetëm nëse mbahet e gjallëruar, një marrëdhënie mund të jetë afatgjatë, duke përfshirë këtu edhe vështirësitë dhe sfidat që të vë përballë jeta
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.