Të qenit i sjellshëm nuk është edhe aq e thjeshtë. Jo gjithmonë është e mundur që t’u buzëqeshim njerëzve dhe të jemi të sjellshëm me të panjohurit. Por përse duhet të jemi të sjellshëm kurdoherë? Sepse mirësjellja na bën të ndihemi më mirë dhe bën të mundur që të krijojmë marrëdhënie të shkëlqyera me të tjerët. Veç kësaj, të tjerët do të jenë më të prirur t’ju zgjasin një dorë nëse jeni i sjellshëm me ta…
Përshëndesni | Kur kaloni para dikujt, edhe pse mund të jetë i panjohur, jepini vlerë pranisë së tij me një “Përshëndetje!”, “Ç’kemi?” apo “Si jeni?”. Mjafton edhe thjesht një përshëndetje me dorë ose me kokë. Kjo sjellje duhet vlerësuar, pasi duke e drejtuar vëmendjen tuaj drejt të tjerëve, i bëni ata të ndihen të veçantë. Nëse ecni në një rrugë të mbushur me njerëz, mund të jetë e vështirë që t’i përshëndesni të gjithë ata që takoni. Ndaj provoni të paktën të jeni të sjellshëm me njerëzit që janë ulur pranë jush në autobus, në park apo me ata që takoni rastësisht.
Buzëqeshni | Në këtë mënyrë do të jepni përshtypjen se jeni një njeri i këndshëm. Pavarësisht nëse është një qeshje e ngrohtë apo një buzëqeshje e ndrojtur, shikojini të tjerët në sy. Një buzëqeshje i bën të tjerët të ndihen rehat në praninë tuaj dhe të kenë të njëjtën sjellje. Buzëqeshni kur takoni njerëz në rrugë, kur kërkoni këshillën e një shitëseje, kur ecni rrugës për në shkollë. Buzëqeshni dhe jini të sjellshëm edhe nëse jeni me humor jo të mirë. Përse duhet t’i transmetoni energji negative njerëzve të tjerë?
Jini empatikë | Me pak fjalë: vëreni veten në vendin e të tjerëve. Empatia nuk është një aftësi e lindur, por duhet kultivuar. Mos diskriminoni! Jini të sjellshëm me të gjithë, mos krijoni ndasi mes shtresave sociale! Mos i gjykoni të tjerët në bazë të prejardhjes, moshës, gjinisë, orientimit seksual, aftësive fizike apo fesë!
Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 160
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.