Editorial

October 9, 2016 | 16:15

Dasma e princit Leka dhe ndotja ideologjike e shoqërisë shqiptare

Nga Enver Bytyçi
Dasma e princit Leka ka nxjerrë në sipërfaqe edhe njëherë mjerimin dhe ndotjen ideologjike që ekziston në shoqërinë tonë. Kanë kaluar 26 vite nga koha kur diktatura komuniste është rrëzuar, por duket se muri ideologjik i kësaj diktature do të rezistojë gjatë.

fb_img_1476027479693

Eventi mbretëror me martesën e pasuesit të familjes mbretërore shqiptare me një vajzë fisnike, e të një familjeje po ashtu fisnike e qytetare, shpalosi sjelljen tonë bazuar në istikamin e formuluar në Kongresin e Përmetit të vitit 1944 ndaj trashëgimisë shtetërore në Shqipëri.
Një valë reagimesh ideologjike, fyerjesh, shpifjesh dhe trillimesh u lëshuan në rrjetet sociale jo vetëm nga qytetarë të thjeshtë, por edhe nga personalitete të politikës e akademikë, jo vetëm nga njerëz të moshave të vjetra me dekoratat e partizanëve në gjoks, por edhe nga të rinj, mesa duket pasues të këtyre veteranëve, jo vetëm nga çobanë malesh me opinga, por edhe nga qytetarë denbabaden me banim në qytete.

fb_img_1476027451915 fb_img_1476027442987 fb_img_1476027399726
Edhe vetë diktatori po të ngrihej e të shkruante, do të ishte rezervuar pak më shumë se një pjesë e madhe e këtyre kritizerëve të sëmurë ideologjikë. Ndoshta nuk do të kishte përdorur epitete dhe krahasime kaq banale sa ndjekësit e tij.
Jemi mësuar tashmë me gjuhën e egër që adresohej e adresohet pa doganë kundër ish-Mbretit Zog dhe familjes së tij. Jemi mësuar me zhargonin propagandistik bazuar në ideologjinë komuniste, sipas të cilit “Ahmet Zogu ishte tradhtar, hajdut i thesarit dhe floririt” dhe përralla të tilla, të thëna e stërthëna në 70 e ca vjet radhazi. Por se kjo sëmundje e njerëzve skizofrenë me mandate deputetësh e diploma akademikësh do të vijonte edhe sot, kur informacioni ka ardhur thuajse i plotë në duart tona, këtë askush nuk e kishte besuar.
Ahmet Zogu dhe familja e tij do të ishin ndër më të respektuarit në një vend të emancipuar e të qyteteruar. Por kjo ende nuk po ndodh në vendin tonë, çka do të thotë se ne vazhdojmë të vuajmë në pelenat e foshnjërisë ideologjike, të imponuar dhe mëkuar me helmin e gjeopolitikës së Lindjes. Kjo nuk po ndodh ndër ne edhe pse në këto 25 vite jemi një vend i lirë, jemi qytetarë të lirë, me mundësi për të marrë e dhënë informacion të pafund, e për identifikimin e asaj që quhet veprimtari shtetërore, shtetformuese e shtetendërtuese në vendin tonë. Ne jemi e duhet të jemi tashmë në gjendje të dimë të bëjmë krahasimin e epokave të ndryshme të qeverisjes në Shqipër, e mbi këtë bazë të ndërtojmë apologjinë e secilit prej atyre që e kanë qeverisur ose e kanë sunduar këtë vend.
Por ne nuk po e bëjmë këtë, sepse ideologjia e së shkuarës na ka errësuar sytë dhe na ka turbulluar mendjen aq shumë, sa para fakteve, shkencës, të dhënave, argumenteve, vendosim gjithnjë interesat ideologjike, edhe pse këto interesa vijnë në kundërshtim me interesat kombëtare të shqiptarëve.
Të urresh një personalitet si Ahmet Zogu në këtë masë, ta shtrish këtë urrejtje deri te brezi i dytë i tij, tek nipi, është më shumë se cinizëm dhe urrejtje. Urrejtjen, cinizmin dhe ligësinë e ushqen dhe e mban gjallë vetëm ideologjia e diktaturave dhe despotëve. Fatkeqësisht ato që u thanë dhe u shkruan me bollëk kundër martesës së Princ Lekës, kundër ish-Mbretit të Shqiptarëve, Ahmet Zogut, kundër familjes se tyre, dëshmojnë se do të na duhet shumë e shumë kohë të zëmë vendin tonë të merituar në familjen e kombeve të qytetëruara.
Nëse do bëhej një dasmë e tillë në familjet e traditës mbretërore në vendet e qytetëruara, pavarësisht modelit republikan të qeverisjes në këto vende, do të kishte një reagim të plotë pozitiv. Ajo dasmë do të shërbente si model, si ngjarje që lidhte të tashmen me të kaluarën, me kulturën, me traditën. Për pasojë, qytetarët e vendeve të civilizuara ndjehen mirë, ndjehen madje krenarë që kanë në mesin e tyre modele, të cilat nuk mund t’i plotësojnë format republikane të qeverisjes. Është fjala për modele të kulturës, të traditës, të civilizimit. Së paku, për një gjë kritikët duhet të binin dakord: Të qëndronin para ekranit, me qëllim që të shihnin modelin e organizimit të një dasme të thjeshtë dhe fisnike. Të krenoheshin se përfaqesues të familjeve më të shquara të traditës në Europë ishin prezentë në këtë dasmë fisnikësh në Shqipëri.
Por reagimi i pashembullt në këtë rast nxori edhe një ves tjetër ideologjik. Ne shqiptarët, të mësuar dhe edukuar nga diktatura, nuk e pranojmë elitën, nuk e pranojmë fisnikërinë, jo se nuk e admirojmë atë, por te fisnikëria dhe elita duam të shkojmë duke eleminuar pikërisht ata që i kanë këto elemente. Ne jetojmë me psikologjinë e barazisë në varfëri materiale e morale, intelektuale dhe akademike, elitare dhe fisnikërore. Këtë lloj barazie shkatërruese e edukoi ideologjia komuniste në gati 50 vite e sot gjendemi ende nën ndikimin e hashashit të ideologjisë komuniste.

fb_img_1476027436603fb_img_1476027382350
Ndaj nuk e duam tjetrin, sepse mendojmë se do ta donim vetveten, duke urryer të tjerët. Ndaj jemi këta që jemi dhe turremi në blogje e rrjetet sociale për të shfryrë mllefe dhe inate ideologjike e politike, të cilat sa më shumë zgjasin, aq më shumë e shkatërrojnë genin tonë dhe të ardhmen kombit tonë.

fb_img_1476027399726 fb_img_1476027115997 fb_img_1476027151282 fb_img_1476027083314 fb_img_1476027102914

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com