FB

December 20, 2022 | 8:58

A mund të provohet e të konstatohet e vërteta..? 

 

 

E vërteta përkufizohet përgjithësisht si përputhja e çështjeve me faktet dhe realitetin. E vërteta është një besim i njeriut, që bazohet mbi faktet empirike (e vërejtura), fetare ose shkencore. Ndërsa feja beson të njohë dhe shprehë të vërtetën, filozofia shtron pyetjen nëse kjo është e mundshme. Filozofia kërkon të vërtetën, metafizika merret me natyrën e së vërtetës, arsyeja merret me mbrojtjen e saj, ndërsa epistimologjia merret me njohjen e së vërtetës. 

ilia-larti

Nga Prof.Assoc.proc.Doc.Dr.Ilia S.Larti

 

Ka shumë pohime të ndryshme rreth çështjes se çfarë përbën të vërtetën, si përkufizohet dhe njihet ajo, çfarë roli luan dituria e fituar dhe e zbuluar, dhe nëse e vërteta është e kushtëzuar, përkatëse, qëllimore, apo tërësore. Ana e kundërt e së vërtetës është gënjeshtra apo e rrema  e cila përcaktohet si thënia me qëllim e të pavërtetës. 

Ndershmëria është cilësia njerëzore e marrëdhënies dhe veprimit me çiltërsi, vërtetësi dhe drejtësi në të gjitha pikëpamjet e jetës. Ndershmëria mund të përshkruhet edhe si shmangia e gënjeshtrës, trillimit dhe mashtrimit. Në krahasim me vërtetësinë, emërtimi ndershmëri nënvizon mungesën e shtysave përfituese të gënjeshtrës dhe njëkohësisht lejueshmërinë e paparamenduar të çuarjes në gabim, kjo do të thotë njeriu mund të mbesë i ndershëm, edhe nëse ai i tregon tjetrit të pavërtetën, të cilën ai e beson si të vërtetë. 

f-4

Në pikëpamjen e etikës, ndershmëria zakonisht mendohet cilësi pozitive. Megjithëse në jetën e përditshme shumica e njerëzve i lejon vetvetes gënjeshtra të vogla, duke e menduar ndershmërinë absolute si naivitet ose madje marrëzi. Nderi si kod sjelljeje përcakton detyrat e një individi brenda një grupi shoqëror. Margaret Visser vëren se në një shoqëri të bazuar në nder “një person është ai që është në sytë e njerëzve të tjerë”. Një ”kod nderi”, ndryshon nga një kod ligjor, i përcaktuar gjithashtu shoqërisht dhe i lidhur me drejtësinë, në atë që nderi mbetet i nënkuptuar dhe jo i qartë dhe i objektivizuar. 

Dikush mund të dallojë nderin nga dinjiteti, të cilin Wordsworth e vlerësoi si të matur me ndërgjegjen e një individi  sesa me gjykimin e një komuniteti. Krahasoni gjithashtu konceptin sociologjik të “fytyrës”. 

Nderi ose ndera është ideja e një lidhjeje midis një individi dhe një shoqërie si një cilësi e një personi që është njëkohësisht e mësimdhënie shoqërore dhe etikë personale, që shfaqet si një kod i sjelljes dhe ka elementë të ndryshme si trimëria, kalorësia, ndershmëria dhe dhembshuria. Është një koncept abstrakt që përfshin një cilësi të perceptuar të dinjitetit dhe respektit dhe që ndikon si në pozitën shoqërore ashtu edhe në vetëvlerësimin e një individi ose institucioneve të tilla si familja, shkolla, regjimenti ose kombi. Prandaj, individëve (ose institucioneve) u caktohet vlera dhe shtati bazuar në harmoninë e veprimeve të tyre me një kod specifik nderi dhe kodin moral të shoqërisë në përgjithësi. 

