Ka mijëra arsye pse marrëdhëniet nuk funksionojnë, por ato mund të përkufizohen në katër fusha kryesore problematike që ndodhin në shumicën e diskutimeve, grindjeve dhe ndarjeve. Të gjitha kanë të bëjnë me vetëvlerësimin dhe imazhin e njërit prej partnerëve.
- Mungesa e angazhimit
Në shumicën e lidhjeve, vetëm njëri prej partnerëve angazhohet, i cili thotë: “Eja më tako dhe unë do të vij të të takoj”. Por nëse ndodh që njëri nga të dy vendos të bëjë vetëm 49% të rrugës, krijohet një e çarë. Çifti vazhdon ta zgjerojë gradualisht hendekun. Shembuj klasikë janë rastet në të cilat, të dy bashkëshortët mbajnë llogari rrjedhëse të veçantë. Shpenzimet ndahen në mënyrë të barabartë, çdo lek llogari. Një tjetër rast emblematik është kontrata paramartesore, në të cilën paragrafi i parë gjithmonë thotë: “Të dy palët, duke qenë të dashuruar dhe duke planifikuar të jetojnë së bashku të lumtur për pjesën tjetër të jetës, nënshkruajnë këtë kontratë”.
Mëkat, sepse pastaj do të duhet të ndjekin detaje të përpikta se si ata, bashkëshortët, do duhet të ndajnë çdo pasuri në rast të ndarjes, madje edhe para detajeve për dasmën. Kur njëri prej partnerëve nuk është i gatshëm të përfshihet plotësisht në marrëdhënie, dëshira e tij për t’u tërhequr bën që tjetri të ndjehet i refuzuar dhe i zhvlerësuar në planin afatgjatë. Për të kapërcyer mungesën e angazhimit, duhet të zhyteni 100% në marrëdhënie. Filloni me besimin se marrëdhënia nuk mund të mbarojë kurrë. Pastaj, nëse përfundon, dhe mund të ndodhë, të paktën nuk do të jetë për faktin se njëri nga të dy nuk ka dhënë 100%.
- Përpiquni të ndryshoni partnerin
Problemi i dytë i madh qëndron në përpjekjen për ta ndryshuar partnerin ose të presim që ai të ndryshojë. Edhe në këtë rast përballemi me një formë delikate refuzimi. Një mënyrë delikate për të thënë, “Nuk shkon mirë kështu”. Çdoherë që përpiqeni të ndryshoni dikë, jeni duke nënkuptuar se ky person nuk është në nivelin tuaj, duke shkaktuar ndjenja zemërimi dhe pakënaqësie. Problemi është se, njerëzit nuk mund të ndryshojnë shumë. Ajo që shihni është ajo që merrni. Nëse personi që po mendoni të martoheni nuk është në të vërtetë ai që dëshironi, duhet të bëni diçka para se të martoheni me të, jo pas.
- Xhelozia
Xhelozia qëndron gjithmonë në mendjen dhe zemrën e atyre që vuajnë prej saj. Është një formë e tmerrshme negativiteti që vjen nga vetëvlerësimi i ulët dhe pamjaftueshmëria personale. Ata që përjetojnë xhelozi, dyshojnë në vlerën e tyre si njeri. Ky lloj personi ka të ngjarë të ketë pësuar kritika shkatërruese gjatë fëmijërisë dhe ka pasur përvoja negative me partnerët e mëparshëm. Antidoti kundër xhelozisë qëndron në të kuptuarit se nuk ka asnjë lidhje me partnerin tuaj. Ka të bëjë vetëm me vetëvlerësimin e ulët të atyre që e përjetojnë atë. Kështu që për ta hequr qafe xhelozinë, ju duhet të punoni me vetëvlerësimin. Ekzistojnë disa teknika, përfshirë deklaratat pozitive.
- Vetë-keqardhje
Ndodh kur ndjeheni keq për diçka që partneri juaj ka bërë ose nuk ka bërë për ju. Zakonisht njerëzit që ndjehen keq, e kanë mësuar atë nga prindërit e tyre. Për shembull, njerëzit shpesh shkojnë drejt keqardhjes kur partneri është sa i zënë po aq edhe i lumtur me punën e tij, saqë ndjehen të lënë pas dore. Në këtë shtëpi, zgjidhja nuk është që partneri të bëjë ose të ndalojë së bëri diçka. E vetmja antidotë është që të përfshiheni me projektet dhe qëllimet tuaja, dhe nuk do të keni më kohë të ndiheni keq me veten. Jeni ju përgjegjës për emocionet tuaja dhe jeni ju shkaku i lumturisë apo i pakënaqësisë tuaj. Nëse ndjeni keqardhje për veten, do të thotë që keni zgjedhur të ndjeheni keq për veten tuaj. Dhe për këtë arsye mund të zgjidhni një reagim të ndryshëm.
Përgatiti: Orjona TRESA / Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 158
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.