Të jetosh me dikë që do është një nga përvojat më të thella dhe njëkohësisht më sfiduese që mund të përjetojë njeriu. Dashuria është emocioni që na bashkon, por zakonet, pritshmëritë dhe mënyra se si jemi mësuar të jetojmë, janë ato që shpeshherë na vënë në provë.
Kur e takova Benin, ndihesha sikur më në fund e kisha gjetur atë që kërkoja. Martesa jonë, në tetor të vitit 2010, ishte një nga momentet më të bukura të jetës sime. Të gjithë thoshin se më në fund po e ndaja jetën me dikë, në një moshë kur shumë e mendojnë këtë si një ëndërr të largët. Ishim të dy të divorcuar, të pavarur dhe me përvojat tona. E megjithatë, lidhja ishte e menjëhershme, si një harmoni që nuk kërkonte shumë fjalë.
Por jeta në çift nuk është vetëm ndjenjë, është praktikë e përditshme. Kalova në anën tjetër të Londrës, në shtëpinë e Benit, për të nisur një jetë të përbashkët. E mendova me vete: dy njerëz të rritur, të pavarur dhe që e duan njëri-tjetrin, sa e vështirë mund të jetë?
Fjalët kyçe ishin pikërisht këto: dy njerëz të pavarur. Kjo pavarësi ishte dhuratë dhe sfidë në të njëjtën kohë. Unë isha mësuar të jetoj sipas rregullave të mia, në shtëpinë që e kisha krijuar vetë, me ngjyrat që doja, mobiliet që më sillnin kënaqësi, pikturat që e mbushnin hapësirën me jetë. Beni, përkundrazi, kishte shije më të ftohta, dëshironte mure të bardha, mobilie prej druri të thjeshta, pa zbukurime.
Shijet tona përfshinin edhe detajet më të vogla: unë doja një shtrat me kokë krevati, ai preferonte një më të thjeshtë; unë ëndërroja një krevat të madh, ai ngulej tek ai dopio tradicional. E kuptova që për të bashkëjetuar nuk mjafton dashuria, nevojitet kompromis, një fjalë që nganjëherë tingëllon e mërzitshme, por është themeli i një marrëdhënieje të qëndrueshme.
Nga ana tjetër, Jane Gordon, një tjetër grua që rrëfen historinë e saj, kujton se martesa e saj e parë ndodhi kur ishte vetëm 18-vjeçe. Me përvojën dhe kohën, ajo mësoi diçka thelbësore: marrëdhëniet janë si një fushë e përbashkët pune, ku ndryshimi, pranimi dhe mirëkuptimi janë thelbësore për mbijetesë.
Psikoterapistja Paula Hall, autore e njohur në fushën e marrëdhënieve në çift, sugjeron disa mënyra të vlefshme për të ecur përpara në çifte ku diferencat janë të dukshme:
Përballu me problemin, jo me personin. Fokusi duhet të jetë tek çështja që ka nevojë për zgjidhje, jo tek fajësimi i partnerit.
Kujto dashurinë që ju bashkon. Mos u humb në grindje të përditshme për detaje si çorapet e lëna në tokë. Mendja të mos harrojë zemrën.
Gjej arsyen e vërtetë. Mosmarrëveshjet për buxhetin, oraret apo pushimet, zakonisht fshehin ndjenja të paplotësuara, si mungesa e vlerësimit apo kontrolli.
Kërko mundësi të tretë. Nëse ti dëshiron patate të ziera dhe ai të skuqura, pse të mos provoni një alternativë që ju pëlqen të dyve?
Kërkoni ndihmë. Ndonjëherë është e vështirë të shohësh qartë në mes të ndjenjave. Një mik i besuar apo një këshilltar mund të ndihmojë në shikimin e situatës nga një këndvështrim më i qetë.
Llogarit koston. Çdo kompromis ka një çmim – pyet veten nëse ia vlen dhe nëse je gati ta paguash.
Rrini me këmbë në tokë. Jo çdo gjë mund të ndryshohet. Ndonjëherë duhet të pranosh që nuk do ta kthesh partnerin tënd në një “eko-luftëtar”, por ndoshta mund të arrini një marrëveshje që respekton vlerat e të dyve.
Në fund të fundit, dashuria nuk është vetëm ndjesi, është zgjedhje. Është një përpjekje e përditshme për të parë tek tjetri jo vetëm atë që do të ndryshosh, por edhe atë që do të ruash. Dhe, mbi të gjitha, është një akt besimi se edhe përmes ndryshimeve, edhe përmes huqeve të vogla, lidhja mund të rritet, nëse ka vullnet, mirëkuptim dhe zemër të hapur.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.