Konsumizmi, teknologjitë e reja, lajmet në kohë reale: bota bashkëkohore, me ritmet e saj të çmendura, të mbingarkon pa e vënë re. E-mailet për eprorin, trafiku, telefonatat e miqve, që kanë nevojë për vëmendjen tuaj… çdo ditë e më shumë ndiheni më të lodhur.
Truri është vazhdimisht i stimuluar nga zhurmat e pafundme të botës që ju rrethon, shpesh negativisht. Një ambient veçanërisht i zhurmshëm është një nga shkaqet për zhvillimin e stresit. Kjo gjë ndodh, sepse zhurmat e vënë trurin në një gjendje të vazhdueshme alarmi, duke favorizuar kështu prodhimin e hormonit të stresit. Të mësoni se si të njihni heshtjen do t’ju ndihmojë të kapërceni stresin dhe të përmirësoni në mënyrë të ndjeshme cilësinë e jetës suaj.
1. Ngadalësoni ritmet & përqendrohuni te vetja | Në përditshmëri, të përfshirë nga punët e pafundme, realisht sa kohë mundeni t’i dedikoni vetes dhe dëshirave tuaja? Ndaloni, merrni frymë thellë dhe bëni një pushim. Bëni diçka që ju pëlqen me të vërtetë. Kujtoni sa e rëndësishme jeni, se dëshirat tuaja vijnë para angazhimeve të kota. Filloni të ecni duke lënë edhe vetëm disa minuta për gjërat që doni të bëni: ky do të jetë hapi i parë drejt ndryshimit!
2. Mësohuni me qetësinë | Jemi mësuar të jetojmë në një botë me zhurma shurdhuese: motorët, boritë e makinave, bisedat me zë të lartë në rrugë apo shtëpi… Injorojini ato dhe mësoni ta vlerësoni dhuratën e qetësisë! Dimensioni i qetësisë do të jetë me shumë gjasa një dimension pak i njohur: ushtrohuni çdo ditë dhe do të shihni që në pak kohë do të fitoni aftësinë për të gjetur vendin tuaj të qetësisë.
3. Lexoni shumë, lexoni shpesh | Librat janë ushqim për mendjen dhe për shpirtin. Të lexosh është një kënaqësi e pakrahasueshme, që meriton më shumë kohë se sa disa minuta shëtitje nëpër rrugët e qytetit. Rrugëtimi juaj drejt njohjes së heshtjes e qetësisë, do t’ju udhëheqë drejt zbulimit të një dimensioni të ri të leximit.
4. Rizbuloni natyrën që ju rrethon | Largohuni, shmangini ritmet frenetike të qytetit. Zgjidhni rrugën më të bukur, në vend të asaj më të shkurtër. Shijoni ngjyrat e perëndimit të diellit, panoramën, peizazhin. Braktisni – sapo të mundeni – kaosin e qytetit dhe zgjidhni një pushim në natyrë! Do të keni mundësinë që të shijoni mrekullitë e natyrës, me heshtjen dhe qetësinë e saj.
Përgatiti: Manjola Ereqi | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 125
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.