Ankthi është një emocion shumë i zakonshëm dhe është pjesë e sferës së brendshme komplekse të çdo individi. Mund të nxitet nga çdo ngjarje, pozitive ose negative, që nënkupton një përfshirje të caktuar mendore. Sidoqoftë, ky është një reagim normal në një situatë stresuese, ndryshe është rasti në të cilin kjo ndjenjë bëhet shumë ndërhyrëse, mbizotëruese apo edhe paralizuese.
Këtu janë 3 këshilla për ta menaxhuar më mirë këtë gjendje:
Dëgjojeni zërin tuaj të brendshëm. Ankthi dhe stresi nuk varen shumë nga situatat e jashtme, por nga mënyra në të cilën stimujt e jashtëm janë përkthyer në emocione. Prova është se jo të gjithë reagojnë në të njëjtën mënyrë për të njëjtën ngjarje. Është e domosdoshme të lidheni me “veten”, për të vizualizuar burimin dhe arsyen e ankthit, në mënyrë që të mund ta dominoni atë.
Rrethojeni veten me njerëz pozitivë. Mjedisi ka një efekt të dukshëm në sferën emocionale, kështu që ata që vuajnë nga ankthi do të bënin mirë të kërkonin kontaktin dhe afërsinë e individëve të aftë për të shprehur optimizëm dhe energji. Shoqëria e miqve ose e familjes që dinë të lehtësojë barrën është thelbësore në procesin e shërimit personal.
Kërkoni ndihmë. Të pranosh se ke një problem dhe të pranosh që nuk mund ta mposhtësh vetëm, nuk është një manifestim i dobësisë, por një akt kurajoje. Ankthi shpesh theksohet nga ndjenja e të qenit i vetëm, kështu që duke folur për të me dikë ndihmon për t’u ngritur dhe për t’u ndier më mirë. Shprehja e ndjenjave tuaja është hapi i parë për të kuptuar atë që po ndodh.
Të gjitha emocionet janë thelbësore për të jetuar dhe shijuar plotësisht çdo moment. Në rastin e ankthit është e nevojshme të mësohet të bëhet dallimi ndërmjet ankthit fiziologjik dhe patologjik, domethënë mes ankthit të shëndetshëm dhe natyror dhe atij të dëmshëm dhe destruktiv. Ajo që nuk duhet të harrohet kurrë është se çdo person është “përgjegjës” për emocionet e veta.
Kur një situatë krijon shqetësim, strategjia fituese nuk është ta vuajë, por të pyes veten pse ndjehet keq. Nëse ju jeni të fortë dhe asgjë nuk mund ta dëmtojë armaturën tuaj, është për shkak se ju mund t’i tejkaloni vështirësitë dhe të ecni përpara pavarësisht gjithçkaje.
Burimi / www.guardachevideo.it
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.