Gënjeshtra (apo rrena gegërisht), është një lloj mashtrimi në trajtën e një të pavërtete të shprehur me qëllim mashtrimin, shpesh me qëllim të mëtejshëm mbajtjen e një sekreti apo namit (famës), apo për të shmangur një ndëshkim. Gënjimi është shprehja e diçkaje kur njeriu e di se është e rremë me qëllim që të pranohet si e vërtetë nga dikush tjetër. Gënjeshtar është njeriu që gënjen, ka gënjyer, apo gënjen vazhdimisht. 

Gënjeshtra zakonisht lidhet me mashtrimin gojor apo komunikimin me shkrim. Forma të tjera të mashtrimit, si maskimi apo falsifikimi, përgjithësisht nuk quhen si gënjeshtra, megjithëse qëllimi kryesor mund të jetë i njëjtë; sidoqoftë, edhe një shprehje e vërtetë mund të quhet gënjeshtër nëse personi që bën këtë shprehje e bën atë të mashtrojë. Në këtë rast, është qëllimi i të qenit i pavërtetë sesa vërtetësia e pohimit vetë që merret parasysh. 

Shpesh njerëzit gënjejnë për të arritur një përparësi apo për të mbuluar një gabim apo një veprim të ndaluar me qëllim shmangien e kritikës apo dënimit. Gënjehet po ashtu edhe nga mirësjellja, turpi, frika, në mbrojtje të personave të tjerë apo për të asgjësuar planet e kundërshtarit. Disa njerëz janë gënjeshtarë patologjikë. 

f-3

Disa filozofë japin disa konkrete në lidhje me të vërtetën   

Problemi i mundësisë dhe i pamundësisë së provimit dhe konstatimit të së vërtetës ka qenë pjesë e një debati gati të përhershëm në filozofi, që nga lashtësia. Pra, disa mbrojnë idenë se nuk mund të gjesh ndonjë kriter të sigurtë për të provuar të vërtetën, ndërsa të tjerë kanë mendime të ndryshme për kriteret konkrete të së vërtetës. Ky material rreth provimit dhe konstatimit të së vërtetës, është pjesë e problemit për kuptimin e së vërtetës dhe problemit se ç’është e vërteta…? 

Në linjën e mbrojtjes së idesë, se nuk mund të gjendet një kriter i sigurtë dhe i besueshëm për të provuar të vërtetën, ishin fillimisht sofistët, në Greqinë e lashtë. Kështu, në dallim nga filozofët e tjerë, para tyre dhe bashkëkohës me ta, sofistët në vend të debateve rreth ideve alternative për natyrën, e orientuan filozofinë drejt problemit të dijes njerëzore. Më konkretisht, u fokusuan në diskutimin për aftësinë dhe mundësinë e mendjes për të zbuluar ndonjë të vërtetë universale. 

Ata shtruan pyetjen: A është dallimi midis grekëve e barbarëve si dallimi midis mjeshtërve dhe skllevërve i bazuar në prova apo i bazuar në paragjykime? Ata mbështetën pozicionin skeptik (dyshues), rreth mundësisë për të arritur ndonjë të vërtetë të qëndrueshme, sipas të cilës shoqëria mund të rregullonte jetën e saj. 

Protagora bëri një hap më konkret në argumentimin e idesë se nuk mund të gjendet një kriter i sigurtë për të provuar të vërtetën. Ai mbrojti idenë e karakterit relativ të dijes, duke formuluar sentencën se “njeriu është masa e sendeve”. Kjo do të thoshte se, çdo dije që arrin njeriu, është e kufizuar nga aftësitë njohësë të tij dhe nga mashtrimet që na bëjnë organet e shqisave. Kufizimi për të, shfaqet te fakti që perceptimet tona janë të ndryshme për njerëz të ndryshëm. Në këtë mënyrë, duke marrë njeriun si masë të sendeve, Protagora konkludoi se, nuk ka asnjë mënyrë apo kriter për të dalluar dukjen nga realiteti. Kjo nënkuptonte idenë se, nuk mund të ndërtosh asnjë dije shkencore, sikurse dhe asnjë dije të vërtetë. Nëse Protagora merr njeriun si masë të sendeve dhe vjen në mohimin e një kriteri të së vërtetës, Gorgiasi mohonte drejtpërsëdrejti ekzistencën e së vërtetës. Për të nuk ka asnjë provë e mundësi për të konstatuar të vërtetën.

