Mesa duket ka diçka rreth zgjimit me rrezet e diellit, cicërimat e zogjve dhe ajrit të ngrohtë që bën që shumë prej nesh të kenë një humor më të mirë. Por pse vërejmë ndryshime të tilla në ndjenjat dhe emocionet tona kur ndryshojnë stinët? Rezulton në fakt se ka arsye shkencore pse jemi më të lumtur gjatë verës, çka do të thotë se moti i ngrohtë dhe humori i mirë nuk janë rastësi. Rrezet e diellit janë jetike për shëndetin dhe lumturinë tonë, dhe kur përdoren siç duhet, përfitimet janë të konsiderueshme.
Përgatiti Alma Marku, psikologe Klinike
Gjatë dekadave të fundit, janë kryer një sasi e konsiderueshme studimesh dhe kërkimesh shkencore për të gjetur lidhjen midis gjendjes atmosferike dhe gatishmërisë personale.
Psikologët janë angazhuar në studime që lidhin me njëra-tjetrën marrëdhënien ndërmjet humorit dhe motit. Schwarz dhe Clore (1983) telefonuan 84 subjekte gjermane në ditët me diell dhe me shi për të pyetur për gjendjen e tyre të menjëhershme (lumturinë momentale) dhe mirëqenien (lumturinë e përgjithshme në jetë). Në ditët me diell, subjektet raportuan nivele më të larta të lumturisë momentale, ndërsa në ditët me shi, gjendja shpirtërore ishte më e ulët. Ky studim sugjeron se lumturia momentale varet nga moti aktual (Tsutsui, 2013).
Të mos harrojmë dhe Çrregullimin Afektiv Sezonal, një lloj depresioni i cili është shumë më i zakonshëm në dimër sesa në verë. Një zgjidhje e pranuar gjerësisht për këtë depresion është ekspozimi më i madh ndaj dritës natyrale (Konnikova, 2013).
Por çfarë i bën temperaturat më të ngrohta, ditët më të gjata kaq të mira për ne? Siç u përmend edhe pak më lart, për këtë rezulton se ka disa arsye reale dhe shkencore përse ne ndihemi më mirë fizikisht dhe shpirtërisht përgjatë muajve të verës. Ekziston një lidhje e pamohueshme mes motit dhe humorit. “Muajt e ngrohtë kanë një tendencë të kenë një ndikim në lumturinë dhe në mirëqenien tonë të përgjithshme”, sipas Helene D. Moore, psikiatre.
Sipas saj, ne mund t’ia atribuojmë humorin tonë të përmirësuar pjesërisht përfitimeve indirekte që vijnë me muajt më të ngrohtë. Për shembull, ne priremi të përfshihemi në më shumë aktivitete që përmirësojnë shëndetin dhe humorin kur është mot i mirë jashtë. Gjithashtu, rrezet e diellit kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në substancat kimike në tru që na bëjnë të ndihemi mirë, sipas Roseann Capanna-Hodgem një eksperte e shëndetit mendor.
Njerëzit ndihen më të lumtur teksa ditët bëhen më të gjata dhe me të ngrohta me afrimin e stinës së verës dhe ndihen më pak të lumtur teksa ditët shkurtohen dhe bëhen më të ftohta. Ata, gjithashtu, raportojnë kënaqësi më të mëdha nga jeta në ditë të zakonshme. Stina më e lumtur, pra, është vera.
Drita, fjalë për fjalë e ndryshon trurin tonë në nivel fiziologjik. Rrezet e diellit ndikojnë në kiminë e trurit që është e lidhur me humorin dhe gjumin. Ekspozimi ndaj dritës së diellit rregullon hormonin e gjumit melatoninë, i cili ndihmon në mbajtjen e normale të ciklit gjumë-zgjim dhe rrit shanset për të bërë një gjumë më të mirë. Rrjedhimisht, një gjumë më i mirë është e barabartë me humor më të mirë. Në të njëjtën kohë, ky ekspozim ndaj dritës, ndihmon në prodhimin e serotoninës, një kimikat i trurit që rregullon humorin dhe na bën të ndihemi mirë.
Një tjetër nga përfitimet e muajve të verës, është pasurimi me vitaminën D, e cila padyshim luan një rol në largimin e depresionit dhe lehtësimin e ankthit. Shumica e njerëzve kanë mungesë të vitaminës D, veçanërisht gjatë muajve të dimrit. Kur kalojmë më shumë kohë jashtë në diell në muajt e verës, kemi një shans më të lartë për të marrë vitaminën D. Dhe ky është një lajm shumë pozitiv për shëndetin tonë fizik dhe mendor.
Moti i ngrohtë ka disa përfitime indirekte shëndetësore, të cilat janë:
– Ne kemi tendencën që gjatë verës të stërvitemi më shumë dhe të ndihemi më të motivuar për të kryer aktivitete të ndryshme sportive, si ecje, çiklizëm, vrap etj. Sipas një studimi shkencor të publikuar në 2018, në Journal of Happiness Studies, u gjet se 10 minuta në ditë aktivitet fizik ose 1 ditë stërvitje në javë mund të bëjë një diferencë në nivelin tonë të lumturisë.
– Kalojmë më shumë kohë në natyrë. Të qëndrosh afër me natyrën, përmirëson mirëqenën dhe shëndetin fizik, mendor dhe shpirtëror. Studimet thonë se të shpenzosh kohë në natyrë, rrit shanset për të përjetuar emocione pozitive. Në të njëjtën kohë, është relaksuese, mund të ulë nivelet e kortizolit që është hormoni i stresit dhe mund të përmirësojë funksionimin e trurit në përgjithësi.
– Bëjmë më shumë pushime dhe udhëtime. Për shumë njerëz, vera është sinonim me ‘pushime’. Për shkak të motit, njerëzit planifikojnë të bëjnë më shumë pushime dhe udhëtime më të gjata. Është ajo periudha e vitit, kur njerëzit priren të thyejnë ciklin e rutinës së tyre dhe të kërkojnë eksperienca të reja duke vizituar qytete të reja.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.