Marrëdhënie

December 7, 2017 | 9:11

Ndaleni kohën!

Ju lutem ndaleni kohën!

Anisa Zaqe, psikologe klinike, diplomuar në Francë dhe psikologe këshillimi, diplomuar në UT

Anisa Zaqe, psikologe klinike, diplomuar në Francë dhe psikologe këshillimi, diplomuar në UT

Ku mund ta kërkoj? Kë duhet të pyes?
Ngrijeni minutin, të qëndrojë në vend ora.
Dua të zgjas në pafundësi ky moment. Të kam përballë, e po flasim për jetën me zë të ulët. Të  shikoj tek qesh duke më folur për atë që ta bën zemrën të rrahë ndryshe, për atë që arrin të ta ndryshojë motin e shpirtit, pa ngritur fare kokën nga qielli, nëse ka diell a re.

Do doja shumë të zgjaste në pafundësi një moment kështu. Ku ti flet, e unë frymëzohem. Ku lumturia jote, do bindte këdo për të mos rreshtur kurrë së besuari e së luftuari për buzëqeshjen e vërtetë të zemrës. Do doja shumë të ishte kështu gjithmonë. Por, ky është ai momenti që më kujtohet ajo shprehja e famshme: “Një anije është shumë e sigurt në port, por anijet nuk janë ndërtuar për këtë.”
Ja kështu, edhe ne. Do ishte mirë, e ndoshta deri-diku bukur të jetuarit në qetësinë e kësaj dhomës ku po flasim. Por nuk do arrinim asnjëherë të njihnim gjithë grintën e zemrës e kurajon e shpirtit.

Po pra, me dëshirën më të madhe do të të fusja në një flluskë e të të ruaja nga çdo gjë që do të tentonte ta bënte pis zemrën. Por, ja që nuk jemi krijuar për këtë. Ja që delikatesa qëndron larg në epitetet që mund të na përshkruajnë.

Nuk mund të ruash askënd. E aq më pak ta shpëtosh. Maksimumi që mund të bësh është ta duash dikë, e ti qëndrosh pranë, pavarësisht të gjithave dhe gjithçkaje.
Ndonjëherë kjo mund të bëhet shumë frustruese, sidomos kur në mes janë njerëz që të dhemb shpirti, sidomos kur në mes janë njerëz që do ishe në gjendje t’ju zbrisje hënën në duar për ta përdorur sipas dëshirës.
Unë do doja të ta hiqja çdo dhimbje me dorë, do doja ta shtroja me duart e mia rrugën ku do shkelësh me ar e petale lulesh. Por, nuk mundem.

Ajo që mundem të bëj është të qëndroj pranë. Të rri të dëgjoj pa thënë asgjë mbrapsht. Shpesh më duket gjëja më kot në botë. Të qëndroj pranë, edhe ça? Kujt i hyn në punë? Zgjidh gjë kjo e qëndruara pranë? A heq ndonjë dhimbje? A zbut ndonjë inat? Në fakt jo.

Maksimumi që mund të bëj është të bëhem thesi i boksit në ndonjë ditë e jastëku i lotëve në ndonjë tjetër, me pak fjalë, maksimumi që mund të bëj është shoqja. Dhe kjo s’më jep fuqinë të të ti heq dhimbjet e të të ruaj zemrën nga thyerjet. Sepse ti nuk ke nevojë për gjë. Ti je luftëtare fitimtare. Se shpirti jot njeh veç të vërtetën e vet, prandaj edhe mundet veç të fitojë betejat. Nuk ta ‘qaj’ hallin, por ta kam merakun.

Andaj, ndaleni kohën, ju lutem. Të qeshë edhe ca kështu, pa kontroll, ti rrahë zemra aq sa të dëgjohet në dhomën tjetër. Ndaleni kohën në këtë momentin që mban erë lumturi.
Le të presë edhe pak lufta!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top