Aristoteli bëri një hap të madh cilësor në kuptimin e së vërtetës, duke formuluar tezën se: “E vërteta është në thelb përputhja e idesë me sendin”. Aristoteli mendonte se, mendja e njeriut njeh ato me të cilat përballet, d.m.th sendet dhe objektet. Sipas tij, mendja e njeriut është e aftë të kapë atë që është e përhershme dhe e qëndrueshme brenda sendeve dhe objekteve të ndijuara. Për të, mendja e njeriut nuk zotëron ndonjë ide të vetëlindur, por zotëron një potencial të fuqishëm njohës. 

Kjo hapi një epokë të vërtetë të diskutimit, se në ç’rrugë e me ç’mjet të sigurtë e të besueshëm, mund të provohej e të konstatohej kjo përputhje. Duke përjashtuar periudhën e mesjetës, që e shpjegonte gjithçka me fenë dhe librat e shenjtë, që nisej nga teza bazë se Zoti ka krijuar gjithçka nga asgjëja, duhet thënë se mendimi njerëzor dhe ai filozofik eci në rrugën e gjetjes apo të konfirmimit të kritereve të ndryshme për të vërtetën, rreth të cilave, natyrisht, është zhvilluar e zhvillohet edhe sot një debat filozofik. 

Në këtë kontekst, tërheq vëmendjen mendimi i filozofit të njohur të kohës sonë Karl Poper, i cili në librat e tij “Logjika e zbulimit shkencor” dhe “Dija objektive”, ndalet gjerësisht në problemin e së vërtetës, të koncepteve apo teorive për të vërtetën dhe kriterin e së vërtetës. 

Poperi, në librin e tij “Dija objektive”, pohon se, gabimi i epistemiologjisë tradicionale, që ai e quante një gabim metodologjik, qëndron në synimin këmbëngulës për të vërtetuar teoritë e parashtruara për kontroll empirik d.m.th për të justifikuar pretendimin se ato janë të vërteta. “Unë e shikoja, cilëson ai, se ajo që duhej braktisur, ishte kërkimi i një justifikimi, në kuptimin e një justifikimi të pretendimit, që një teori është e vërtetë. Të gjitha teoritë janë hipoteza, të gjitha mund të shkatërrohen”. 

f-1

Sipas tij, për sa kohë ne do të dështojmë në përpjekjet për t’i hedhur poshtë ato, nuk na mbetet gjë tjetër veçse t’i konsiderojmë, si përkohësisht të konfirmuara ose relativisht të besueshme, apo të pranueshme. Për të vërtetën e arritur me test empirik, arsyeton ai, do të na duhej të kishim bashkësinë e të dhënave të së shkuarës, të tashmes dhe të ardhmes. Do te mjaftonte qoftë një prej këtyre të dhënave, që të binte ndesh me hipotezën në shqyrtim, që të mund të pohonim, se hipoteza jonë nuk qëndron. Në këtë sens konkludohet se, meqenëse një bashkësi e tillë praktikisht nuk merret kurrë, jemi të detyruar të pohojmë se nuk mund të ketë praktikisht një verifikim apo vërtetim të hipotezave, që u nënshtrohen testeve empirike. 

Pra, ashtu si dhe Bertrand Rasell, Poperi, mbron idenë e pamundësisë për të ditur, nëse e kemi arritur ndonjëherë të vërtetën. Sipas Poperit, avantazhi tek ideja e Aristotelit, për përputhjen e idesë me sendin, si thelb i së vërtetës, që ai mendon se e ka pasur më parë Ksenofani, është se ne kërkojmë të vërtetën, por mund të mos e dimë kurrë nëse e kemi gjetur atë. Ne, pohon ai nuk kemi kriter të së vërtetës, por megjithatë, udhëhiqemi nga ideja e së vërtetës, si një parim rregullues. Nuk ka kritere të përgjithshme, me anë të të cilave, ne mund të njohim të vërtetën, me përjashtim të së vërtetës tautologjike. 

