Mjeku i njohur epidemiolog Ilir Alimehmeti thotë se deri më tani nuk ka asnjë arsye që qytetarët shqiptarë të përfshihen nga paniku për përhapjen e variantit të ri të koronavirusit, Omicron, që ka mbërritur edhe në Itali.
Sipas tij, deri më tani nuk ka asnjë të dhënë të sigurt për këtë mutacion, edhe pse thuhet që transmetueshmëria e tij është më e lartë se variantet e tjera në qarkullim.
“Varianti Omicron. E vetmja e dhënë e sigurt deri tani është që nuk ka asnjë të dhënë të sigurt! Deri tani asnjë arsye për panik!”, shkruan Alimehmeti duke vijuar se nga të dhënat në mediat e huaja, dhe Shoqata Mjekësore e Afrikës së Jugut, vendi ku është zbuluar mutacioni, thuhet se ai shkakton simptoma të lehta të sëmundjes.
“Shoqata Mjekësore e Afrikës së Jugut informon se deri tani varianti Omicron shkakton simptoma të lehta!
Shumë zhurmë për asgjë?
Le të presim. Shumë shpejt do ta marrim vesh me siguri.
Viruset evoluojnë natyrisht drejt transmetueshmërisë më të lartë dhe rrezikshmërisë më të ulët”, shkruan Alimehmeti.
Burimi / PanoramaOnline
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.