Në fokus

August 10, 2017 | 8:31

A duhet ta besojmë gjithmonë pasqyrën?

Shqetësimi për pamjen e jashtme është një çështje, e cila na prek të gjithëve. Të stresuarit rreth akneve të adoleshencës, rrathëve poshtë syve apo kileve të shtuara së fundmi, është pjesë e përditshmërisë së çdokujt. Por a ka një limit deri ku duhet të shkojë ky shqetësim? Përgjigjen e kësaj pyetjeje preferoj që ta kthej po me pyetje. Sa herë jeni parë në pasqyrë sot? Sa herë keni dashur të ndryshoni diçka nga ajo që shihni?

1

Dr. Klaudia Stajka, mjeke e përgjithshme, QSUT

Dr. Klaudia Stajka, mjeke e përgjithshme, QSUT

Mos ndoshta pasqyra po ju bëhet një fiksim?

Miti i lashtë lidhur me pasqyrat, duket se ka gjetur shpjegim në kohët moderne. E vogël nuk e kuptoja përse, sa herë më shikonin para pasqyrës, më thoshin se, “pasqyra të çmend”, herë duke qeshur dhe herë nuk e kisha mendjen të kuptoja tonalitetin e zërit të tyre, por tani e kuptoj. Fiksimi për pamjen e jashtme është një çrregullim psikik dhe kjo është e njohur botërisht. Mjekësia nëpër botë e njeh si Body Dismorphic

 

Disorder (BDD), ndërsa te ne përgjithësohet në konceptin Sindroma Dismorfike

Për të qenë e sinqertë, thuajse të gjithë kanë një pjesë të trupit të tyre që nuk e pëlqejnë, një hundë pak e shtrembër, një buzëqeshje jo nga ato që të frymëzojnë të shkruash poezi, sy shumë të mëdhenj apo të vegjël, e megjithatë sido që të jenë këto, në fund të një dite të arrirë ne ndihemi mirë me veten. Personat e prekur nga Body Dismorphic Disorders nuk arrijnë t’i largojnë këto mendime nga koka dhe kjo gjë ndikon drejtpërdrejt në sjelljen dhe ecurinë e ditës së tyre. Ata shohin dhe mendojnë për defekte që janë krejt normale për një sy tjetër apo për defekte që nuk ndodhen fare aty. Ndërhyrjet e vazhdueshme estetike, dietat e panumërta, krahasimi i vetes me trupat nëpër revista, ndërrimi i shpeshtë i rrobave brenda ditës, ndryshimi i shpeshtë i modeleve dhe ngjyrave të flokëve, prekja e vazhdueshme e fytyrës me dorë për të kontrolluar nëse ajo vazhdon të jetë ende e lëmuar si në mëngjes, humbja e një eventi për shkak se nuk ndiheni në formën e duhur janë sjelljet tipike që lënë vend për dyshime. Këto sjellje, të shoqëruara me ndjenja ankthi, stresi, neverie, turpi për veten, bëhen shumë serioze dhe duhen trajtuar nga psikologu ose mjeku psikiatër. Statistikat tregojnë se personat single, të divorcuar apo me lidhje të paqëndrueshme, janë ata që vuajnë më shpesh nga ky çrregullim. Femrat dhe meshkujt janë të rrezikuar njësoj. Po sikur defekti të jetë vërtet i madh? Është një pyetje që pacientët me BDD e bëjnë shpesh. Kur kjo pyetje bëhet vazhdimisht, pavarësisht se personat që e   rrethojnë pacientin në fjalë përpiqen ta bindin për të kundërtën, situata bëhet serioze. Ky i fundit mund t’u nënshtrohet edhe operacioneve plastike të panevojshme dhe përsëri nuk është i kënaqur me veten. Frika për refuzim, e ngulitur në tru dhe zemër, nuk arsyeton! Shqetësimet për pamjen e jashtme në periudhën e adoleshencës janë të justifikueshme. Body Dismorphic Disorders e ka fillesën pikërisht në këtë moshë (16-18 vjeç) dhe kërkon 15 vite që të prezantohet si një çrregullim i mirëfilltë psikik. Diagnoza nuk është e lehtë. Sëmundja manifestohet në mënyrë graduale dhe ka ngjashmëri me çrregullime të tjera të sjelljes. Personat, në përgjithësi, e kanë më të lehtë të takohen me një dermatolog apo një kirurg plastik sesa një psikolog.
Tentojnë të fshehin pasiguritë e tyre, turpërohen nga gjykimi i të tjerëve, janë të paditur për shpjegimet mjekësore dhe refuzojnë të përcaktohen me probleme psikologjike. Për këtë arsye, fiksimi për një parregullsi minimale apo inekzistente fizike, të menduarit për më gjatë se një orë lidhur me të, shqetësimi i referuar prej familjarëve dhe manifestimet klinike të një gjendjeje stresuese, janë elementet që ndërtojnë diagnozën nga mjekët për BDD. Çrregullimet dismorfike mund ta kenë origjinën nga një mutacion gjenetik, niveli i lartë i stresit, dëshira për perfeksion apo nga një fantazmë e së kaluarës (një refuzim, një ofendim publik etj,) dhe në rastin më ekstrem, mund të progresojë deri në vetëvrasje. Por kini parasysh, yjet nuk mund të shkëlqejnë pa pasur errësirën! Në fund të fundit je ti ai që vendos nëse do të luash rolin e viktimës apo të heroit në jetën tënde. Media e quan “Sindroma e imazhit të papëlqyeshëm” dhe jo pak personazhe mediatikë kanë vuajtur nga kjo sindromë. Sigurisht që një pjesë e madhe janë të padeklaruar, por të tjerë, si aktorjaUma Thurman 40 vjeçe, këngëtarja Lily Allen 25 vjeçe, këngëtari Michael Jackson etj., janë raportuar si të diagnostikuar me BDD nga klinikat ku janë trajtuar.

Trajtimi më së shumti lidhet me seanca psikologjike, por ndihma e vetes për veten është thelbësore. Është thelbësore të mësoni të doni veten për atë çfarë jeni dhe tëpranoni pamjen tuaj. “Ekspozimi” është një nga etapat mëtë rëndësishme të terapisë dhe nënkupton përballjen me pasiguritë në publik, pa u munduar t’i maskosh ato (jo make up, jo rroba të gjera, jo flokë përpara fytyrës). Toleranca ndaj jo rehatisë dhe frikës mund të jetë pjesa më e vështirë, por bëhet gjithmonë e më e lehtë me kalimin e kohës. Sekreti i suksesit nuk është mungesa e ndrojtjes, por forca për ta kapërcyer atë!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top