FB

July 21, 2025 | 10:30

A e saboton veten gjatë pushimeve?

 

Pushimet nuk sjellin gjithmonë pushimin që presim. Ndonjëherë, këtë e pengojnë faktorë të jashtëm, por shpesh ndodh edhe sepse vetë ne bëjmë gjithçka për të mos u çlodhur. Tingëllon paradoksale? Ndoshta, por është më e zakonshme sesa mendoni.

Pas javësh pune ose studimi, më në fund vjen momenti i shumëpritur i pushimeve. Por sapo fillon kjo periudhë, shfaqen mendime dhe ndjesi që të pengojnë ta shijosh. Dhe, përpara se ta kuptosh, pushimet kanë mbaruar dhe ti ndihesh sikur koha të ka rrëshqitur nga duart. E thënë troç: i ke sabotuar vetë pushimet.

grua-merzitur-plazh

Çfarë është vetë-sabotimi dhe pse ndodh gjatë pushimeve?

Vetë-sabotimi përfshin sjellje, mendime dhe veprime që pengojnë arritjen e qëllimeve tona. Shpesh ndodh në mënyrë të pavetëdijshme, kështu që ne vuajmë pasojat pa e kuptuar burimin. Në kontekstin e pushimeve, vendosim synime që ndryshojnë nga rutina e zakonshme: si të udhëtojmë, të provojmë një hobi të ri, të përfundojmë një projekt personal ose thjesht të pushojmë. Edhe nëse gjatë vitit nuk vetë-sabotohemi, është e mundur që gjatë pushimeve kjo të ndodhë.

Simptomat mund të përfshijnë:

Ankth ose ndjesi që po lëmë detyra pas dore.

Frikë se po humbasim kontrollin.

Mendime të padëshiruara rreth punës, detyrimeve ose afateve.

Mungesë përqendrimi, sidomos kur provojmë diçka të re.

Vështirësi në gjumë për shkak të ankthit.

Irritueshmëri nga mungesa e relaksimit të vërtetë.

Ndjenja faji për “mospunën” kur të tjerët janë aktivë.

Pra, pikërisht ajo që nuk duam gjatë pushimeve, mungesë çlodhjeje, tension, faj.

 

Pse sabotojmë pushimet tona?

Nëse ke përjetuar ndonjë nga simptomat e mësipërme, mund ta gjesh shpjegimin tek një nga këto faktorë:

1.Stresi kronik

Kur stresi është i vazhdueshëm, trupi dhe mendja mësohen me të dhe vazhdojnë të funksionojnë në atë gjendje edhe kur situata nuk e kërkon më. Prandaj, edhe gjatë pushimeve mund të përjetojmë ankth, madje edhe kur gjithçka shkon mirë.

 

2.Stilet e pasigurta të lidhjes

Njerëzit me ndjenja të thella pasigurie shpesh ndihen të varur nga të tjerët apo nga rutina. Pushimet, që sjellin ndarje fizike dhe psikologjike nga kjo rutinë, mund të shkaktojnë shqetësim. Shpesh ndodh që roli ynë në një marrëdhënie është mbrojtës ose kujdestar dhe, kur më në fund kemi kohë për veten, ndjejmë faj.

 

3.Vetëvlerësim dhe vetëefikasitet i ulët

Kur nuk besojmë se meritojmë gjëra të mira, ndjejmë faj kur pushojmë. Ose, kur nuk besojmë se jemi të aftë, shmangim aktivitete të reja, edhe nëse na tërheqin. Kështu e limitojmë veten dhe kënaqësinë që mund të marrim nga një përvojë e re gjatë pushimeve.

 

Si të ndalosh vetë-sabotimin dhe të shijosh pushimet?

Shkaqet e vetë-sabotimit shpesh janë të rrënjosura thellë dhe kërkojnë kohë për t’u kapërcyer. Por disa hapa të thjeshtë mund të ndihmojnë:

Planifiko kohën dhe vendos kufij të shëndetshëm mes punës dhe jetës personale.

Mos merr përsipër më shumë nga sa mund të përballosh.

Kujdesu për veten, dëshirat, interesat dhe projektet e tua kanë rëndësi.

Mos e lër relaksin vetëm për pushime, gjej hapësira të vogla çdo ditë për t’u çlodhur.

Investo kohë në aktivitete të shëndetshme: lexim, ecje, sport, meditimi.

 

Pushimet janë një mundësi për të rikthyer ekuilibrin mes mendjes dhe trupit. Të pushosh nuk do të thotë të mos bësh asgjë, por të bësh diçka që të rikthen energjinë, kuptimin dhe kënaqësinë. Dhe mbi të gjitha, të kujton që je më shumë se thjesht detyrat dhe përgjegjësitë e tua.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top