FB

May 20, 2025 | 11:30

7 këshilla për të kërkuar favore pa u ndjerë në siklet

Nga zgjedhja e momentit të duhur, te kujdesi me tonin e zërit dhe fjalët që përdorni, me një qëndrim të sigurt dhe një komunikim të sinqertë, mund të kërkoni favore pa u ndjerë keq apo me frikën e refuzimit.

miq-toksike

Të kërkosh ndihmë nuk është shenjë dobësie – është pjesë e natyrës sonë njerëzore. Kur komunikojmë me ndershmëri, jo vetëm që rrisim mundësinë për të marrë ndihmë, por forcojmë edhe lidhjet tona me të tjerët. Shumë njerëz ndihen mirë kur ndihmojnë ata që u interesojnë, prandaj mos u druani të kërkoni ndihmë kur keni nevojë. Nëse ju duhet një këshillë, një ndihmë e vogël apo diçka më e madhe, këto 7 këshilla do t’ju ndihmojnë të shpreheni qartë dhe me vetëbesim:

 

1.Zgjidhni personin dhe momentin e duhur

Përpara se të kërkoni një favor, mendoni nëse personi tjetër është i gatshëm dhe në gjendje t’ju ndihmojë. Jo të gjithë kanë kohë ose mundësi për t’u angazhuar. Përcaktoni ata që ju njohin mirë – miq të afërt, familjarë apo kolegë të besuar – dhe vlerësoni nëse është momenti i duhur për t’iu afruar.

Nëse personi është i stresuar ose po kalon vështirësi, është më mirë të prisni. Gjithashtu, përpiquni të kërkoni favorin personalisht – kërkimet tregojnë se komunikimi ballë për ballë është shumë më efektiv sesa një mesazh apo email.

 

2.Jini të qartë dhe specifik

Kur kërkoni ndihmë, shmangni paqartësitë. Shpjegoni saktësisht çfarë keni nevojë dhe pse. Për shembull, në vend që të thoni “A mund të më bësh një nder?”, provoni:

“A mund të më zëvendësosh në takimin e së premtes? Kam një takim personal shumë të rëndësishëm dhe do e vlerësoja shumë ndihmën tënde.”

 

3.Përdorni një ton të sigurt

Mënyra si e shprehni kërkesën ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si do të pritet. Një ton i sigurt tregon respekt për veten dhe për personin tjetër.

Shmangni frazat që ju bëjnë të tingëlloni si fajtor:

“Më fal që po të shqetësoj…”

“A do të mund të më ndihmoje me…?”

Vetëbesimi nuk do të thotë arrogancë, por qartësi dhe respekt në komunikim.

 

4.Shpjegoni qëllimin

Shpjegimi i arsyes së kërkesës suaj krijon më shumë mirëkuptim dhe empati.

Në vend që të thoni:

“A mund të më japësh hua 500 euro?”,

Provoni:

“Kam një pagesë të papritur që nuk e kisha parashikuar. Do të më ndihmonte shumë nëse mund të më japësh hua 500 euro. Do të t’i kthej sapo të paguhem.”

 

5.Bëjeni kërkesën sa më të lehtë

Askush nuk dëshiron të ndjejë barrë apo përgjegjësi të madhe. Ndaj, kur kërkoni një favor, përpiquni ta paraqisni si diçka të thjeshtë dhe të arsyeshme.

Në vend që të thoni:

“A mund të kujdesesh për qenin tim gjithë fundjavën?”,

Provoni:

“Do të më ndihmoje shumë nëse mund ta ushqesh një herë në ditë. Gjithçka tjetër është e rregulluar.”

 

6.Pranoni çdo përgjigje me mirëkuptim

Frika nga një “jo” nuk duhet t’ju pengojë të kërkoni ndihmë. Nëse refuzoheni, mos e merrni personale – ndoshta personi tjetër nuk është në gjendje të ndihmojë në atë moment.

Respektojeni vendimin e tij dhe mos insistoni apo ta bëni të ndihet në faj.

 

7.Tregoni mirënjohje dhe ktheni favorin

Falënderimi i sinqertë është një shenjë respekti dhe vlerësimi. Nëse ju ndihmojnë, tregoni mirënjohje – me një “faleminderit”, një mesazh, një gjest të vogël, apo një ftesë për kafe.

Gjithashtu, bëhuni të gatshëm ta ktheni ndihmën kur të vijë radha juaj.

“Nëse ke ndonjëherë nevojë për diçka, jam këtu për ty.”

Kështu forcohen lidhjet dhe krijohet ndjenja e ndërsjelltë e mbështetjes.

 

Mos lejoni që turpi apo frika t’ju pengojnë të kërkoni ndihmë!

Kërkimi për ndihmë është një akt force dhe vetëdijeje. Herën tjetër që keni nevojë për një favor, gjeni momentin e duhur, kërkojeni me qartësi dhe pranoni përgjigjen me dinjitet e mirënjohje.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top