Kaitlyn McQuin, një shkrimtare dhe aktore 28-vjeçare që jeton në New Orleans, tha se gjatë pandemisë po mbante rrethin personave që takonte “shumë të vogël”. Për t’u ndier të sigurt gjatë takimit me dikë, disa biseda, të cilat nuk ishin të nevojshme para pandemisë, tashmë janë të domosdoshme.
“Unë do të doja të dija se sa njerëz kanë takuar, nëse ata kanë vendosur maska dhe nëse kanë pasur simptoma ose kanë qenë të sëmurë, “tha McQuin. “Kjo është një pandemi e frikshme, kështu që nuk shoh ndonjë gjë të keqe të mos dal në takim nëse personi me të cilin po flas nuk i respekton kufijtë personal dhe shëndetësor.”
“Gjithashtu, vendosja e maskës dhe marrja e masave paraprake do të thotë që ju kujdeseni dhe njerëzit që kujdesen janë tërheqës,” tha ajo. “Nëse dikush thotë se nuk merr masa paraprake për të mbrojtur jetën e njerëzve të tjerë, ose se janë të nevojshme, unë do t’u ofroja atyre lamtumirën.”
Pra, cilat lloj pyetjesh, të lidhura me shëndetin, duhet të bëni para se të takoheni personalisht me dikë? Ekspertët ofrojnë këshillat e tyre…
Kur bëhet fjalë për takimin fizik, nuk ka rrezik zero, tha Jenna Macciochi, një imunologe me bazë në Mbretërinë e Bashkuar dhe pedagoge në Universitetin e Sussex.
“Plus, nëse nuk e njihni personin, ekziston rreziku që ata të mos jenë të vërtetë”, tha ajo.
Prapëseprapë, duhet të tregoni kujdes dhe të bëni këto bisedime – mundësisht në video-chat ose përmes një telefonate – përpara se të vendosni takimin.
Kuptohet që këto biseda mund të jenë frikësuese ose të pakëndshme – veçanërisht kur ato bëhen me dikë që thjesht po e njihni. Afrojuni këtyre diskutimeve nga një pikë kureshtje e ndërgjegjshme, në mënyrë që të keni një dialog të ndershëm – por jo armiqësor – për takimin tuaj.
“Bisedat taktike kanë të bëjnë me ndershmërinë,” tha Janet Brito, një psikologe dhe terapiste seksi në Honolulu. “Jini të vetëdijshëm për tonin dhe gjuhën e trupit tuaj për të krijuar një ndjenjë sigurie për takimin tuaj të ardhshëm.” Se si përgjigjet ky person gjatë bisedës mund të hedhë dritë mbi pajtueshmërinë tuaj të mundshme.
“Unë mendoj se është më mirë të takosh dikë që ka pikëpamje të ngjashme me ty për të menaxhuar këtë krizë të shëndetit publik,” tha Brito.
Ja pyetjet që duhet të bëni:
- Si është për ju një takim tipik gjatë pandemisë?
“Kjo do t’ju japë një ide të mirë se cilat janë faktorët e rrezikut të personit – a po punojnë ata nga shtëpia? Apo po shkojnë në një hapësirë, ku rrezikojnë të infektohen? ” tha Dr. Krutika Kuppalli, një mjeke e sëmundjeve infektive dhe nënkryetare e Komitetit Global të Shëndetit IDSA. “Ju gjithashtu mund të zbuloni nëse të dy keni interesa të ngjashme ose të ndryshme, gjë që është e rëndësishme.”
- A keni pasur ndonjë simptomë të COVID-19 gjatë javëve të fundit?
Simptomat nuk janë të kufizuara në – kollë, ethe, dhimbje të fytit ose humbje të shijes ose erës.
“Nëse para takimit të ardhshëm ka shfaqur simptoma, unë rekomandoj që të mos e takoni personalisht derisa ata të jenë testuar dhe konfirmuar që nuk kanë COVID-19”, tha Dr. Vandana A. Patel, pulmonologe dhe këshilluese klinike. “Edhe atëherë, është e rëndësishme të merren masa paraprake – si të vendosni maskë – kur shkoni në një takim.”
- A keni qenë në kontakt të ngushtë me dikë që ka COVID-19?
Ky mund të jetë një mik, anëtar i familjes ose bashkëpunëtor i cili ose ka rezultuar pozitiv për virusin ose ka një rast të dyshuar. Ju gjithashtu mund të pyesni nëse ata kanë qenë në ndonjë situatë kohët e fundit që mund të kenë rritur rrezikun e tyre, si udhëtim apo protest, tha Patel.
- Me kë jetoni?
Do të dëshironit të dinit nëse jeton me prindër ose gjyshër, të cilët mund të jenë në një grup me rrezikshmëri të lartë për shkak të moshës së tyre ose sëmundjeve shëndetësore. Ose ndoshta ata kanë një shok dhome që punon jashtë shtëpisë, i cili gjithashtu mund të rrisë ekspozimin ndaj virusit.
“Kjo do t’ju japë një ide nëse ata kanë një anëtar të moshuar të familjes me një faktor potencial rreziku për zhvillimin e COVID dhe t’ju japin një tregues nëse duhet të jeni më të kujdesshëm me ta,” tha Kuppalli. “Kjo gjithashtu do t’ju tregojë nëse keni nevojë të tregoheni më të kujdesshëm me ta sepse ata janë të rrethuar nga shumë njerëz.”
- A keni takuar apo kaluar kohë me njerëz jashtë familjes?
Nëse po, kjo është mundësi e mirë për të pyetur se cilat masa paraprake ndërmarrin kur shoqërohen me të tjerët. Shihni nëse këto takime u zhvilluan brenda ose jashtë, nëse ishin të mëdha ose të vogla, nëse kanë ndodhur një ose më shumë herë dhe nëse njerëzit kishin vendosur maska dhe kishin respektuar distancën e rekomanduar.
“Sa më shumë njerëz të kenë takuar, aq më i madh është rreziku për të marrë COVID-19,” tha Kuppalli. “Dhe nëse jeni pranë tyre kjo do të rrisë rrezikun tuaj.”
Burimi / https://www.huffpost.com/
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.