Rritja e rasteve të Covid tregon që Mbretëria e Bashkuar është bërë një nga pikat e nxehta në botë për virusin, pavarësisht se ka një përhapje të shpejtë të vaksinës. Megjithëse 79% e atyre të moshës 12 vjeç e lart janë plotësisht të vaksinuar kundër Covid-19, NHS po paralajmëron se rastet në rritje do të mposhtin shërbimin shëndetësor gjatë dimrit, duke nxitur thirrjet për rikthimin e kufizimeve.
Mbretëria e Bashkuar ka raportuar më shumë se 50,000 infeksione të reja në një ditë për herë të parë që nga bllokimi dhe duket se po lufton veçanërisht kur krahasohet me Evropën Perëndimore. Disa kanë argumentuar se shkalla e vdekjeve në Mbretërinë e Bashkuar është shumë më e ulët se ajo kur ishte kulmi i infeksionit dhe kjo është metrika e vërtetë që ka rëndësi.
Kryeministri Boris Johnson po përballet me thirrje të shumta për të zbatuar “planin B” ose masa më të rrepta për të frenuar virusin përpara muajve të ftohtë. Johnson nuk e ka përjashtuar ende një bllokim dimëror, por tha “ne nuk shohim absolutisht asgjë që të tregojë se kjo është e shkruar”.
Downing Street aktualisht po mbështetet në mbajtjen vullnetare të maskave në zonat me shumë njerëz, skemën e vaksinës përforcuese, testimin dhe prodhimin e dy ilaçeve të reja antivirale për të luftuar Covid-in.
A do jemi në gjendje ta zhdukim ndonjëherë Covid-in?
“Unë besoj se mundësia për çrrënjosjen globale u zhduk shumë herët në pandemi”, shpjegoi Francois Balloux nga Instituti i Gjenetikës UCL, sipas revistës Wired. Ai tha: “Ju mund ta eliminoni atë në nivel lokal, por për sa kohë që ka një fokus diku në botë, qoftë Irani, Afganistani, Somalia, ai do të kthehet. Që nga shkurti 2020, ishte e qartë se eliminimi do të ishte i pamundur.”
Jeremy Farrar, drejtor i Wellcome Trust postoi në gusht se Covid-19 është endemik, që do të thotë se është një virus që do të qarkullojë në mesin e popullatës për një kohë të pacaktuar, pavarësisht nga çdo përpjekje për ta përmbajtur atë. Ky parashikim është bërë më i përhapur muajt e fundit, veçanërisht pasi Zelanda e Re hoqi dorë nga strategjia e saj “Zero-Covid”, kur varianti Delta e goditi në gusht, deri në atë moment ky vend kishte qenë një komb pa viruse për pjesën më të madhe të pandemisë.
Pse Covid-i është kaq i vështirë për t’u çrrënjosur?
Natyra e përhapur e Covid tregon që një sërë variantesh janë përhapur që nga koha kur u zbulua për herë të parë. Mutacionet e shumta zvogëlojnë gjasat e imunitetit të tufës. Popullatat e kafshëve mund të bëhen gjithashtu një vatër për viruset, gjë që e bën edhe më të vështirë zhdukjen e Covid.
Presidenti i Shoqatës së Mikrobiologjisë Klinike dhe Infeksionit, Paul Tambyah tha: “Ne ndoshta nuk kemi alternativë tjetër, veçse të jetojmë me virusin, të mbrojmë të cenuarit dhe të sigurojmë funksionimin normal të sistemit të kujdesit shëndetësor.”
A bëjnë vaksinat kundër Covid ndonjë ndryshim, apo jo?
Profesori i epidemiologjisë së vaksinave në Shkollën e Higjienës dhe Sëmundjeve Tropikale në Londër, Mark Jit tha: “Vaksinat kanë ndryshuar lojën”. Ajo ka reduktuar fatalitetin e sëmundjes edhe pse të gjithë të vaksinuarit mund të preken dhe ta kalojnë atë. Megjithatë, edhe pse të gjithë në Mbretërinë e Bashkuar ishin të vaksinuar, shumë kanë theksuar se derisa vendet më pak të zhvilluara të vaksinohen, Covid-19 do të vazhdojë të jetë vdekjeprurës.
Sipas “Our World in Data”, vetëm 48.3% e popullsisë globale kanë marrë të paktën një dozë të një vaksine kundër Covid. Pa barazinë e vaksinës, Covid ka edhe më shumë gjasa të vazhdojë të ndryshojë dhe të infektojë.
Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus dënoi nacionalizmin e vaksinave midis liderëve botërorë në fillim të këtij viti dhe tha: “Edhe pse ata flasin gjuhën e aksesit të barabartë, disa vende vazhdojnë t’i japin përparësi marrëveshjeve dypalëshe, duke shkuar rreth Covax, duke rritur çmimet dhe duke u përpjekur të hidhen në pjesën e përparme të radhës”. Vetë vendet më pak të zhvilluara ofrojnë një tjetër pengesë. Disa nuk kanë infrastrukturën për të hapur një program vaksinimi masiv.
Vaksina gjithashtu nuk mund të funksionojë vetëm
Jit gjithashtu theksoi se “vaksinat nuk janë perfekte” dhe asnjëra prej tyre nuk ofron mbrojtje 100% – që do të thotë se nevojiten ende kufizime të tjera. “Pa asnjë masë tjetër kontrolli, ne po shohim mbi njëqind njerëz që vdesin dhe dhjetëra mijëra njerëz që infektohen çdo ditë”, vazhdoi ai.
“Gjatë një viti, kjo do të thotë shumë më shumë vdekje sesa shohim zakonisht nga gripi, për shembull. Të kesh kaq shumë transmetim rrit gjithashtu rrezikun e shfaqjes së varianteve të reja”. Prioriteti i vaksinimeve dhe heqja e të gjitha kufizimeve ka qenë një problem edhe jashtë MB. Izraeli përjetoi shkallën më të lartë të infeksionit në shtator, pavarësisht se ishte vendi i parë në botë që vaksinoi plotësisht shumicën e popullsisë kundër Covid. Kombi tani po kërkon të administrojë dozën e tretë dhe të katërt midis të moshuarve. Në të kundërt Singapori është hapur plotësisht dhe po përdor mbikëqyrjen e njerëzve simptomatikë dhe gjurmimin e kontaktit për të mbajtur virusin në gji.
A do të ketë më shumë bllokime?
Jit tha: “Ne të gjithë shpresojmë të mos kthehemi më kurrë në bllokim të plotë. Megjithatë, masa më të buta të kontrollit mund të jenë të përshtatshme, por jo që të prishin masivisht jetën dhe ekonominë tonë.
“Për shembull, detyrimi i mbajtjes së maskës në disa hapësira publike, puna nga shtëpia disa ditë në javë për ata që mund ta bëjnë këtë lehtësisht, duke u vaksinuar plotësisht dhe testimi përpara se të marrim pjesë në një tubim të madh. Masa të tilla të kombinuara me vaksinimin shpresojmë që do ta mbajnë përhapjen e Covid në një nivel të ulët”.
Sa vdekje duhet të presim nga Covid?
Pranimi se Covid-i nuk do të largohet kurrë, do të thotë gjithashtu pranim i një numri të caktuar vdekjesh nga virusi çdo vit.
Farrar vlerësoi se 30,000 vdekje në vit mund të konsideroheshin “të pranueshme”, pasi 29,000 njerëz vdiqën nga gripi në 2018 në MB. Nga ana tjetër, rreth 69,000 vdekje të lidhura me Covid u regjistruan në vitin 2020.
Balloux parashikoi se brenda pak vitesh Covid do të shkaktojë një numër më të ulët vdekjesh se gripi tek popullata e imunizuar. Profesor Jit shpjegoi se Mbretëria e Bashkuar do të duhet të vendosë kur shkalla e vdekjeve është në një nivel të pranueshëm dhe nëse mund të përballemi me ndikimet e Covid-it të gjatë.
Ai tha: “Ne duhet të marrim vendime të vështira për sa raste dhe vdekje duam të shohim çdo vit dhe me çfarë niveli kufizimesh mund të jetojmë në mënyrë që t’i mbajmë ato shifra të ulëta”.
Çfarë do të bëjë MB?
Qeveria ka qenë në mospërputhje me mesazhet e saj të fundit rreth ekzistencës së një “plani B” dhe nëse ai mund të zbatohet së shpejti.
Jit shpjegoi: “Shkenca nuk mund të na thotë se ne ‘duhet’ të bëjmë ndonjë gjë. Nëse do t’i durojmë këto masa për të parandaluar disa nga rastet dhe vdekjet shtesë, varet nga vlerat tona si shoqëri. Në afat të gjatë, ne mund të gjejmë vaksina dhe trajtime edhe më të mira që i bëjnë këto masa të panevojshme. Këto zgjedhje të vështira janë ato që do të thotë të mësosh të jetosh me Covid.”
Burimi / https://www.huffingtonpost.co.uk/
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.