FB

December 27, 2024 | 7:06

5 arsye pse duhet të pranoni dhimbjen për të qenë të lumtur

Lumturia dhe dhimbja mund të duken terma kontradiktore dhe të papajtueshme. Megjithatë, a është e mundur të jesh i lumtur në mes të dhimbjes? Të pranosh dhimbjen nuk është e mundur vetëm kur je duke kërkuar lumturinë, por mbi të gjitha është e nevojshme.

Në realitet, lumturia nuk është sinonim i mungesës së dhimbjes. Lumturia e vërtetë, në fakt, gjendet në mes të dhimbjes. Çështja nuk është të shmangim dhimbjen që ndjejmë ose të zvogëlojmë ndikimin e saj në jetën tonë, e cila është, në të njëjtën kohë, thellësisht e bukur dhe e dhimbshme. Një gjë nuk mund të ekzistojë pa tjetrën.

grua-e-lumtur

Lumturia është ngjitëse, edhe përmes dhimbjes

Lumturia është një gjendje shpirtërore ngjitëse në çdo rrethanë . Dhe kjo ka shumë pak të bëjë me rrethanat tona dhe lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si ne reflektojmë për jetën dhe atë që ndodh rreth nesh. Fakti që lumturia është ngjitëse nuk është thjesht një mendim i këndshëm, por është një proces kimik që zhvillohet në trurin tonë falë neuroneve pasqyrë. Kur shohim dikë duke përjetuar një emocion, truri ynë “praktikon” të njëjtin emocion, duke imagjinuar atë që po përjeton personi tjetër. Në këto raste, personi aktivizon të njëjtat sinapse në trurin e tij që mund të lidhen me emocionet që ai ka identifikuar. Ky proces, në thelb është empatia , është gjithashtu mënyra se si ne fitojmë mentalitetin e turmës.

Sa herë që ndezen këto sinapse, truri riformohet . Kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme të kalojmë kohë me njerëz që janë gjithmonë në gjendje të jenë me humor të mirë, që rrezatojnë gëzim dhe kjo është arsyeja pse duhet të shmangim njerëzit që janë pesimistë dhe gjithmonë me humor të keq. Megjithatë ky është vetëm hapi i parë. Pranimi i dhimbjes përfshin një grup tjetër çështjesh që duhen analizuar.

 

Pranimi i dhimbjes do t’ju ndihmojë të jeni më të lumtur

Përfitimet e lumturisë janë të pamohueshme. Për shembull, mund të na ndihmojë të jetojmë një jetë më të gjatë dhe më të shëndetshme. Megjithatë, në realitet, shumë prej nesh nuk e kanë idenë se si të jenë më të lumtur. Kërkimi i lumturisë për disa njerëz është kundërproduktiv, pjesërisht sepse bazohet në shmangien dhe eliminimin e çdo forme dhimbjeje nga jeta e dikujt. Megjithatë, siç kemi thënë tashmë, lumturia është shumë më tepër se mungesa e dhimbjes. Dhimbja është, në fakt, një pjesë e domosdoshme e lumturisë. Studimet tregojnë se ka mënyra të ndryshme në të cilat dhimbja mund të bëhet burim kënaqësie. Le të shohim pse.

 

1.Dhimbja ju ndihmon të dalloni kënaqësinë

Lumturia si gjendje shpirtërore është çështje kontrastesh. Nëse do të ishim të lumtur gjatë gjithë kohës, nuk do të ishim në gjendje ta njihnim atë humor si lumturi. Ndonjëherë është e nevojshme të përjetoni skajin e kundërt të spektrit për të qenë në gjendje të dalloni dhe vlerësoni lumturinë më autentike. Kjo nuk do të thotë se është e nevojshme të përjetosh dhimbje të vazhdueshme për të njohur kënaqësinë, por përkundrazi që, pavarësisht nga natyra e saj, është e mundur të vlerësohen detajet e vogla dhe të shijohen ato,  të cilat përndryshe do të kalonin pa u vënë re.

 

2.Lehtësimi i dhimbjes rrit kënaqësinë

Dhimbja nuk është e këndshme, por lehtësimi prej saj është . Studimet tregojnë se kur dhimbja zhduket, ne përjetojmë një rritje të lumturisë, mbi dhe përtej niveleve që do të ndodhnin nëse nuk do të kishim ndjerë më parë dhimbje. Kjo nxjerr në pah edhe faktin se gjërat e vogla dhe të thjeshta mund të vlerësohen dhe të bëhen burim më i madh lumturie kur kalon një periudhë pikëllimi, gjë që rrit edhe ndjenjën e mirënjohjes. Për më tepër, kënaqësia bëhet një emocion më i thellë dhe më i qëndrueshëm, më shumë se një ndjesi e thjeshtë fizike.

 

3.Dhimbja forcon lidhjet sociale

Dhimbja ushqen ndjeshmërinë. Kjo është arsyeja pse njerëzit bëjnë gjithçka për të ndihmuar ata që po kalojnë një kohë të vështirë, si vdekja e një personi të dashur ose një sëmundje e rëndë. Lidhja sociale që lind nga dhimbja përmirëson bashkëpunimin dhe nxjerr më të mirën te njerëzit. Falë gjithë kësaj, tejkalimi i dhimbjes bëhet më i lehtë dhe forcon marrëdhëniet, duke krijuar lidhje që shkojnë shumë më tej . Në këtë drejtim, dhimbja të ndihmon edhe të njohësh më mirë njerëzit dhe të zbulosh të mirat tek ata, karakteristikë që do të vazhdojë të jetë aty kur stuhia të qetësohet.

 

4.Durimi i dhimbjes na bën të denjë për shpërblim

Kapërcimi i një situate të vështirë na bën të ndihemi të merituar për një shpërblim që kemi fituar me përpjekjet tona . Në këto raste nuk ka rëndësi “çfarë”, por është e rëndësishme të dimë se kemi mundur t’i kapërcejmë fatkeqësitë, se kemi kapërcyer veten. Në realitet, shpërblimi i vërtetë është të kapërcesh  dhe të jesh në gjendje të bësh më mirë. Ky shpërblim synon të na bëjë më të vetëdijshëm për përpjekjet tona.

 

5.Dhimbja na bën të vetëdijshëm

Dhimbja na bën të vetëdijshëm për atë që po ndodh në atë moment, na shtyn të jetojmë në të tashmen. Ndoshta e thënë kështu nuk duket aq e rëndësishme, por të qenit i vetëdijshëm është një aftësi që lidhet drejtpërdrejt me lumturinë. Të qenit të vetëdijshëm për atë që po përjetojmë na ndihmon të harrojmë çështjet sipërfaqësore dhe të përqendrohemi në atë që ka vërtet rëndësi. Në këtë mënyrë, ne mund të shmangim shqetësimin për atë që nuk ka zgjidhje ose shqetësimin për pasigurinë që vjen nga mos dija se çfarë do të ndodhë nesër. Të mësosh të përqendrohesh në momentin aktual, edhe kur ke dhimbje, mund t’ju ndihmojë të keni një jetë më të lumtur.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top