Në muajt e dimrit, i ftohti, stresi, ngarkesat e punës, dita e shkurtër dhe nata e gjatë, një jetë më pasive mund të na na krijojnë një gjendje humori jo të mirë dhe shtyjnë të konsumojmë më tepër ushqim, gjë që mund të na krijojë ankth e frikë, kur shohim se kemi shtuar në peshë. Po ashtu, ditët e zymta për shkak të motit më të keq, duket sikur na fusin në stres. Po si t’ia bëni që të jeni sa më në formë në muajt e ftohtë të dimrit? Ndiqni këshillat tona
Kontrolloni regjimin e jetës
Virozat e stinës duket se janë më të shpeshta në dimër, kur trupi ndihet më i dobët fizikisht e psikologjikisht. Regjimi ushqimor është i domosdoshëm për të fuqizuar sistemin imunitar. Ndaj, përveç ushqimit cilësor, rekomandohen edhe suplemente shtesë, si: hekur, zink, selenium, vitaminë C, vitaminë D, që janë të domosdoshme për t’u ndier mirë. Pini të paktën 1 litër ujë në ditë, hani të paktën 4 fruta në ditë. Mos neglizhoni vaktin e mëngjesit. Mos neglizhoni gjumin, flini të paktën 8 orë. Një natë e qetë do t’ju bëjë të ndiheni shumë mirë e të largoni stresin. Mos harroni të pushoni edhe gjatë ditës.
Mbrohuni për t’i bërë ballë të ftohtit
Mbështilluni mirë. Mos ngurroni të pini lëngje të ngrohta. Një supë në darkë ju krijon një ndjenjë çlodhjeje. Kujdes alkoolin: në fillim keni ndjesinë se ju bën të ndiheni më mirë, ju ngroh, ju gjallëron… kjo nuk është e vërtetë. Nën efektin e tij do ta ndjeni edhe më shumë të ftohtin. Mos dilni sapo të mbaroni së ngrëni. Mbas ushqimit trupi ftohet, pasi gjithë energjia shkon për të ndihmuar tretjen, ndaj nuk do të ndiheni mirë. E faji është i juaji, jo i të ftohtit.
Bëni aktivitet fizik
Shiu, i ftohti, era, bora – nuk janë justifikime. Një aktivitet fizik është i domosdoshëm. E në mungesë të tij, mos harroni të ecni të paktën në këmbë, pavarësisht kushteve të motit. Përfitoni gjithmonë nga një ditë me diell në dimrin e ftohtë. Gjeni mundësitë të argëtoheni. Lexoni një libër të bukur dhe mos harroni të vishni diçka me ngjyra, që t’i japë më shumë dritë shpirtit e pamjes suaj.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.