Këshilla & Arsye

April 20, 2016 | 8:56

8 këshilla për t’i ndihmuar fëmijët në mënyrë konstruktive

T’i ndihmosh fëmijët në detyrat e shtëpisë nuk është një mision i pamundur: mbështesin ekspertët dhe sugjerojnë 8 pista për ta kthyer punën në shtëpi në një moment impenjimi konstruktiv, shumë më tepër sesa një moment i qetë dhe kreativ për të korrigjuar rastet e notave të këqija.

Këshillat e ekspertëve

1.Si të organizohemi

Fillojmë me koordinimin e kohës: Kur t’i vihemi punës? Anna Barracco, psikologe e psikoterapeute në Milano, këshillon një pauzë pas kthimit nga shkolla: “Para moshës 13 vjeç fëmijët kanë nevojë për treçerek ore për të hequr spinën, për të lënë universin shkollor dhe për të hyrë në atë shtëpiak. Bëni një pauzë, luani, merruni me sport… Fjala rregull duhet të jetë: të diskutojmë për diçka tjetër, të bëjmë diçka tjetër. E vështirë për fëmijët të çlirojnë mendjen nëse fillojmë menjëherë me pyetje për shkollën.

Një rregull i mirë: Krijoni një ritual detyrash, një orë dhe një vend të njëjtë për çdo ditë. Dhe me elemente që dhurojnë kënaqësi (një vend i qetë, me një dritë të shpërndarë…). “Përpikmëria e favorizon të nxënit, – thotë Lucia Chiarioni, psikologe e psikoterapeute familjare, – ashtu si kënaqësia josh”.

Po kohëzgjatja? Nuk ka një rregull që nga momenti që sasia e detyrave është e variueshme.

Sidoqoftë, koha ideale e të punuarit, mes 8 dhe 12-vjeçarëve, është nga gjysmë ore e lart. Përndryshe fëmija nuk arrin të përqendrohet. “Nga 8-10 vjeç nuk është e rrallë që fëmija të ketë nevojë për pauza të shkurtra, sidomos nëse është tip krijues dhe ëndërrues”, precizon Chiarioni.

 

2.T’u rrimë mbi kokë, apo jo

Deri në moshën 10-vjeçare, fëmijëve u duhet ndenjur mbi kokë, pasi i rrituri është garanti i organizimit. “Një fëmijë ka nevojë për kohë, për të qenë në gjendje të vetëmenaxhohet në mënyrë korrekte dhe autonome”, shpjegon Chiarioni. I vetëm përpara fletoreve, rrezikon të vonohet mbi një ushtrim, të mos gjejë përqendrimin e nevojshëm për tjetrin më pas…

Pastaj, është e nevojshme që puna e tij të verifikohet prej një të rrituri. “Student, vëlla më i madh ose i afërm… themelore është që të merret me të një njeri tek i cili fëmija ka besim, i aftë për ta mbështetur dhe të ngazëllehet me të”. Ky lloj tutori e siguron dhe i mëson të ketë besim te vetja.

3.Deri në ç’pikë t’i ndihmojmë

Detyra juaj themelore është t’i ndihmoni të organizohen: një fëmijë i organizuar është në përgjithësi një nxënës që shkon mirë në shkollë. Shikoni me të listën e detyrave që ka për të bërë, përcaktoni së bashku kohën dhe metodën e punës. Në fund të të gjithave edhe nëse jeni në shtëpi, merruni me diçka tjetër. Në mbrëmje, verifikoni bashkërisht punën që ka bërë.

“E drejtë është ta shoqërosh fëmijën duke e ndihmuar të bëhet autonom”, këmbëngul Chiarioni. Kijdes! Mos i zgjidhni problemet në vend të tij, por mësojini të bëjë pyetjet e duhura për të avancuar në arsyetim dhe për t’i gjetur vetë zgjidhjet: “Çfarë duhet të bëjmë që ta pjesëtojmë këtë numër me dy? Do ta zgjedhosh këtë folje: a e di se cilit grup i përket?”.

