Niveli i lartë i sheqerit në gjak është një simptomë problematike e sëmundjes së diabetit. Kjo gjendje mund t’ju shkaktojë dëmtime të arterieve të syrit, të veshkave, zemrës dhe madje trurit. Nëse vuani nga diabeti sheqeri në gjak është zakonisht më i lartë se normalja.
Të menaxhosh sëmundjen e diabetit është një sfidë e vërtetë, pasi kujdesi duhet të jetë i përditshëm dhe në çdo vakt. Ushqimi i tepërt dhe me shumë sheqer njihet si armiku më i madh i kësaj sëmundje.
Në këtë artikull jepen disa këshilla se çfarë duhet të bëni kur niveli i sheqerit në gjak është i lartë.
A duhet të lini vaktet pa ngrënë
Mjekët rekomandojnë që vaktet të konsumohen gjithnjë strikte dhe të bazuara në një dietë të shëndetshme. Gjithsesi edhe nëse në këto raste niveli i sheqerit në gjak është akoma i lartë kjo nuk do të thotë që ju duhet të lini vaktet pa ngrënë. Në vend që të evitoni ushqimin përpiquni të kuptoni shkaqet që po ju shkaktojnë këtë simptomë. Në shumë raste edhe kur ju evitoni të konsumoni ushqim për të ulur nivelin e sheqerit në gjak kjo mënyrë do t’ju japë efektin e kundërt.
Trupi do të ndihet i uritur dhe nën presion, pra nuk do të ketë një funksionim normal të tij. Gjëja më e mirë që mund të bëni është të shihni me kujdes arsyet që po jua shkaktojnë këtë simptomë.
Shkaqet që ju rrisin sheqerin në gjak
Nëse niveli i sheqerit në gjak është më i lartë se normalja filloni gjithnjë të evitoni shkaqet që po jua shkaktojnë atë. Nëse keni ngrënë ushqime me shumë karbohidrate si patatet apo edhe brumërat atëherë me shumë mundësi ato po ju dëmtojnë. Nëse jeni të sëmurë apo nën efektin e ilaçeve të tjera kjo mund t’ju rrisë nivelin e sheqerit në gjak. Edhe lënia pas dore e ilaçeve apo e ushtrimeve fizike mund të shkaktojë këto simptoma në trupin tuaj.
Çfarë të konsumoni?
Në vend që të evitoni të ngrënën, mundohuni të konsumoni një dietë sa më të balancuar me fruta dhe perime. Konsumoni një sasi të madhe proteine pasi do të stimulojë pankreasin të prodhojë më shumë insulinë. Insulina është hormoni kryesor që ju duhet për të ulur nivelin e sheqerit në gjak.
Dietën tuaj bazojeni në perime dhe kryesisht ato jeshilet si brokoli apo spinaqi, për burime proteine konsumoni shumë mish pule, viçi apo peshk. Balanconi gjithnjë vaktet tuaja dhe kujdesuni të keni një aktivitet sportiv të rregullt për një jetesë sa më të lehte me këtë sëmundje.
Burimi / AgroWeb.org
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.