Marrëdhënie

January 25, 2018 | 11:52

Anisa Zaçe: Nuk është një histori dashurie, është një histori për dashurinë

Nga Anisa Zaçe Psikologe Klinike & Këshillimi

Anisa Zaçe
Psikologe Klinike & Këshillimi

Nuk është një histori dashurie, është një histori për dashurinë.

Nuk kishte të bënte me përrallën e “Jetuan të lumtur përgjithmonë”. Ishte më shumë “Luftuan çdo ditë për lumturinë”. Nuk ndodhi në shikim të parë, nuk ndodhi në përpjekjen e parë, nuk u zgjidh çdo gjë si me magji.

Historitë e dashurisë kanë një fillim, një vazhdim dhe një fund. Janë ato tipiket e Disney. Ka ndonjë pengesë tek-tuk, ama që pas shikimit të parë e deri tek i fundit, ata janë bashkë.

Ndërsa kjo, kjo është një histori për dashurinë. Një histori për atë ndjenjën që i jep oksigjenin shpirtit dhe magjinë, universit. Dashurinë me të gjitha ngjyrat e kaosin që ajo sjell. Sa më e madhe dashuria, sa më e fortë tërheqja magnetike e shpirtrave, aq më shumë përpjekje duhen, aq më shumë këmbëngulje.

1

Një nga ato histori që kërkon një shans të dytë. Edhe unë i dua shanset e dyta.

Shanset e dyta janë praktikisht si mrekullitë. Sa herë ne kërkojmë një mrekulli nga universi, a Zoti, a çdo gjëje që i besojmë, praktikisht po i kërkojmë një shans të dytë, një shans të dytë kur çdo shpresë ka humbur. Një shans të dytë më letër të bardhë ose jo, ndoshta jo për ta nisur nga fillimi, por një shans të dytë për ta provuar sërish, për ta bërë më mirë këtë herë, një shans të dytë për ti qeshur në fytyrë dështimit, një shans të dytë për të shijuar plotësisht.

E di kush është gjëja më e bukur e shanseve të dyta? Ato ekzistojnë!

Çdo lindje dielli është një shans i ri, një mundësi e dytë, e tretë apo e një mundësi e dyqindtë. Kur natyra zgjedh të na japë një shans të ri çdo 24 orë, kush jemi ne që të mos e bëjmë?!

Prandaj unë e dija që nuk do ishte asnjëherë tepër vonë për këtë histori. Sepse nuk është asnjëherë ‘tepër vonë’  për dashurinë. Nuk ka asnjëherë ‘mjaft’ e ‘fund’ për ato histori që nuk ka mbyllur shpirti. Nuk është një histori e thjeshtë dashurie, sepse ju besua kaq shumë dhe u luftua kaq fort në emër të vet ndjenjës e jo thjesht njeriut, në emër të forcës që shumëfishohet në shpirtrat tanë, sa herë bashkojmë duart. Sepse nuk ta dhashë ty një mundësi të dytë, ja dhashë vetes e lumturisë sime, ja dhashë ndjenjës që më ngre kraharorin peshë, ja dhashë një mundësi të dytë, e do jepja edhe një të tretë, edhe një të dyqindtë,  nëse do duhej. Sepse bëhet fjalë për buzëqeshjen time, e nuk ka një limit shansesh për të.

Është  një histori për dashurinë sepse nuk pati rëndësi sa herë të dërgova në djall, prapë erdha e të mora që aty!

E nuk kishte rëndësi sa herë të mbylla derën e zemrës, e sa herë të përzura nga mendja, ti njeh shtegun e shpirtit.

Pavarësisht të gjithë errësirës që herë pas here gjejmë veten,
pavarësisht gjithë dhimbjeve e zhgënjimeve që mban zemra, është një shpirt që ende beson në dashuri, e ende beson në mundësitë e dyta.

Prandaj jemi sot përballë horizontit, krah më krah.
Nuk ka një fund të lumtur kjo histori, ka një përpjekje të vazhdueshme për një përditshmëri të lumtur. Fundi është larg, e me të do merremi kur të na duhet.

Ja, edhe dielli lindi sërish!
E ne do provojmë sërish dhe çdo ditë,
për lumturinë, për njëri-tjetrin, për veten!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top