Aktorja e njohur shqiptare, Mariana Kondi është vlerësuar më titullin “Mjeshtre e madhe” nga presidenti llir Meta. Ceremonia u zhvillua në Presidencë, ku gjithashtu ishin të ftuar dhe miq të aktores së njohur.
Artisja ka falënderuar publikun e saj që e ka përkrahur për 40 vite rresht në skenë dhe për çdo duartrokitje që i kanë dhuruar.
“Ky vlerësim shkon për të gjithë ata që më kanë duartrokitur që ditën e parë që vura zemrën në skenë dhe deri te I fundit që po më duartroket në këto momente në ndonjë kanal Televiziv”- tha aktorja.
“Më në fund institucioni më i lartë i këtij vendi më dorëzon këtë vlerësim në momentin dhe kohën e duhur. Pas 40 vjetëve karrierë. Vlerësim për të cilin ndihem e surprizuar nga ky institucion. Dhe sigurisht institucionet I bëjnë individët ndaj dhe falënderimi im nuk mund të shpëtojë pa drejtuesin e tij Presidentin Ilir Meta që ka ditur ti rikthejë lavdinë këtyre titujve”– ka vazhduar ajo.
Gjithashtu Mariana ka falënderuar dhe miqtë e saj që e kanë përkrahur dhe kanë lënë gjurmë në jetën e saj artistike.
“Kariera ime ka patur hopet e veta, por unë theksin ja vë atyre momenteve të vështira. Sepse ato momente kanë qënë arsyet e ringjitjeve drejt suksesit. Ndoshta ky vlerësim dhe ky titull ka dhe pjesën e dhimbshme të tij. Është idhtësia e partnerëve të mi që sot janë në dritën e vërtetë. Atyre partnerëve që më dhanë batutën, më dhanë suksesin më dhanë energjinë Skënder Sallaku, Vasillaq Vangjeli, Sheri Mita, Met Bega. Ndaj i falënderoj për cdo tullë që kanë vënë në murin e karrierës time”.
Në fund ajo ka përmendur bashkëshortin e saj ku tregon se çmimin do e ndaj me të dhe se është një shpërblim për të gjitha ditët që ajo nuk është gjendur pranë tij.
“Ky është një titull që sapo të shkoj në shtëpi do ta ndaj me burrin tim të shtrenjtë për të gjitha ditët qe nuk kam qenë shtëpi për shkak të punës. Tashmë jemi tre. MARJANA TANI DHE MJESHTRI I MADH I SKENES”.- ka përfunduar aktorja.
Burimi / PanoramaOnline
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.