Përdorimi i testeve empirike, për të, mund të na sjellin rezultate pozitive, por ato nuk mund t’i marrim si konfirmime përfundimtare të hipotezës apo të teorisë që kontrollojmë. Shumë-shumë mund të pohojmë se këto rezultate e konfirmojnë hipotezën. Me fjalë të tjera, pohon ai, “hipotezat apo teoritë, janë të tilla që, ne shpresojmë që ato të jenë të vërteta (apo të afërta me të vërtetën), dhe se ato tentojnë progresivisht t’i afrohen të vërtetës. E vërteta del kështu, mendon ai, si limit drejt të cilës synojnë hipotezat tona”. 

Por, edhe në këtë rast ngulmon ai, nuk kemi ndonjë mjet logjik identifikimi, që do të na lejonte, që t’i shpallnim këto hipoteza si të vërteta objektive. Ai, për të konkretizuar idenë e tij, i referohet alpinistit, që kërkon të kapë majën e malit më të lartë, në kushtet kur pjesa e tij është e mbushur me re. Ashtu si alpinisti, që kurrë nuk mund të jetë në gjendje të realizojë, se e ka kapur majën më të lartë dhe nëse është ngjitur në të, po ashtu edhe ne kurrë nuk do të arrijmë të marrim vesh, me siguri nëse e kemi arritur të vërtetën që kërkojmë, ndonëse, intuitivisht, mund të krijojmë një ide, por jo të sigurtë për të. 

Pse ndodh kjo sipas Poperit?

Kjo ndodh, sepse për të nuk ka ndonjë mjet të sigurtë që të provojë përputhjen e idesë, hipotezës me sendin, me realitetin; nuk ka, siç pohon ai, një mjet identifikues logjik, që të mund të na lejonte, që në çdo rast konkret, të konkludonim se ka përputhje, pra se hipoteza që kemi përpara, është e vërtetë. Për një gjë ai ishte i bindur dhe i sigurtë, se ne mund të bindemi vetëm për atë që është e gabuar. Kjo për faktin, sipas tij, se kemi një kriter dallues, që është inkoherenca e paqëndrueshmëria. Pra, gabimi ka cilësi dalluese inkoherencën e paqëndrueshmërinë. 

Edhe pse inkoherencën e paqëndrueshmërinë i përdor si masë për të dalluar gabimin, Poperi mendonte se, këto nuk mund të përdoreshin si provë apo kriter për të konstatuar të vërtetën. Koherenca për të, nuk e provon vërtetësinë e dijes. Sipas tij, ky kriter i koherencës relative, mund të përdoret për të zgjedhur midis dy teorive konkurruese. Secila ka mundësi më shumë të jetë e vërtetë, ose e thënë ndryshe, cila prej tyre i afrohet më shumë të vërtetës? Krahasimi, sipas tij, na ndihmon të dallojmë se cila prej tyre është më e qëndrueshme.

 

Disa ide për provimin e së vërtetës 

Në historinë e filozofisë është zhvilluar edhe linja që mendon se mund të gjenden kritere për të provuar të vërtetën. Siç e përmendëm më lart, ideja e Aristotelit për përputhjen e idesë me sendin si thelb, i dijes së vërtetë, ka shërbyer si bazë e asaj se, si mund të provohet e vërteta. Ndërsa për mjetin, rrugën, kriterin e arritjes së kësaj prove, janë hedhur mendime të ndryshme. Ka një larmishmëri mendimesh në këtë linjë, që vjen që nga lashtësia deri më sot. Ne do të evidentojmë disa prej këtyre kritereve apo ideve për kriteret e provimit të së vërtetës.

