FB

February 28, 2022 | 8:20

A mund ta kuptojnë fëmijët ndryshimin midis fantazisë dhe realitetit?

Fëmijët e vegjël shpesh zhyten në fantazi dhe për këtë arsye, prindërit, mësuesit, madje edhe studiuesit, i mendojnë si të paaftë për të dalluar realitetin nga jorealiteti. Në fakt, fëmijët përdorin shumë nga të njëjtat shenja si të rriturit për të vendosur nëse diçka është e vërtetë apo jo.

child-with-tablet

Ndërsa fëmijët e vegjël nuk janë në gjendje të dallojnë fantazinë nga realiteti me aq sukses sa të rriturit, ata bëhen më të aftë për ta bërë këtë pasi përparojnë në zhvillim dhe fitojnë më shumë njohuri për botën.

Si ndikon zhvillimi i fëmijëve në të kuptuarit mes fantazisë dhe realitetit?

Rreth moshës dy vjeçare, fëmijët fillojnë të luajnë me fantazitë. Ata besojnë se ka një Santa Claus dhe shpesh bëjnë miq imagjinarë. Megjithatë, nga mosha 3 deri në 10 vjeç, fëmijët gradualisht bëhen më të sofistikuar në aftësinë e tyre për të kuptuar ndryshimin. Për shembull, parashkollorët e rinj priren të besojnë se gjithçka që shohin në TV është e vërtetë, megjithatë nga 5 ose 6 vejç, ata kuptojnë se nëse diçka shkel realitetin fizik, si efektet speciale ose animacioni në programet e tyre të preferuara televizive, nuk është reale. Midis moshës 8 dhe 12 vjeç, ata fokusohen gjithnjë e më shumë në realizëm dhe përpiqen të kuptojnë botën reale përmes lodrave, lojërave dhe argëtimit të tyre. Në fakt, në këtë fazë, fëmijët bëhen kritikë ndaj shfaqjeve televizive që nuk duken realiste.

Çfarë sinjalesh përdorin fëmijët për të dalluar fantazinë nga realiteti?

Hulumtimet kanë treguar se fëmijët dhe të rriturit priren të përdorin metoda të ngjashme për të dalluar fantazinë nga realiteti. Këto metoda dhe sugjerime diskutohen më poshtë.

Vlerësimi i kontekstit

Kur të rriturve u paraqiten informacione të reja, ne gjykojmë vërtetësinë e atij informacioni bazuar në kontekstin në të cilin e gjejmë atë. Për shembull, nëse lexojmë për lajmet në faqen e NASA-s, duhet të jemi më të prirur t’i besojmë. Kështu ndodh edhe me fëmijët.

Njohuri ekzistuese

Një gjë tjetër që bëjnë të rriturit kur ndeshen me informacione të reja është ta krahasojnë atë me njohuritë që kanë. Nëse ajo që dimë i jep mbështetje informacionit të ri, ne do të vendosim se është e besueshme. Hulumtimet që përfshijnë fëmijët midis moshës 5 dhe 8 vjeç, kanë treguar se fëmijët përdorin gjithashtu njohuritë e tyre ekzistuese për të gjykuar besueshmërinë e informacionit të ri. Megjithatë, ndërsa piqen dhe fitojnë më shumë njohuri, fëmijët bëhen më të aftë për të dalluar saktë fantazinë nga realiteti.

Si t’i ndihmojmë fëmijët të dallojnë realitetin nga fantazia?

Fëmijët e dinë se të rriturit janë më të ditur, dhe për këtë arsye ata kanë më shumë gjasa të besojnë informacionin që të rriturit ndajnë me ta, sesa informacionin që vjen nga fëmijët e tjerë. Rrjedhimisht, të rriturit mund të luajnë një rol për të ndihmuar fëmijët të mësojnë të kuptojnë ndryshimin midis fantazisë dhe realitetit. Gjithashtu, programet e edukimit mediatik, kur janë të disponueshme, mund t’i ndihmojnë fëmijët të mësojnë të dallojnë edhe fantazinë nga realiteti. Thënë kështu, nëse fëmija juaj beson në Santa Claus ose Big Bird, nuk ka asnjë arsye për t’i dekurajuar ata. Fëmijët nuk fillojnë të mos u besojnë të rriturve kur mësojnë se këto figura fantazie nuk janë reale. Për më tepër, angazhimi me këto figura u jep fëmijëve mundësinë të zhvillojnë aftësitë e tyre për të dalluar fantazinë nga realiteti. Veç kësaj, në një mënyrë apo tjetër, në kohën kur fëmijët arrijnë adoleshencën e hershme, ata kanë marrë njohuri të mjaftueshme dhe janë pjekur mjaftueshëm, saqë aftësia e tyre për të dalluar të vërtetën nga jo e vërteta është e ngjashme me atë të një të rrituri.

 

Përgatiti K.I / Burimi verywellmind.com

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top