Për momentin, ky procedim e bën të vetëdijshëm për faktin se i zotëron të gjitha mjetet për të zgjidhur çdo problemë, me kënaqësinë më të madhe. Për më gjatë, i lejon të jetë i pavarur e të zhvillojnë një metodë vetjake të të punuarit.

4.Roli juaj në lidhje me profesorët

Prindër të ndryshëm lëkunden mes dy sjelljeve të ndryshme: nga një anë i gjykojnë detyrat e shtëpisë të panevojshme ose shumë të vështira. Nga ana tjetër, e ekzagjerojnë gjithnjë e më shumë duke u shtuar ushtrime mbi ushtrime. Që të dyja variantet pengojnë progresin e fëmijës: i pari sjell mohimin e aftësive të tij dhe e dekurajon përballë përpjekjeve. I dyti e ngarkon me një presion të tepërt dhe favorizon refuzimin e të punuarit.

“Më e mira është të takohen rregullisht mësuesit, – sugjeron Barracco, – të diskutohet me ta për detyrat e shtëpisë, por edhe t’u kërkohen këshilla për të ditur si të ndihmohet fëmija”. Sidoqoftë, roli i gjithsecilit është i domosdoshëm. “Është mirë t’i bëhet e ditur fëmijës se mami dhe babi nuk janë të gjithëfuqishëm”, qartëson eksperti.

Shton Chiarioni: “Të ribësh leksionet në vend të mësuesit, t’i lësh fëmijës të kuptojë se disponon një metodë më efikase… krijon në sytë e tij një konflikt, sensin e mungesës së rregullit, gjëra që e vënë në siklet”.

5.A duhen dhënë disa ushtrime shtesë?

Të propozosh një a dy ushtrime shtesë mund të vlejë nëse doni të siguroheni që fëmija juaj e ka asimiluar leksionin. Por shpjegojani: “Vura re se ky ushtrim të shkaktoi problem gjatë zgjidhjes, a bëjmë edhe një tjetër, në mënyrë që të jesh i sigurt se do mund ta zgjidhësh mirë nesër në klasë?”.

Ka edhe një tjetër mënyrë për ta testuar: propozoni një verifikim praktik. Për shembull, pas një ushtrimi në matematikë vëreni të llogarisë shumën e sasive të përbërësve të një recete në kuzhinë; pas një diktimi hapni një fjalor për të ballafaquar saktësinë drejtshkrimore, por pa tentuar të ndreqni gjithçka me këtë veprim të vetëm. Ta nxisësh më shumë seç duhet një fëmijë, është mënyra më e mirë për ta bezdisur.

 

6.Si të menaxhojmë një krizë

Ndonjëherë vullneti i njërës palë ose tjetrës nuk mjafton dhe momenti i detyrave shndërrohet në një krizë të qarash nga fëmija. Në këtë rast, thotë Chiarioni, “mbyllini fletoret dhe merruni me diçka tjetër… duke paralajmëruar se do t’i riviheni punës pak më vonë ose të nesërmen”. Të inatoseni, rrezikon ta shndërroni ritualin e detyrave në një ritual tensioni.

“Mes jush dhe fëmijës suaj, vënia e ndjenjave në lojë është e gabuar. Ju përpiqeni të vini skolaritetin tuaj përballë atij të fëmijës; ai rrezikon t’iu fajësojë dhe të shkojë të luajë i zhgënjyer”. Zgjidhja: kalojani stafetën dikujt tjetër (xhaxhallait, vëllait apo motrës më të madhe…)

 

7.Kur duhet t’u japim më shumë autonomi?

Dhënia e autonomisë varion sipas fëmijës. Ju takon ju të jeni të vëmendshëm ndaj ritmit të fëmijës suaj, duke shmangur para së gjithash krahasimin me shokët. Dhe duke u përpjekur t’i jepni gjithnjë e më shumë pavarësi në punën e tij. Si? Duke reduktuar progresivisht verifikimin e detyrave nga çdo ditë në një herë në dy ditë, në tri ditë e kështu me radhë.

