FB

March 7, 2024 | 6:10

7 marsi, rëndësia e rolit të mësuesit

 

 

7 marsi është një datë e shënuar historike për Shqipërinë. Na përkujton ditën kur në Korçë, nën drejtimin e Pandeli Sotirit u hap Mësonjëtorja Kombëtare Shqipe. Ishte 7 marsi i vitit 1887 kur ky institucion i parë dhe i rëndësishëm arsimor, me karakter kombëtar e laik hapi udhën e dijes në gjuhën shqipe. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare, si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami etj. Për 136 vjet kjo datë kremtohet si festa kombëtare e mësuesit në Shqipëri. Por cila është rëndësia e mësuesit sot? 

mesuesi

 

Mësuesi ka qenë dhe mbetet figura qendrore në shkollë. Ai është vëzhgues, eksplorues, lexues i mirë, tregimtar, është gjithmonë një hap para të tjerëve. Qëllimi kryesor i mësuesit është të krijojë njerëz që janë të aftë të bëjnë gjëra të reja, dhe jo thjesht të përsërisin ato që kanë bërë brezat e kaluar. Puna e mësuesit është përcaktuar si një nga detyrat më të vështira dhe më me përgjegjësi, është një punë që kërkon kohë për të arritur rezultate maksimale, kërkon bashkëpunim me nxënësit, ku angazhimi duhet të jetë sa më i madh për të marrë njohuri dhe dituri. Të jesh mësues ose pedagog, nuk do të thotë vetëm të shpjegosh. Në kohën e sotme ata kryejnë disa role njëkohësisht, atë të një prindi të dytë, mbajnë rregull dhe qetësi e rrisin interesin dhe vëmendjen e nxënësve/studentëve në klasë e auditore.

Mësuesit janë përgjegjës për një shumëllojshmëri vendimesh në klasë, auditor dhe në orën e procesit mësimor. Ata përpiqen të fusin frymën e grupit, të mendimit ndryshe, të hapët dhe kritik edhe se kanë ngarkesën e madhe në punën e tyre për dhënie njohurish, formim dhe edukim në mënyrë të përditshme. Është mëse e ditur që sot shkolla e ka të pamundur që të transmetojë te nxënësit, studentët, kërkuesit e masterave etj., gjithë informacionin i cili prodhohet dhe qarkullon me shpejtësi marramendëse. Nga ana tjetër, problemet, shqetësimet, me të cilat përballet dhe ballafaqohet shoqëria dhe individët si pjesëtarë të saj, janë shumë komplekse dhe të panumërta dhe herë-herë dhe të sofistikuara.

Nisur nga këta faktorë të rëndësishëm (që herë-herë dhe nënvlerësohen), misioni i shkollës sot është kuptimi dhe vlerësimi më se i domosdoshëm për t’i pajisur nxënësit, studentët, kërkuesit e masterave etj., me metodologjinë më efikase për konstatimin e problemeve dhe zgjidhjen e tyre, si dhe të kultivojnë te ata shprehitë e të menduarit sa kritik e krijues. Gjithë teknologjia arsimore (si rezultat i ndryshimeve ekonomiko-shoqërore), sado e vlefshme që është, duhen bërë përpjekje edhe të mëtejshme, të shoqëruara me dije teorike, mendime, propozime dhe angazhime serioze dhe të argumentuara për të bërë më të mirën për të përmbushur sa dhe si duhet kërkesat e kohës në fushën e arsimit dhe sidomos për t’i pajisur nxënësit, studentët dhe kërkuesit e masterave etj., me shprehi dhe vlera qytetarie. 

Është mëse e nevojshme që në një shoqëri demokratike dhe sidomos në institucionet e arsimimit, anëtarët e kësaj shoqërie, duhet që të mendojnë në mënyrë kritike, ndofta dhe ndryshe, të bëhen vetëkorrigjues, të zbulojnë dobësitë e tyre dhe të veprojnë realisht për të korrigjuar gabimet dhe për të kapërcyer pengesat, pse jo dhe për t’ju nënshtruar llogaridhënieve.

 

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top