Përgatiti Esmeralda Birçaj, eksperte e shëndetit mendor
Kur vjen koha në jetën tonë që themi “Nuk mund të vazhdoj më kështu, më duhet të ndryshoj”, ne hyjmë në fazën e pranueshmërisë. Kjo do të thotë, se tani jemi gati të dëgjojmë se ka një mënyrë tjetër, dhe një mënyrë tjetër të të menduarit dhe të qenit, e cila është më funksionale për ne.
5 këshillat e mëposhtme mund të na ndihmojnë të ndryshojmë planifikimin dhe qëndrimin tonë ndaj përvojave tona:
1)Ndryshoni përparësitë
Në botën psikike ndryshimi do të thotë pyetje dhe detoksifikim. Prandaj, ne duhet të ripërcaktojmë përparësitë tona. Nëse në të kaluarën ishim të interesuar të pranoheshim, të na pëlqenin, të luanim rolet tona, të njiheshim, të kuptoheshim, të kënaqeshim, të kishim të drejtë ose të bënim atë që donim (ose të mos bëjmë atë që nuk duam), tani të gjitha këto duhet të zënë vendin e dytë. Prioritetet tona të reja do të jenë: të ndihemi të sigurt dhe të qetë dhe të jemi funksionalë dhe të shëndetshëm.
2)Vlera jonë është e mirëqenë
Çështja nëse vlejmë, e meritojmë dhe nëse të tjerët e njohin vlerën tonë, na shqetëson të gjithëve. Kjo është arsyeja pse ne ndjekim njohjen në një mijë e dy mënyra: nga drejtësia që kërkojmë në një debat, tek llojet e ndryshme të diskriminimit. Në realitet, nuk ka asnjë çështje vlere. Natyra nuk ka një kriter të tillë dhe askund nuk ka një masë për të vlerësuar vlerën njerëzore. Koncepti i vlerës është thjesht një ndërtim i imagjinatës dhe një karakteristikë e të gjithë egos. Kërkimi i njohjes ose vëmendjes së të tjerëve në mënyrë që më në fund të ndihemi të rëndësishëm dhe të denjë është një barrë që duhet ta heqim sa më shpejt që të jetë e mundur.
3)Pranimi i vetes
Të pranosh veten do të thotë të pranoj atë që jam tani, së bashku me të gjitha mendimet, shqisat dhe ndjenjat që lindin brenda meje. Vetë-pranimi shpërndan imazhin imagjinar, i cili përbëhet nga mendime si “Sikur të isha ndryshe”. Këto mendime nënkuptojnë refuzimin e vetes dhe për këtë arsye e bëjnë të nevojshme imazhin ideal. Pra, për të shpërndarë imazhin ideal, ne duhet të pranojmë atë që po ndodh brenda nesh në nivelin e mendimeve dhe përvojave të trupit. Dhe për të ditur atë që pranojmë, së pari duhet ta vëzhgojmë atë në momentin që e përjetojmë. Pra, vetëdija dhe pranimi është sekreti për të ndryshuar.
4)Nuk ka më fajtor
Është e rëndësishme të kuptohet se mendja është diçka e programuar. Nëse mendja na shqetëson me mendimet e saj, kjo ndodh sepse është programuar në këtë mënyrë në të kaluarën. Nëse e kuptojmë këtë, ne do të ndalojmë të fajësojmë veten sa herë që shfaqim një simptomë që do të donim të mos vuanim. Autokritika nuk shërben absolutisht për asgjë. Ne nuk mësojmë prej saj, nuk na sjell dobi dhe nuk na ndihmon të ndryshojmë. Pranimi i faktit që askush nuk është fajtor për atë që jemi, na çliron nga faji dhe na ndihmon të ndihemi më pak të papërshtatshëm. Gjithashtu, në këtë mënyrë ne mund t’i kuptojmë dhe pranojmë të tjerët më lehtë.
5)Gjërat e rëndësishme në jetën tonë do t’i gjejmë brenda nesh
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm që duhet të bëjmë është të ndalojmë së kërkuari “atje jashtë” për ato që kemi vendosur si përparësi të reja dhe të fillojmë t’i kërkojmë brenda vetes. Nga “Unë shikoj jashtë vetes (në marrëdhënie, objekte ose përvoja) për një ndjenjë sigurie dhe vlerë” të kalojmë në “Unë do të gjej në veten time atë që më duhet vërtetë sepse gjithçka është tashmë brenda meje”. Nuk është e lehtë, pasi ne duhet të çlirohemi nga shumë zakone dhe të sfidojmë përfundimet që kishim nxjerrë në të kaluarën, por pak nga pak, me përpjekje të vazhdueshme, ne mund ta arrijmë atë. Në të vërtetë, gjithçka që ne kërkojmë në jetën tonë – paqen, sigurinë ekzistenciale, integrimin, funksionalitetin dhe madje edhe shëndetin në pjesën më të madhe – do ta gjejmë brenda vetes. Asnjë ngjarje e jashtme, e mirë materiale ose person nuk mund t’i ofrojë ato tek ne.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.