Për të luftuar ankthin është thelbësore të ndiqni një stil jetese të shëndetshëm dhe të zbatoni disa strategji, të cilat mund t’jua bëjnë “më të butë” përballjen me shqetësimet e vogla apo të mëdha të jetës së përditshme, si dhe të shihni drejt së ardhmes me besim më të madh.
Gjumi | Flini të paktën 7-8 orë në natë. Ruani ritme të rregullta: zgjohuni dhe shkoni të flini çdo ditë – pak a shumë – në të njëjtën orë. Nëse stresi shqetëson gjumin tuaj, besojini këshillave dhe kurave të mjekut të familjes.
Ushqimi | Hani ushqime të shëndetshme, me vakte të lehta dhe të rregullta. Zgjidhni fruta, perime dhe ushqime të freskëta, të pasura me vitamina dhe mikroushqyes thelbësorë. Evitoni ushqyerjen kur jeni të përfshirë nga nervozizmi. Mos e teproni me ëmbëlsirat dhe ushqimet e tjera jashtë vakteve.
Aktiviteti fizik | Praktikoni rregullisht aktivitet fizik, vetëm ose në shoqëri: do të zbusni tensionin dhe do të shkarkoni nervozizmin. Lëvizja e përditshme shton vetëbesimin dhe favorizon gjumin e natës.
Pijet | Kufizoni ose shmangni konsumin e pijeve të pasura me kafeinë, të cilat mund t’ju nervozojnë dhe mund të përkeqësojnë shqetësimet e gjumit. Kufizoni ose shmangni konsumin e pijeve alkoolike, të cilat janë një urë e rrezikshme drejt ankthit, pasi mund të krijoni varësi prej tyre. Është i këshillueshëm konsumi i kamomilit, çajit dhe qumështit të ngrohtë.
Jeta në ajër të pastër | Qëndroni sa më shumë të jetë e mundur në ajër të pastër, në natyrë. Dilni në natyrë të paktën një herë në javë. Shëtisni, lexoni ose bëni sport në një nga parqet e qytetit. Kjo gjë ju ndihmon të çlodheni.
Jeta shoqërore | Shoqërohuni, krijoni marrëdhënie të reja dhe kujdesuni për njerëzit e dashur. Mundohuni të merrni pjesë në aktivitete dhe projekte të përbashkëta, pasi ju ndihmon të ndiheni më pak të vetmuar dhe të largoni ankthin.
Përgatiti: Manjola EREQI / Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 154
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.