Posta

October 10, 2016 | 7:50

A duhet t’i shpjegoj vajzës për divorcin e prindërve të mi?

Prindërit e mi janë ndarë prej gati 10 vitesh. Në atë kohë isha vetëm 14 vjeç. Sigurisht që vuajtja ishte prezente, por u përshtata me ndryshimin që familja ime pësoi. Mirëpo ajo që më shqetëson është kjo që po jetoj në këto momente. Jam nënë e një vajze 3-vjeçare dhe historia duket sikur përsëritet. Ajo është në një moshë që kupton dhe ka filluar të pyesë se pse gjyshja e saj nuk jeton me gjyshin, i cili jeton jashtë vendit tashmë. Jo më larg se para disa ditësh e pyeti gjyshen e saj: “Pse ti nëna nuk jeton me gjyshin… apo… Pse t’i nëna nuk vjen me ne të takojmë gjyshin në Itali?”. E ndjej veten të paaftë për t’i shpjeguar situatën. Si duhet të veproj?

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

E dashur mike e revistës, Fëmijëve u duhet thënë gjithmonë e vërteta. Duket sikur sa më shumë i duam njerëzit, aq më tepër priremi të mos ua tregojmë të vërtetën. Më mirë një e vërtetë që vret pak, sesa një gënjeshtër që lëndon për një kohë të gjatë. Sipas teorisë së Piazhe-së, në moshën 3-vjeçare fëmija hyn tek të menduarit paraoperacional (paraveprues). Fillon të ndërtojë mendimet, simbolet, imazhet. Fëmijët i shohin gjërat të ndodhin vetëm në një drejtim dhe janë të përfshirë nga egocentrizmi, të parit e botës sipas këndvështrimit të tyre. Në rastin tuaj, filloni t’i ktheni përgjigje fëmijës suaj, duke i folur me fjali të thjeshta dhe të kuptueshme, por jo për ndjenjat tuaja, sepse ai kupton vetëm të vetat. Filloni duke i treguar se sa shumë i doni prindërit tuaj dhe se kur ishit e vogël, ata vendosën që të jetojnë në shtëpi të ndryshme. Nuk është e nevojshme t’i flisni si u ndjetë, thjesht tregoni veprimet e prindërve tuaj dhe se kjo është arsyeja që ata nuk jetojnë më bashkë. Nëse vendosni t’i flisni, zgjidhni një kohë të qetë dhe pa nxitim. E preferueshme do të ishte një ditë kur keni vendosur të kaloni disa orë me të. Kur të flisni, mos i rrëshqisni bisedës ose të shtireni që kjo situatë nuk e ndryshon jetën e tyre, pasi fëmijët e kuptojnë kur diçka nuk është ashtu siç duhet të jetë. Jeta u ofron atyre mjaft dije. Ata e dallojnë kur ju nuk jeni plotësisht të sinqertë me ta. Do ishte shumë mirë që të flisni edhe me gjyshërit për këtë gjë, që edhe ata t’i shpjegojnë të njëjtën situatë në këndvështrimin e tyre. KUJDES! Mos përdorni zhargonin “ishbashkëshorti” i gjyshes apo e kundërta. Kjo do t’i jepte shumë largësi dhe kuptim negativ bisedës. Fundja, ata janë gjyshërit e vajzës.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top