Shpesh e kërkojmë “pasurinë” e jetës në atë që ende nuk kemi: një mundësi më të mirë, më shumë para, një marrëdhënie ideale, një sukses të ardhshëm apo një ndryshim që presim të na bëjë më të lumtur. Por psikologjia pozitive sugjeron se një pjesë e rëndësishme e mirëqenies nuk lidhet vetëm me atë që arrijmë, por edhe me aftësinë për të vënë re, përjetuar dhe vlerësuar atë që tashmë është e pranishme në jetën tonë.

Psikologia amerikane Barbara Fredrickson, përmes teorisë së saj Broaden-and-Build, argumenton se emocionet pozitive si gëzimi, interesi, kënaqësia dhe dashuria zgjerojnë mënyrën se si mendojmë dhe veprojmë. Ato na bëjnë më të hapur ndaj eksplorimit, marrëdhënieve dhe mundësive të reja dhe, me kalimin e kohës, ndihmojnë në ndërtimin e burimeve psikologjike, sociale dhe intelektuale. Me fjalë të tjera, kur mësojmë të shohim të mirën, nuk ndryshon vetëm mënyra si ndihemi – ndryshon edhe mënyra si e lexojmë realitetin.
Dhuratat e jetës shpesh nuk duken si dhurata
Një nga gabimet e zakonshme është të mendojmë se një “dhuratë” duhet të jetë domosdoshmërisht një ngjarje e madhe: një promovim, një udhëtim, një fitore apo një lajm i jashtëzakonshëm. Në realitet, ajo mund të jetë një bisedë e mirë, një mëngjes i qetë, një mik që telefonon, një shëtitje në diell, një mundësi që shfaqet papritur apo thjesht ndjenja se për një moment gjithçka është në vendin e vet. Psikologu Fred B. Bryant, një nga studiuesit kryesorë të konceptit savoring, e përshkruan këtë aftësi si mënyrën se si njerëzit rregullojnë dhe intensifikojnë përvojat pozitive duke u kushtuar vëmendje atyre. Kërkimet mbi savoring e kanë vendosur këtë proces në qendër të studimit të mirëqenies psikologjike. Pra, nuk mjafton që një gjë e mirë të ndodhë. Duhet edhe ta kapim psikologjikisht atë moment. Një person mund të ketë një ditë të bukur dhe ta kalojë duke menduar për problemin e nesërm. Një tjetër mund të ndalet për disa minuta dhe të thotë: “Kjo ishte një ditë e mirë.” Të dy kanë përjetuar të njëjtën ditë, por përvoja psikologjike nuk është e njëjtë.
Mirënjohja e ndryshon fokusin
Një tjetër element i rëndësishëm është mirënjohja. Mirënjohja nuk do të thotë të mohosh problemet apo të bindesh se gjithçka në jetë është perfekte. Përkundrazi, ajo nënkupton aftësinë për të dalluar edhe atë që funksionon, edhe kur një pjesë e jetës është e vështirë. Në një studim të publikuar në International Journal of Aging and Human Development, Bryant dhe kolegët e tij gjetën se reflektimi mbi mësimet e rëndësishme që jep jeta mund të rrisë ndjenjat e mirënjohjes, të cilat më pas lidhen me qëndrime më pozitive ndaj plakjes, kënaqësi më të madhe me jetën, shpresë dhe vetëvlerësim. Kjo tregon diçka të rëndësishme: kur ndalemi për të kuptuar vlerën e asaj që kemi përjetuar, përvoja nuk mbetet thjesht një kujtim – mund të kthehet në burim psikologjik.
Mos prisni që lumturia të vijë vetëm nga e ardhmja
Shpesh jetojmë me formulën: “Do të jem mirë kur…”
Kur të kem më shumë para.
Kur të ndryshojë puna.
Kur të gjej partnerin e duhur.
Kur fëmijët të rriten.
Kur të realizoj atë që kam planifikuar.
Por kjo mënyrë të menduari e zhvendos vazhdimisht mirëqenien në të ardhmen.
Sipas teorisë së Fredrickson, emocionet pozitive mund të zgjerojnë vëmendjen dhe repertorin tonë të mendimit dhe veprimit, duke na bërë më të aftë të shohim mundësi dhe të ndërtojmë burime të qëndrueshme për të ardhmen. Prandaj, të shijosh një moment të mirë nuk është humbje kohe dhe as kënaqësi sipërfaqësore. Mund të jetë pjesë e mënyrës se si ndërtojmë elasticitetin psikologjik.
Si të mësoni t’i “kapni” dhuratat e jetës?
1.Ndaloni përpara se të kaloni te gjëja tjetër.
Kur ndodh diçka e mirë, mos e konsumoni menjëherë duke kaluar te detyra tjetër. Jepini disa sekonda vëmendje.
2.Emërtojeni atë që është e mirë.
Në vend të një mendimi të përgjithshëm si “dita ishte mirë”, pyesni veten: Çfarë konkretisht më bëri mirë sot?
3.Mos e minimizoni të voglën.
Një telefonatë, një kompliment, një kafe me dikë të dashur apo një moment qetësie mund të kenë vlerë psikologjike, edhe nëse nuk duken spektakolare.
4.Mbani një marrëdhënie aktive me mirënjohjen.
Në fund të ditës, kujtoni dy ose tre gjëra konkrete për të cilat jeni mirënjohës. Qëllimi nuk është të krijoni një listë perfekte, por të stërvitni vëmendjen për të dalluar edhe anën pozitive të përvojës.
5.Mos prisni që jeta të bëhet perfekte për ta shijuar.
Mund të ketë probleme dhe, njëkohësisht, mund të ketë edhe momente të bukura. Psikologjia pozitive nuk kërkon të mohojmë të vështirën, por të mos lejojmë që ajo të na verbojnë ndaj çdo gjëje tjetër.
Pasuria që nuk matet me para
Ndoshta “pasuria” më e rëndësishme që mund të fitojmë nga dhuratat e jetës është aftësia për të kuptuar vlerën e tyre.
Një mundësi e re mund të bëhet shpresë.
Një marrëdhënie e mirë mund të bëhet mbështetje.
Një përvojë e vështirë mund të bëhet mësim.
Një moment i bukur mund të bëhet kujtim.
Dhe një ditë e zakonshme mund të bëhet një ditë për të cilën një ditë do të ndiejmë mirënjohje.
Në këtë kuptim, pasuria e jetës nuk gjendet vetëm duke kërkuar më shumë, por edhe duke mësuar të shohim më mirë atë që kemi përpara.
Siç sugjeron kërkimi mbi savoring, aftësia për të vërejtur dhe përjetuar plotësisht përvojat pozitive është një aftësi psikologjike që mund të kultivohet.
Ndoshta pyetja nuk është gjithmonë “Çfarë më mungon?”, por edhe: “Çfarë të mirë po ndodh në jetën time tani dhe a po i jap vetes mundësinë ta përjetoj?”
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

