Zhurmat nuk janë vetëm të bezdisshme, por edhe të dëmshme për shëndetin dhe ekosistemet. Zhurma e tepërt mund të çojë në sëmundje metabolike, tension të lartë, diabet apo edhe atak në zemër.
Njerëzit i perceptojnë tingujt në mënyra të ndryshme, kjo është krejtësisht normale. Ndërsa festa te fqinji për dikë e kthen natën në ditë, dikush tjetër mund të flejë i patrazuar. Por nëse zhurma e kalon një nivel të caktuar, ajo nuk mund të injorohet më prej askujt. Sepse është gjithashtu e qartë se zhurma e tepërt ndikon dhe dëmton njerëzit, kafshët dhe madje edhe bimët. Një fenomen që po rritet vazhdimisht, në qytetet e mëdha dhe madje edhe në vendet më të lagëta.
12 000 vdekje të parakohshme për shkak të zhurmës
Zhurmat që perceptohen si shqetësuese, si gjatë ditës, ashtu edhe gjatë natës, janë një faktor stresi. Nëse je vazhdimisht në një ambient të zhurmshëm, qoftë nga trafiku, nga treni që kalon, nga njerëzit e ulur në lokalin poshtë apartamentit, apo nga avioni që ngrihet, trupi është nën stres të vazhdueshëm. Vetëm në Evropë, të paktën 20 për qind e popullsisë aktualisht është e ekspozuar ndaj zhurmës së rrugës që mund të jetë e dëmshme për shëndetin e tyre. Zhurma e tepërt mund të çojë në sëmundje metabolike, tension të lartë, diabet apo edhe atak në zemër. 48 000 raste sëmundjesh të zemrës dhe 12 000 vdekje të parakohshme u atribuohen niveleve të larta të vazhdueshme të zhurmës çdo vit.
Të varfërit jetojnë me më shumë zhurmë
Në Hong Kong dhe në qytetet kryesore anembanë botës, grupet e margjinalizuara në veçanti janë më të rrezikuar ndaj ekspozimit të zhurmës ekstreme.
Për Thomas Myck-un, ekspert i zhurmës në Agjencinë Federale të Mjedisit (UBA) në Gjermani, ndotja akustike është ekzemplar i padrejtësisë mjedisore. “Nëse një apartament ose shtëpi është në një rrugë kryesore, qiraja është më e ulët. Kjo do të thotë se njerëzit që nuk kanë shumë të ardhura, jetojnë në rrugë të zhurmshme.”
Kafshët dhe zinxhirët ushqimorë dëmtohen
Nuk është vetëm organizmi i njeriut ai që çorientohet kur ka shumë zhurmë. Studimet kanë zbuluar se të gjitha llojet e kafshëve reagojnë ndaj zhurmës dhe ndonjëherë ndryshojnë sjelljen e tyre.
Duhet të jemi të vetëdijshëm “që çiftëzimi ose riprodhimi prishet, kur prishet lokalizimi i kafshëve grabitqare për shkak të zhurmave. Kjo do të thotë se i gjithë habitati i tyre ndikohet negativisht nga zhurma “, thotë Myck.
Si mund të bien veshët në qetësi?
Sipas një raporti të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNEP), problemi mund të frenohet me më shumë pemë, shkurre dhe gjelbërim në qytete. Ato shpërndajnë dhe mbysin zhurmën duke kontribuar në një klimë dhe peizazh më të mirë të qytetit.
Thomas Myck nuk beson se kjo është shumë e dobishme, “sepse zhurma praktikisht shkon tek pemët. Izolimi i zhurmave është e vetmja zgjidhje efektive.” Nga ana tjetër, ai mendon se është shumë më efektive të reduktohet sa më shumë trafiku në qytete, të vendoset një limit shpejtësie prej 30 km/h, të ketë më shumë transport publik lokal dhe zona me trafik të reduktuar, si dhe mobilitet me rrymë elektrike dhe më shumë rrugë për biçikleta.
Në Francë po testohet aktualisht një kamerë për zhurmën. Pajisja është krijuar për të zbuluar automjete me zhurmë me nivel të paligjshëm. Fokusi nuk është vetëm në metropolet e zhurmshme, por edhe në vendet në natyrë, ku mblidhen zakonisht motoçiklistët. Shkelja e kufijve të zhurmës në të ardhmen do të dënohet me gjobë.
Burimi / DW
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.