Nëse fëmija juaj vazhdon të ketë rezultate të mira edhe duke studiuar vetëm, di të bëjë pyetjet e duhura që i lejojnë përparimin në arsyetimin e tij, mbështetja juaj bëhet e tepërt. “Vështrimi juaj mbi punën finale, edhe një herë në javë, mbetet sidoqoftë i nevojshëm deri në 13 vjeç”, precizon Barracco, por në fillim vlen shumë.

Në sintezë, nëse fëmija juaj është ndërgjegjësuar për mekanizmat shkollorë dhe ka fituar autonomi në punë, mund të lironi lakun. Në të kundërt, nëse rebelon duhet të mendoni për një formë tjetër mbështetjeje, për shembull të punuarit në grup, ose të ndiqet nga prindi tjetër apo një vëlla më i madh… Në çdo rast nuk duhet të hiqni dorë kurrë nga roli i edukatorit gjithnjë i kujdesshëm për progresin e fëmijës.

8.Kur të nisim përsëritjen

“Gjithnjë e më shumë prindër perfeksionistë ose të stresuar priren t’u paraprijnë vështirësive të fëmijës së tyre, – konstaton Chiarioni. – T’i bëni apel një profesori që t’i japë leksione ekstra në një lëndë të veçantë është e imagjinueshme, por vetëm pas sinjalizimit të boshllëqeve”. Në rast të kundërt, nëse këmbëngulni pa ndonjë arsye të qartë në përsëritjen e leksioneve, rrezikon të kultivoni pasigurinë te fëmija juaj.

Pasojat? Humbet besimin, rrezikon të ndihet në ankth… dhe bllokohet. Vetëm disa nevoja reale e justifikojnë rikthimin ndaj leksioneve të veçanta ose përsëritjen. Pastaj, në rastet kur është e nevojshme, mos harroni t’i thoni: “Nuk bëhet fjalë për një ndëshkim, por për një ndihmë derisa t’i të ndihesh më mirë në mësim”.

……………..

Fillimi i mbarë, gjysma e punës

“Të rikthehesh në bankat e shkollës me entuziazëm…” E kush nuk ëndërron një jetë të tillë shkollore për fëmijët e vet? Por është e mundur, mjaft të hyhet me këmbën e djathtë.

“Ma, ba, nuk më pëlqen që po rifillon shkolla”. Mund të hasemi me këtë bezdi fëminore. Baza për një rifillim të mbarë është dialogu. Fëmijët mund të motivohen nëse e kuptojnë psenë e gjërave. Refuzimi për të shkuar në shkollë është në përgjithësi një kapriçio, sidomos pas tre muajsh pushime. Atëherë, ja një miniguidë për një rifillim pa probleme.

 

  • Përshtatini ngadalë për ndryshimin

Filloni të ndryshoni ritmet ca nga ca (darka më herët, zgjimi më shpejt)… “Pushimet kanë mbaruar, është mirë t’i ndryshojmë disa zakone…”.

  • Kushtojini kohë

Me siguri e keni filluar me kohë, jeni marrë së bashku me përgatitjen e librave të shkollës. Me siguri keni shkuar bashkë në dyqane për të zgjedhur mjetet shkollore, duke menduar që të jenë funksionale, por edhe në përshtatje me shijet e fëmijëve. Tashmë që ka filluar shkolla, tregojeni kënaqësinë tuaj në momentin kur fëmija rikthehet në shtëpi pas mësimit. Thojini që mezi e keni pritur… duhet të ndodhë kështu për disa kohë deri në kapërcimin e fazës së fillimit…

  • Jepini një domethënie angazhimit të tyre

Për të qenë të motivuar, fëmijët duhet të kuptojnë se nuk shkojnë në shkollë për të kënaqur prindërit, por për të bërë të mundur realizimin e ëndrrave të tyre. “Të pëlqen kompjuteri? Nëse do të mësosh mirë në matematikë do të jesh në gjendje të shpikësh programe”. Flitini bazuar në një logjikë të tillë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top