FB

September 20, 2025 | 12:30

A i ekspozon konsumimi i tepërt i frutave fëmijët ndaj sheqerit të tepërt? Ja çfarë thotë eksperti!

 

A është i dëmshëm për fëmijët konsumimi i tepërt i frutave? Sipas Nick Fuller, studiues në Universitetin e Sidneit, përgjigjja është, “Jo!”. Sheqernat natyrale që gjenden në fruta nuk janë të dëmshme, përkundrazi, ato ndihmojnë në mbrojtjen kundër mbipeshës dhe diabetit. Problemi, sipas tij, qëndron tek sheqernat e shtuara që fshihen në ushqimet e përpunuara.

femije-fruta

Prej dekadash, mjekët dhe nutricionistët kanë këshilluar që për të pasur një rritje të shëndetshme, fëmijët duhet të ushqehen me një dietë të balancuar dhe të larmishme, e cila përfshin veçanërisht fruta dhe perime. Megjithatë, për shkak të ndikimit të lëvizjes moderne “pa sheqer”, shumë prindër janë bërë të shqetësuar se mos fëmijët e tyre po konsumojnë shumë glukozë përmes frutave.

Nick Fuller, Drejtor i Studimeve Klinike në Departamentin e Endokrinologjisë në Spitalin Mbretëror Prince Alfred, ka hedhur dritë mbi këtë çështje në një artikull të botuar në “The Conversation”, ku ai shpjegon dallimet mes sheqernave dhe demaskon disa mite rreth ushqyerjes së fëmijëve.

 

Sheqernat natyrale kundrejt sheqernave të shtuara

Sipas Fuller, nuk është sheqeri në vetvete që përbën problem, por burimi i tij. Frutat përmbajnë sheqerna natyrale, së bashku me fibra, vitamina dhe minerale që janë të domosdoshme për zhvillimin e fëmijëve. “Banane, manaferra, mandarina, mollë, mango, të gjitha janë të mira për fëmijët”, thekson ai. Frutat janë gjithashtu një burim i shkëlqyer i vitaminave A, C, E, acidit folik, magnezit dhe zinkut.

Në kontrast, sheqernat e shtuara janë sheqerna të rafinuara që shtohen për të përmirësuar shijen e produkteve ushqimore, sidomos në ushqimet dhe pijet e përpunuara, si pije të gazuara, ëmbëlsira të paketuara, snack-e dhe produkte të tjera të gatshme. Këto sheqerna nuk ofrojnë asnjë vlerë ushqyese, vetëm “kalori bosh”.

 

Frutat, pesha trupore dhe rreziku i diabetit

Një tjetër shqetësim i zakonshëm është lidhja e sheqerit me diabetin. Fuller sqaron se nuk ka prova shkencore që sheqeri nga frutat shkakton diabet. Diabeti i tipit 1 është një sëmundje autoimune, që nuk lidhet me ushqimin. Ndërsa diabeti i tipit 2 është më shumë i lidhur me mbipeshën dhe një dietë të pashëndetshme. Në fakt, studimet tregojnë të kundërtën: fëmijët që hanë më shumë fruta kanë më pak yndyrë në bark dhe rrezik më të ulët për të zhvilluar diabetin e tipit 2.

Një studim i vitit 2021 i përmendur nga Fuller tregoi se fëmijët që konsumojnë të paktën 1.5 racione frutash në ditë, kanë një rrezik 36% më të ulët për të zhvilluar diabet, krahasuar me ata që hanë më pak fruta.

 

Kur sheqeri bëhet problem?

Fuller thekson se rreziku i vërtetë vjen nga një dietë e mbushur me ushqime të paketuara, që shpesh zëvendësojnë ushqimet e shëndetshme si frutat, perimet, drithërat dhe proteinat e ligëta. Këto produkte janë të pasura me sheqerna të shtuara dhe të varfra në lëndë ushqyese, dhe për fat të keq janë bërë pjesë e përditshme e dietës së fëmijëve. Ky lloj ushqimi mund të çojë në mungesa ushqimore dhe të dëmtojë zhvillimin fizik dhe mendor të fëmijës.

 

Sa fruta duhet t’u japim fëmijëve?

Fuller këshillon që nuk ka nevojë të kufizohet konsumi i frutave të freskëta. “Jepuni sa të duan, janë ushqim i shëndetshëm, i ngop dhe ul dëshirën për ushqime të pashëndetshme”, thotë ai.

Megjithatë, duhet pasur kujdes me:

Lëngjet e frutave – gjatë përpunimit humbasin shumicën e fibrave.

Frutat e thata – për shkak të përmbajtjes së ulët të ujit, është e lehtë të konsumohen në sasi të mëdha.

Sipas udhëzimeve aktuale:

Fëmijët 1–2 vjeç: gjysmë porcioni në ditë

2–3 vjeç: 1 porcion

4–8 vjeç: 1.5 porcione

9 vjeç e lart: 2 porcione në ditë

Megjithatë, Fuller thekson se këto rekomandime duhet rishikuar, bazuar në provat më të fundit shkencore që mbështesin përfitimet e shumta të konsumimit të frutave.

 

Frutat nuk janë armiku, por një aleat i rëndësishëm për rritjen dhe shëndetin e fëmijëve. Problemi qëndron tek ushqimet e përpunuara dhe sheqernat e shtuara, jo tek natyra.

 

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top