Të ndiheni mirë me veten është sekreti i parë për të jetuar një jetë të lumtur, por faktorët e jashtëm mund t’ju shtyjnë drejt situatave të parehatshme, që ju bëjnë të jetoni me më pak vetëdije. Të vendosni veten mbi çdo gjë dhe të dëgjoni dëshirat dhe nevojat tuaja është një akt thelbësor dashurie, si dhe hapi i parë për të mësuar të ndiheni mirë me veten…
Mos jini shumë e ashpër me veten | Hapi i parë për t’u ndier mirë është të mos jeni shumë të ashpër me veten tuaj. Evitoni sjelljet kritike dhe jini më të butë me veten. Pranoni virtytet dhe synimet tuaja dhe mos u fokusoni te dështimet dhe difektet. Truri regjistron me shumë lehtësi kujtimet dhe ndjesitë negative, për një instinkt natyral mbijetese dhe mbrojtjeje, ndaj është mirë të stërviteni që të shihni sinjalet pozitive dhe të mësoheni të bëni një mendim pozitiv për veten në mënyrë pak a shumë automatike.
Largoni marrëdhëniet “e sëmura” | Kufizoni në maksimum personat që nuk ju dhurojnë harmoni: mbajini larg mikeshat manipuluese dhe mashtruese. Çfarëdolloj marrëdhënieje që nuk ju bën të ndiheni mirë dhe nuk ju lejon të shprehni veten në mënyrë të lirshme dhe të vërtetë është e dëmshme për mirëqenien tuaj të brendshme. Mos kini frikë të largoni marrëdhëniet e pakënaqshme dhe të gënjeshtërta. Kujtoni që ajo që ka rëndësi është të ndiheni mirë me veten dhe të jetoni në harmoni.
Mësoni të thoni ‘jo’ | Mësoni vlerën e fjalës “jo”. Gjithmonë jemi të prirur t’ia lidhim këto dy germa koncepteve negative: refuzim, ndjenjë faji, egoizëm. Në të vërtetë “jo”- ja ka mundësi të mëdha, të cilës shpesh nuk i jepet vlera e duhur. Ndonjëherë, të thoni “jo” nënkupton të vendosni veten në vend të parë, të dëgjoni veten dhe kushtëzimet tuaja dhe të mos abuzoni, duke evituar kështu shpërdorimin e kohës dhe shijeve personale për hir të të tjerëve. Sigurisht, që të ndihmoni të tjerët dhe të jeni disponibël për ta është pa dyshim një pjesë shumë e veçantë e personalitetit, por duhet që t’i kushtoni rëndësi alarmeve që ju lëshon fiziku dhe që shpesh nuk i dëgjoni nga frika se mos zhgënjeni ata që ju qëndrojnë pranë. Të dëgjoni veten dhe të respektoni kohën dhe hapësirën tuaj është një dhuratë e mrekullueshme, që nuk duhet t’ia kufizoni vetes.
Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 149
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.