Viti i ri na sjell mundësi për të bërë zgjedhje të reja. Gabimisht mund të besojmë se rrethanat e jashtme duhet të ndryshojnë që të jemi të lumtur, për të pasur një hapësirë më të mirë dhe për të qenë më të sjellshëm me të tjerët. Por mos bini në kurthin e të besuarit, se rrethanat e jashtme duhet të ndryshojnë në mënyrë që të jeni më të këndshëm. Ndryshimi është i brendshëm: nevojitet një përpjekje e vetëdijshme për të vlerësuar të mirën dhe për të qenë më të mirë.
Shihni të mirën tek të tjerët | Kur shihni të mirën te njerëzit e tjerë, vlerësojeni dhe shpreheni. Mund t’ju duket e çuditshme, por studimet tregojnë se pritshmëritë tona kanë ndikim të fuqishëm në sjelljen e të tjerëve. T’i trajtoni njerëzit me mirësi dhe të prisni prej tyre që të bëjnë të njëjtën gjë, rrit ndjeshëm mundësinë që edhe ata të sillen këndshëm e me butësi me ju.
Kufizoni shfaqjen e negativitetit | Ne kemi tendencën t’i japim më shumë vëmendje gjërave negative, informacioneve kërcënuese. Media ka tendencën të fokusohet në historitë negative, pasi ato rrisin audiencën. Është mirë që të jemi të kujdesshëm ndaj kërcënimeve dhe problemeve, por kjo gjë na bën të besojmë se gjërat negative kanë kurdoherë më shumë peshë se sa gjërat pozitive. Kufizoni kohën dhe vëmendjen që i jepni historive negative.
Jetoni të tashmen | Jeta është e bërë nga një sërë momentesh të së tashmes. Duke jetuar ditë pas dite me të tashmen, do t’i kujtoni vetes se ka më shumë rëndësi cilësia e jetës suaj. Studimet mbi ndërgjegjësimin e së tashmes, që janë bërë nëpërmjet meditimit tregojnë se të jetuarit ditë pas dite ul stresin, rrit kthjelltësinë mendore dhe dhembshurinë në jetën e përditshme.
Praktikoni meditimin e lumturisë | Imagjinoni veten, të dashurit, njerëzit që ju rrethojnë, madje edhe njerëzit që nuk ju pëlqejnë sikur janë të lumtur dhe të çlirët. Studimet mbi këtë lloj meditimi tregojnë se mund të ndërtohet një lloj shërimi emocional dhe gjithashtu studimet mbështetin fort lidhjet sociale, gjë që ju ndihmon të përballeni me sfidat e së ardhmes.
Përgatiti: Manjola EREQI
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.