Familja është kontakti i parë që kemi me botën. Normalisht nga ajo mësojmë pjesën më të madhe të aftësive tona më bazike sociale. Ajo na jep siguri dhe na lejon të mësojmë mendime të reja, sjellje dhe ndjenja që do t’i riprodhojmë në të ardhmen.
Çdo kontakt dallohet nga tjetri, sepse, mes arsyeve të tjera, çdo familje është e ndryshme. Megjithatë ekzistojnë disa elementë kyç që bëjnë të mundur që të gjithë pjesëtarët e familjes të jenë më të lumtur dhe që të ndihen më mirë me veten dhe me të tjerët.
- Pritshmëri dhe vlera të qarta
Familjet që e dinë se çfarë duan të marrin dhe që i përcaktojnë me qartësi vlerat që i udhëheqin, kanë më shumë mundësi që t’i jetojnë ndryshimet normale të jetës në mënyrën e duhur dhe mbështeten më shumë mes tyre në momentet kritike të rritjes. Kur prindërit u tregojnë fëmijëve se çfarë presin prej tyre dhe njëkohësisht i dëgjojnë nevojat e të vegjëlve, familja fiton më shumë qëndrueshmëri dhe siguri. Për të njëjtin parim, nëse prindërit u shpjegojnë fëmijëve vlerat e familjes, ata do të kenë më pak probleme për t’u rritur, për t’u pjekur dhe për të bashkëjetuar me të tjerët.
- Jini mirënjohës
Një tjetër faktor për të pasur një familje të lumtur, është mirënjohja. Aftësia për të vëzhguar dhe për t’u ndier mirë me atë që keni është një nga çelësat për të pasur një familje të lumtur. Pjesëtarët e familjes duhet të jenë të aftë të jenë mirënjohës për momentet e kaluara së bashku. Kur kjo ndodh, prindërit u mësojnë fëmijëve që të shijojnë çdo çast dhe fëmijët mësojnë t’i vlerësojnë ato.
Në rastin e familjeve që përballojnë situata negative, siç mund të jetë një sëmundje apo një gjendje ekonomike e vështirë, mirënjohja do t’i ndihmojë familjarët që të qëndrojnë të bashkuar dhe mund të jetë një element thelbësor për të ecur përpara.
- Një lidhje e fortë familjare
Mes familjarëve dhe miqve duhet krijuar një mjedis besimi dhe sigurie shumë i fortë. Me të fituar këtë gjë, pjesëtarët e familjes do të dinë se do të kenë gjithmonë një bazë të fortë që do t’i shoqërojë në të gjitha vendimet që do të marrin. Në këtë mënyrë, do të jenë më të prirur që të rrezikojnë, gjë që do t’i bëjë të arrijnë aty ku duan dhe të tejkalojnë kushtëzimet e tyre. Sa më e fortë të jetë lidhja, aq më e lumtur do të jetë familja.
- Kohë e lirë për t’u argëtuar dhe çlodhur së bashku
Për të pasur një familje të lumtur është t’i kushtojnë kohë qëndrimit të gjithë së bashku. Ky aspekt është më i rëndësishëm sesa të caktoni vlera dhe të qëndroni të bashkuar. Gjatë këtyre momenteve, koha duhet të jetë e shenjtëruar nga aktivitete argëtimi, ku duhet të harroni detyrat dhe të luani, të çlodheni, të dialogoni dhe bashkëjetoni të gjithë së bashku.
Këto intervale mund të jenë të gjata ose të shkurtra, e rëndësishme është që të gjithë pjesëtarët e familjes t’i shijojnë ato. Mundësitë janë të pafundme: shihni një film, shkoni në park, shkoni me pushime, etj.
- Një familje e lumtur: punoni si skuadër
Kur në një familje janë të pranishme këta elementë: të gjithë anëtarët mund të rriten në mënyrë të shëndetshme, si në nivel fizik, ashtu dhe atë emotiv. Pasqyrimi i kësaj do të shihet në adultë produktivë, me një vetëvlerësim të mirë, siguri në vetvete dhe me shumë gjasa do të kenë një jetë të suksesshme ose një familje të lumtur në të ardhmen.
Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 160
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.