FB

June 10, 2021 | 8:40

3 këshilla për të luftuar drojën

Nëse vetëm nga mendimi se duhet të flisni përballë të tjerëve, ju kap ankthi dhe do të bënit çdo gjë që ta evitonit këtë situatë, atëherë nuk jeni vetëm. Droja është një ndjenjë që e kanë shumë njerëz në këtë botë, të cilët luftojnë çdo ditë që ta largojnë. Natyrisht nuk ndodh sa hap e mbyll sytë: duhet kohë, përkushtim dhe pa dyshim edhe dëshirë e zjarrtë për të ndryshuar…

Mendoni për rrënjët e drojës suaj | Fakti se keni këtë pjesë të karakterit, nuk do të thotë se jeni introvertë apo se të tjerët nuk ju pëlqejnë. Do të thotë se për një arsye apo një tjetër, ndiheni të turpëruar kur dritat drejtohen nga ju. Sidoqoftë, duhet të gjeni se nga rrjedh kjo ndrojtje që keni. Zakonisht, është shenjë e një problemi më të thellë. Ja tri mundësi: nuk keni vetëbesim të madh; keni vështirësi të pranoni komplimentat e të tjerëve, sepse mendoni se nuk janë të sinqertë; ju etiketojnë si një person i ndrojtur. Cilado qoftë arsyeja, është e mundur të ndryshoni. Në fund të fundit, shkaku i ndrojtjes suaj varet nga mënyra e të menduarit dhe vetëm ju mund t’i kontrolloni mendimet tuaja. Mos e harroni!

Pranoni ndrojtjen tuaj | Një nga hapat e parë që duhet të bëni për ta mposhtur ndrojtjen, është që ta pranoni atë. Mësoni të ndiheni rehat, pavarësisht pranisë së saj. Sa më shumë kundërshtoni (me vetëdije apo jo) aq më gjatë do të qëndrojë. Nëse jeni të turpshëm, mblidheni mendjen dhe përqafoni plotësisht mënyrën tuaj të të qenit. Një mënyrë për t’ia dalë mbanë është të përsërisni vazhdimisht shprehje si: “Po, jam e turpshme. E pranoj këtë fakt”.

Mos u krahasoni me të tjerët | Sa më shumë mundoheni të krahasoheni me njerëzit, aq më shumë do të keni përshtypjen se nuk jeni në lartësinë e duhur. Do të ndiheni të kërcënuar dhe kjo gjë do t’ju bëjë të ndiheni edhe më të turpshëm. Është e kotë të krahasoheni me një njeri tjetër. Sidoqoftë, nëse bini në këtë kurth, mendoni në mënyrë realiste. Edhe njerëzit që ju rrethojnë kanë probleme vetëbesimi!

 

 

Përgatiti: Manjola EREQI / Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 158

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top