FB

December 21, 2023 | 7:27

5 arsye për të ushqyer fëmijën me gji

 

5 arsye për të cilat është mirë të zgjidhni, gjithmonë nëse është e mundur, ushqyerjen me qumësht gjiri në vend të qumështit artificial. Për nënat e ardhshme, ende të pavendosura se çfarë duhet të bëjnë, kemi përzgjedhur pesë arsye të vlefshme që duhen mbajtur në konsideratë, sepse ushqyerja me gji krijon dhe një lidhje unike dhe të veçantë me të voglin.

1. Ul rrezikun e vdekshmërisë neonatale

Ushqyerja me gji do të thotë të ulni rrezikun e vdekshmërisë tek të sapolindurit. Në fakt, kjo lloj ushqyerjeje në muajt e parë të jetës ka efekt mbrojtës kundër vdekshmërisë pas lindjes. Më në veçanti, meritën e këtij efekti e ka qumështi i nënës, i cili e mbron beben ndaj infeksioneve dhe ndaj të ashtuquajturës “sindroma e vdekjes së papritur”.

 

2. Qumështi i nënës është një ilaç i vërtetë

Të ushqesh fëmijën me qumështin e gjirit në muajt e parë të jetës favorizon rritjen dhe zhvillimin, por jo vetëm, zvogëlon edhe mundësitë e obezitetit, tensionit të lartë, rakitizmit, anemisë dhe kariesit të dhëmbëve. Kjo sepse qumështi i nënës, përveç se e ushqen të sapolindurin, e furnizon atë edhe me antitrupa të nevojshëm për të kundërvepruar ndaj viruseve, baktereve dhe parazitëve. Në këtë mënyrë i vogli është i mbrojtur ndaj infeksioneve të ndryshme si: otiti, infeksionet në rrugët e frymëmarrjes, infeksionet urinare, madje edhe meningjiti.

 

3. Zvogëlon rrezikun e alergjive

Edhe pse nuk ka dyshim që fëmijët më të vegjël e të pambrojtur mund të bëhen alergjikë, është po aq e vërtetë se një nga shkaqet e reaksioneve alergjike mund të jetë pikërisht qumështi artificial. Nga ana tjetër, qumështi i nënës, nuk mund të shkaktojë alergji tek i vogli. Falë pranisë së një acidi yndyror (DHA) qumështi i nënës favorizon zhvillimin e funksioneve nervore te fëmija.

 

4. Shumë përfitime edhe për nënën

Qumështi i gjirit ka kaq shumë përfitime për të sapolindurin, por nuk mungojnë as përfitimet për nënën. Avantazhe si për shëndetin e saj, ashtu dhe nga këndvështrimi psikologjik. Sipas studimeve të shumta, ushqyerja me gji për disa muaj, ka një fuqi parandaluese kundër tumorit të gjirit e të mitrës, e cila shfaqet para menopauzës, si dhe kundër osteoporozës. Zvogëlohet rreziku për të qenë viktima të osteoporozës, një sëmundje që prek shumë femra, falë faktit që trupi i tyre, pas periudhës së ushqyerjes me gji, rimerr kalciumin dhe mineralet që përthithte fëmija e për këtë arsye kockat bëhen më të forta.

 

5. Ushqyerja me gji ju dobëson

Një përfitim më sipërfaqësor ndoshta, por që nuk duhet nënvleftësuar. Ushqyerja me gji do të thotë të humbisni më shpejt e më lehtë kilogramët e marrë gjatë nëntë muajve të shtatzënisë.

Përgatiti: Manjola Ereqi

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top