FB

December 14, 2021 | 9:04

5 mënyra se si festat ndryshojnë trurin tuaj

O i adhurojmë, o i urrejmë: pa dyshim festat nuk kalojnë pa na prekur psikologjikisht. Mes stresit, mbingarkesës së dhuratave dhe vizitave të detyrueshme me familjarët e miqtë, ja se si ndryshojnë neuronet tona…

Jemi sërish në atë moment të vitit: ai i drekave e darkave pa mbarim, i surprizave me të afërmit, i ankthit të përgatitjeve… Cilido qoftë vizioni juaj për festat, nuk ka ngjarje që kalon pa lënë gjurmën e vet. Më poshtë kemi listuar pesë mënyra se si këto festa ndikojnë në trurin tonë.

  1. Shpirti festiv

Euforia dhe gëzimi që shpalosin festat veprojnë në neurotransmetuesit që rregullojnë gjendjen e mirëqenies sonë, si: dopamina dhe serotonina. E para është e përfshirë në qarkun e shpërblimit dhe në kërkimin e stimujve të kënaqshëm; e dyta amplifikon ndjenjat tona të përkatësisë dhe të kujdesit kundrejt gjërave që kanë rëndësi. Veç kësaj, te njerëzit që e festojnë në mënyrë aktive Krishtlindjen dhe Vitin e Ri është vërejtur një rritje e aktivitetit cerebral në zonat e përfshira me spiritualitetin dhe mirënjohjen te ndjenjat dhe shprehitë e fytyrës.

  1. Stresi

Të themi të vërtetën, idili festiv paraprihet gjithmonë nga një vrap i çmendur për të bërë blerje dhe përgatitjet për festat. Këto aktivitete para festave aktivizojnë një përgjigje fiziologjike në organizëm, duke çliruar adrenalinë dhe kortizol. I dyti, hormoni i stresit, kryen një aktivitet të thellë në hipokampus, duke rrezikuar që memoria të përkeqësohet dhe vërehet një aftësi e pakët në multitasking.

  1. Bujaria

Altruizmi i lidhur me të menduarin, blerjen dhe paketimin e dhuratave për të afërmit, shkakton një qark pozitiv që shpërblen mundin, ul stresin dhe ju inkurajon që të bëni akoma më shumë dhurata. Një shpërblim i bukur ndaj shpenzimit të lekëve që keni harxhuar për të blerë një dhuratë.

  1. Familja

Nuk ka Krishtlindje apo Vit të Ri pa një drekë apo një darkë të mbledhur rreth tryezës me familjarët më të afërt. Ajo ndjesi ngrohtësie që lidhet me këto momente, është pjesërisht falë oksitoksinës, hormonit të dashurisë, që rregullon instinktin mëmësor, aftësinë për të forcuar lidhje miqësore dhe familjare dhe që stimulon besimin.

  1. Probleme me stomakun

Ekzagjerimi me ushqimin, në mënyrë tipike gjatë festave të fundvitit, aktivizon një lidhje mes hipotalamit dhe sistemit imunitar. Ajo ndjesia e pakëndshme që ndjejmë pasi kemi ngrënë shumë, është e lidhur me një aktivizim të organizmit që i përgjigjet një gjendjeje të dobët inflamacioni. Nëse ndodh një herë nuk ndodh asgjë, por teprime të vazhdueshme me ushqimin mund ta bëjnë këtë inflamacion kronik dhe mund të çojë në krijimin e diabetit të tipit 2 ose në zhvillimin e sëmundjeve kardiake.

 

 

Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 162

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top