Nuk kemi nevojë me çdo kusht për një partner, që të jemi të lumtura. Nuk jemi në kërkim të gjysmës tjetër të mollës: e duam mollën e plotë, për ta shijuar me maturi, sinqeritet dhe liri.
1. Betejat që kemi përballuar dhe mësimet që kemi nxjerrë prej tyre
Jemi femra të plotësuara, sepse kemi kaluar tashmë shumë përvoja. Kemi kaluar momente të vështira dhe kemi përballuar situata komplekse e delikate, ku kemi pasur mundësi të njohim anën më të mirë e më të keqe të njerëzve. Të gjitha momentet që kemi kaluar, përbëjnë në tërësinë e vet, një mësim të vyer që do të jetë gjithnjë i nevojshëm. Edhe nga dështimet mund të marrim mësim, njësoj si në kohët e lumturisë së madhe. Të gjitha betejat që i kemi çuar deri në fund dhe momentet respektive të paqes e harmonisë, përbëjnë shtyllat e historisë sonë, të cilës duhet të mësojmë t’i japim vlerën e duhur, sepse është ajo që tregon se cilat jemi sot.
2. Nuk na mungon asgjë që s’mund ta gjejmë brenda vetes
Shpesh, sidomos kur jemi të reja, e kërkojmë lumturinë si të ishte një krijesë mitologjike, e cila duhet ndjekur e kapur me çdo kusht, por nuk është kështu. Lumturia qëndron brenda nesh, dhe është pikërisht aty ku duhet ta kërkojmë. Njerëzit që e kalojnë gjithë kohën duke u ankuar për atë që u mungon, grumbullojnë një boshllëk të madh në zemrën e tyre, një kushtëzim ky që ua vështirëson lindjen dhe kultivimin e lumturisë. Vetëm kur të jemi në jeni në gjendje të kuptojmë se mund ta gjejmë brenda vetes atë që na mungon, do të mund t’ia dalim të jemi më të lumtura. Nëse na mungon siguria, nuk duhet ta kërkojmë atë tek të tjerët, por duhet të mësojmë të mos kemi frikë. Nëse ajo që na mungon është dashuria, duhet të mësojmë të duam më shumë veten, sepse dashuria për veten është sekreti i dinjitetit, me të cilin është e mundur të ndërtojmë marrëdhënie dashurie të shëndetshme e të lumtura.
3. Kemi mësuar se ka gjëra që nuk janë të rëndësishme
Ana më e mirë e maturisë është që më në fund të kuptojmë se ka gjëra dhe njerëz për të cilët nuk ia vlen të dëshpërohemi, të shqetësohemi apo të qajmë. Ndaj edhe kjo gjë na bën femra të plotësuara, sepse kemi mësuar t’ia kushtojmë të gjitha energjitë dhe pasionet tona gjërave që kanë me të vërtetë rëndësi për ne. Në jetën e secilit prej nesh duhet të vijë ai moment, kur më në fund të kuptojmë se duhet të mendojmë pak më shumë për veten dhe, mbi të gjitha, që nuk ka asgjë të keqe në këtë gjë: pa dyshim nuk do të thotë se jemi egoiste dhe aq më pak cinike; jemi vetëm duke mbrojtur vetëbesimin tonë.
4. Kemi mësuar të mos kemi frikë nga e ardhmja
Një femër e plotësuar dhe e matur nuk i trembet së ardhmes, sepse ka mësuar të ketë besim te vetja, sepse të qenit elastike është arma e saj më e mirë, sepse betejat që ka përballuar kanë qenë shkolla e saj më e mirë dhe pikërisht aty ka mësuar t’i bëjë ballë çdo gjëje që i ka rezervuar e ardhmja. Kjo është mënyra më e mirë për të lënë mënjanë frikën. Veç kësaj, jemi të vetëdijshme që jeta është e bërë nga cikle dhe që për t’i jetuar sa më mirë, me dinjitet dhe harmoni, nuk duhet të kapemi fort pas gjërave që kemi humbur apo që i kemi hedhur pas krahëve. Nëse na kanë braktisur, ne mund të vazhdojmë jetën me kokën lart, duke e ditur që do të njohim sërish njerëz që mund të sjellin gëzim në jetën tonë e jo trishtim. Gjithashtu, e dimë që ndonjëherë, kemi bërë dhe zgjedhje që kanë rezultuar më pas të gabuara. Por pavarësisht gjithçkaje, nuk pendohemi, sepse janë pikërisht këto gabime që na kanë hapur sytë dhe na kanë bërë të kuptojmë se cilat janë hapat e gabuar që nuk duhet t’i bëjmë më në të ardhmen.
5. Nuk kemi nevojë për askënd që të ndihemi të arrira në jetë
Ne jemi femra të plotësuara, femra që dimë të shijojmë shoqërinë e atyre që na rrethojnë, të familjes dhe miqve. Kemi arritur në një pikë të jetës sonë, ku dimë që për t’i ofruar të tjerëve më të mirën tonë, kemi nevojë të ndihemi mirë me veten, sepse grumbullimi i frikës dhe i pasigurive nuk bën gjë tjetër, përveç se vështirëson marrëdhëniet tona ndërpersonale. Nuk kemi nevojë me çdo kusht për një partner, që të jemi të lumtura. Nuk jemi në kërkim të gjysmës tjetër të mollës: e duam mollën e plotë, për ta shijuar me maturi, sinqeritet dhe liri. Jemi femra të plotësuara që dimë të shijojmë gjithçka që kemi, por për këtë arsye nuk kemi pse të heqim dorë nga të mësuarit ditë pas dite nga përvojat me të cilat përballemi, falë intuitës dhe një mentaliteti të hapur, falë empatisë, respektit dhe urtësisë.
Përgatiti: Manjola EREQI
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.