E gjithë bota përgatitet për të festuar, por çfarë ndodh nëse lidhja jote me nënën nuk është diçka që meriton të festohet? Është e vështirë të përballosh Ditën e Nënës kur ke një nënë toksike. Megjithatë, ka mënyra për të përballuar ato emocione të ngatërruara që shfaqen gjatë kësaj kohe.

Dita e Nënës mund të jetë e dhimbshme për shumë njerëz – disa nuk kanë fëmijë, të tjerë kanë humbur nënat e tyre dashamirëse. Por për vajzat dhe djemtë që nuk janë ndjerë të dashur dhe kanë pasur nëna që kanë qenë burim i vazhdueshëm dhimbjeje, e diela e dytë e majit mund të jetë një kujtesë e një fëmijërie që nuk e duan dhe nuk e kanë merituar. Nëse je lënduar, poshtëruar, injoruar, bërë kurban apo nuk je dashur nga nëna jote, kjo festë mund të të plagosë thellë. Kjo periudhë mund të sjellë në sipërfaqe emocione të ndërlikuara që ndikojnë negativisht në shëndetin tënd emocional.
Përballja me një nënë toksike në Ditën e Nënës mund të jetë veçanërisht e vështirë për shkak të situatave si: ndjesia se duhet t’i blesh një dhuratë perfekte që më në fund do e bëjë të lidhet me ty – vetëm që ajo ta kritikojë ose të lavdërojë dhuratën e një vëllai a motre tjetër, duke injoruar tënden. Mund të përpiqesh të tregosh dashuri dhe mirënjohje, por pa u ndjerë i/e vërtetë ndaj vetes. Imazhet në TV dhe rrjetet sociale me buzëqeshje e lule mund të jenë tepër të vështira për t’u parë. Nëse je vetë nënë, mungesa e saj në këtë ditë të veçantë mund të të prishë edhe momentet me fëmijën tënd. Pyetjet për planet që ke për nënën, apo dëgjimi i të tjerëve që flasin për nënat e tyre, mund të të dëmtojnë emocionalisht. Këto ndjesi mund të nxjerrin në pah kujtime të dhimbshme dhe të të bëjnë të ndihesh ende si fëmijë që përpiqet të fitojë miratimin e një nëne të pamundur për t’u kënaqur. Kjo ndikon te vetëvlerësimi yt.
Në vend që Dita e Nënës të të rrënojë emocionalisht, fokusohemi në si të mbijetojmë – një vit njëherësh. Si të përballesh me Ditën e Nënës kur ke një nënë toksike?
1.Parashiko çfarë mund të të shqetësojë
Mesazhet e urimit nga banka, kolegët që blejnë dhurata, pyetjet e hallës kurioze apo telefonatat provokuese të nënës – të gjitha këto mund të jenë nxitëse. Parashikoji dhe përgatitu me mekanizma të shëndetshëm: bëj një udhëtim të shkurtër me një mik, ec rregullisht, flis me një mik të ngushtë ose terapist, ose fillo një ditar personal.
2.Identifiko dhe menaxho emocionet
Shkruaji ndjenjat që ke dhe përpiqu t’u vësh emër. Kupto pse ndihesh ashtu – a dëshiron ende dashurinë e një nëne abuzive? Apo përpiqesh ende ta kënaqësh? Të kuptuarit e shkakut do të ndihmojë të përpunosh emocionet. Por mos u përhumb duke ripërjetuar skena nga e kaluara.
3.Hiq dorë nga detyrimet
Nuk je i/e detyruar të marrësh pjesë në festime. Nëse nëna jote të ka shkaktuar traumë dhe nuk ka qenë e dashur, është krejt normale dhe e shëndetshme të mos e festosh këtë ditë me të. Edhe nëse ndjen dëshirë të bësh diçka, lejoje veten ta bësh thjesht. Nëse ndihesh i/e shtyrë të bësh gjëra të mëdha, pyet veten pse.
4.Prano humbjen
Është njerëzore të dëshirosh një dashuri që nuk e ke marrë. Lejoje vetveten të pranosh që nuk e ke pasur nënën që ke merituar. Lëre fëmijën e brendshëm të qajë këtë humbje. Mendo edhe çfarë ka humbur ajo duke mos të trajtuar mirë.
5.Vër kufij dhe menaxho pritshmëritë
Nënat e vështira shpesh provokojnë qëllimisht. Mund të të fajësojnë që nuk e viziton, por ti nuk i detyrohesh asgjë – as shpjegim. Nëse zgjedh të shkosh, mbaj pritshmëri të ulëta dhe nëse ajo nis të sillet keq, largoje veten pa skena. Askush, përfshirë nënën, nuk ka të drejtë të të fyejë.
6.Ji nëna e vetvetes
Për të shëruar fëmijën e brendshëm, duhet të kujdesesh për veten. Bli vetes lule, ha një akullore, vizito një muze ose bëj një shëtitje. Vlerëso veten dhe kujto që sjellja e nënës është pasqyrim i karakterit të saj, jo i vlerës sate. Ji krenar për gjithçka ke arritur pavarësisht saj.
7.Qëndro me ata që të bëjnë të lumtur
Kalimi i ditës me dikë që të do ose në një vend ku ndihesh i/e sigurt mund të ndihmojë. Shkëputu nga rrjetet sociale dhe televizioni. Planifiko që këtë ditë ta kalosh me partnerin, një mik, familjar, ose edhe vetëm në natyrë.
8.Fal dhe ec përpara (nëse është e mundur)
Nëse nëna jote ka ndryshuar realisht dhe përpiqet të përmirësojë marrëdhënien, mund të mendosh ta përfshish në një bisedë të ndershme. Nëse është bërë një njeri tjetër, kjo mund të të ndihmojë të mbyllësh një plagë. Ose, përpiqu të punosh me ndjenjat e tua përmes ditarit, terapisë, apo miqve dhe të ecësh përpara.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

