FB

July 8, 2024 | 7:03

A është agresiviteti karakteristikë e një lideri të fortë?

Që nga vitet ‘80, drejtuesit e biznesit kanë përdorur teste të personalitetit dhe parashikues të sjelljes për të kuptuar më mirë veten dhe pjesëtarët e ekipit të tyre. Thjesht duke kuptuar se si të komunikoni në mënyrë efikase me anëtarët e ekipit të punës mund të rrisë ndjeshëm suksesin e përpjekjeve për të bashkëpunuar dhe të zvogëlojë në minimum konfliktet. Si në çdo fushë të shkencës, informacioni jo i plotë mund të krijojë më shumë probleme se sa zgjidhje.

1

Me pak përjashtime, programet e trajnimit të drejtuesve kanë krijuar shpesh një pamje disi të skajshme të një drejtuesi të suksesshëm: vendimtar, vizionar, i pasionuar dhe shpesh, i paduruar dhe i urryer (edhe pse ndonjëherë kjo përshkruhet si i “drejtpërdrejtë”). Disa nga argumentet pas nocionit se suksesi kërkon një element ‘gërryes’ lindin nga ngatërrimi i termave “agresiv” vs “shumë i sigurt në vete”. Njerëzit që veprojnë në të gjithë sektorët e biznesit duhet energjikisht të ndjekin objektivat e tyre (të sigurt). Por të qenët agresiv nënkupton një qasje të dhunshme ndaj biznesit: duke shtypur konkurrencën, duke shfaqur një ndjekje të vazhdueshme të klientëve, shpesh duke nënvlerësuar dhe në të njëjtën kohë duke u sjellë në mënyrë agresive ndaj punonjësve ose bashkëpunëtorëve.

A është ky një lider i fortë? Jo dhe aq! Shpesh njerëzit, në kohë të ndryshme, shfaqen të paduruar, por sjellja agresive shpesh është shenjë e dobësisë se sa forcës. Një burrë apo grua e dobët duan të duken më të fortë, më të mëdhenj dhe të zgjuar se sa ju mendoni se është. Në përpjekje për të tejkaluar këtë dobësi, përgjigjet ndaj të tjerëve janë të shkurtra ose agresive.

Më poshtë janë disa këshilla se si të silleni në një takim me pjesëtarët e ekipit tuaj…

1.Përcaktoni fazën

Kjo është veçanërisht e rëndësishme nëse takimet e mëparshme nuk kanë qenë pozitive. Bëni të ditur se qëllimi i takimit është produktiviteti dhe bashkëpunimi. Çdokush do të ketë mundësinë të ndajë mendimet e tij dhe të bëjë pyetje. Asnjë koment nuk do të konsiderohet qesharak. Duhet të tregoni respekt për cilindo.

2.Shfaqni sjelljen që ju doni të shihni

Gjatë mbledhjes, stafi do të marrë sinjale nga ju dhe do të kuptojnë shpejt se cilat lloje sjelljesh janë të mirëpritura në mbledhje. Nëse ju tregoheni tolerantë ndaj këndvështrimeve të ndryshme dhe të duruar ndaj punonjësve me më pak përvojë, ata do të bëjnë të njëjtën gjë me ju.

3.Përgjigjuni shpejt nëse ndodh një konflikt gjatë takimit

Mbani mend, një lider i fortë është i sigurt. Duke lejuar punonjësit tuaj të sillen në mënyrë jo korrekte, kjo minon autoritetin tuaj dhe qëllimin e mbledhjes. Përsërisni rëndësinë e të punuarit bashkë dhe gjetjes së zgjidhjeve për kompaninë, departamentit, ekipin tuaj. Në këtë mënyrë, takimet do të bëhen një vend i sigurt për të gjithë punonjësit dhe lindjen e ideve të reja.

4.Analizoni kulturën e korporatës

Nëse kompania juaj duket se mbështet sjelljen agresive midis punonjësve tuaj dhe klientëve, rishikoni vlerat e kompanisë. Bisedoni me drejtuesit më të lartë të korporatës dhe bëni një vlerësim të ndikimit të gjithanshëm të këtyre sjelljeve.

Përfundim: sjellja agresive është kundërproduktive dhe nuk është shenjë e një lideri me besim në vete dhe të sigurt. Lider, ose jo, kjo tregon pasiguri dhe dobësi, ironikisht është e kundërta e asaj që një person kërkon të përcjellë. Për biznesin ky është një problem i vërtetë si për klientët edhe për punonjësit dhe shkakton efekte negative që nuk duhet nënvlerësuar.

Lajmi i mirë: agresiviteti do të zhduket nga kultura e një kompanie vetëm atëherë kur liderët e fortë do të shfaqin respekt ndaj punonjësve të tyre. Me eliminimin e sjelljes agresive e cila prodhon ankth dhe ezauron energjitë, punonjësit do të jenë më produktive dhe do të lindin ide më të mira. Kjo do të përkthehet në një shërbim më të mirë, në një produkt më të mirë dhe përfitime më të mëdha për punonjësit, klientët dhe gjithë aktorët e korporatave.

 

*Terri Bozkaya
Burimi: Forbes/Monitor

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top