Gjatë muajve të parë të shtatzënisë, prindërit rreken që pasi të mësojnë gjininë, t’ia nisin nga blerja e veshjeve të vogla, përgatitjes së dhomës së gjumit, krevatit e kështu me radhë deri te lodrat. Në këtë angazhim pozitiv, ndërmend heqin ide të tipit se si do të jetë, kujt do t’i ngjajë, sa i gjatë do të jetë?! Te kjo e fundit, askush nuk mund të dalë në një përfundim absolut sepse në të përgjithshmen mendojnë se gjenezën e prindërve do të trashëgojë në fund të fundit. Por, në një manual për rritjen e fëmijëve, prodhuar disa vite më parë nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me organizatën e fëmijëve UNICEF, zbulova këto të dhëna interesante.
Atëherë, bëni llogaritjet e mëposhtme:
Mblidhni gjatësinë e të 2 prindërve në cm dhe pastaj pjesëtojeni me 2:
(gjatësia e babait + gjatësia e nënës) : 2 = gjatësia mesatare e prindërve.
Gjatësisë mesatare të prindërve i shtohen ose i hiqen disa cm, në varësi të seksit të fëmijës, femër apo mashkull.
Për shembull fëmija që do të lindë është mashkull, atëherë:
Gjatësia e përafërt e tij = gjatësia mesatare e prindërve + 6.5 cm.
Megjithatë, gjatësia e tij mund të lëkundet dhe djali në këtë rast mund të jetë më i shkurtër ose më i gjatë nga ky parashikim:
Gjatësia maksimale e djalit = gjatësia e përafërt e tij + 5.5 cm
Gjatësia minimale e djalit = gjatësia e përafërt e tij – 5.5 cm
Nëse fëmija që do të lindë është femër, atëherë:
Gjatësia e përafërt e saj = gjatësia mesatare e prindërve – 6.5 cm,
kurse gjatësia maksimale apo minimale do të jetë:
Gjatësia maksimale e vajzës = gjatësia e përafërt e saj + 5.5 cm
Gjatësia minimale e vajzës = gjatësia e përafërt e saj – 5.5 cm
Përgatiti Orjona Tresa / Burimi: Manuali i rritjes së fëmijës
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.