-Sokrati besonte në arritjen e dijes së vërtetë dhe të qëndrueshme. Ai, si mjet apo rrugë për të provuar të vërtetën, kuptonte praktikimin e rregullit në bashkëbisedim, për të zbuluar kontradiktat në arsyetimet e kundërshtarit dhe për t’i kapërcyer ato. Ai besonte se përmes procesit të dialogut, ku çdo pjesëmarrës sqaron idetë e tij, është rruga që të çon tek konstatimi i së vërtetës. 

-Platoni, duke njohur mendimin e disa filozofëve që pohonin se njerëzimi nuk mund të arrijë një njohje të sigurtë, se njerëz të ndryshëm i perceptojnë ndryshe sendet dhe vetë sendet ndryshojnë, pranonte këtë vështirësi dhe karakteristikë të njohjes shqisore, por ai e shmangu pesimizmin intelektual që u shfaq si mohim i aftësisë njerëzore për të arritur të vërtetën. Këtë e realizoi duke supozuar ekzistencën e një bote të ideve dhe duke e vënë atë në kontrast me botën e sendeve. Sipas tij, në botën e ideve ekzistojnë ide ose forma të cilat zotërojnë qenie të përjetshme dhe në këtë mënyrë japin bazë për njohje. 

-Dekarti mendonte se, ndërsa dëshmitë e lëkundshme të shqisave dhe pasaktësia e imagjinatës të bën konfuz, intuita siguron “atë koncept, i cili ermes një mendjeje të qartë dhe të vëmendshme, të jep sigurinë e plotë”. Sipas tij, intuita është ajo që jep, jo vetëm nocione të qarta, por gjithashtu dhe disa të vërteta rreth realitetit, si për shembull, që unë mendoj, që unë ekzistoj dhe, se një sferë ka një sipërfaqe të vetme. Këto i quan të vërteta thelbësore, të thjeshta e të domosdoshme. Po kështu, për të, intuita bën edhe lidhjen ndërmjet një të vërtete dhe një tjetre. 

Pra, sipas Dekartit, qartësi e mendimit është kriteri i sigurtë për provimin dhe konstatimin e së vërtetës. Për të, një procedurë e qartë dhe sistematike për veprimtarinë e mendjes, është rruga që të ndihmon të provosh të vërtetën. Kur ne studiojmë një objekt, arsyeton ai, analizën tonë duhet ta drejtojmë tek ajo çfarë ne mund të shohim qartë dhe të konkludojmë me siguri. Ai mendonte se njeriu kurrë nuk mund të bëjë dallimin e së vërtetës nga ajo që është e rreme, me supozime, apo me pohime të paqarta e të ngatërruara. Prandaj qartësia e mendimit dhe thjeshtimi i gjërave të çon tek konstatimi i së vërtetës, mendon ai. 

Dekarti pyeste: si e kuptojmë që diçka është e vërtetë? Çfarë kërkohet në një thënie për ta bërë atë të vërtetë dhe të sigurtë? Çfarë e bën të sigurtë thënien “të mendosh do të thotë të ekzistosh”? Unë, përgjigjet Dekarti, arrij në përfundimin se, duhet të supozoj, si një rregull të përgjithshëm se të gjitha gjërat të cilat ne i kuptojmë shumë qarët dhe dukshëm, janë të vërteta. Në këtë shprehje, sqaron ai, fjala e qartë nënkupton diçka që është e pranishme dhe e dukshme për syrin tonë; do të thotë që ato janë krejtësisht të saktë dhe ndryshe nga të gjithë objektet e tjerë dhe brenda tyre të mos ketë asgjë tjetër veç qartësisë. Sipas tij, arsyeja pse thënia “të mendosh, do të thotë të ekzistosh” është e vërtetë, qëndron thjesht në atë se kjo thënie është e qartë dhe e dallueshme në mendjen time. 

f-2

Kuptohet, që një mendim i shprehur qartë të ndihmon të kuptosh përmbajtjen e tij, por qartësia e mendimit nuk mund të jetë një kriter i përgjithshëm. Për më tepër, ka dhe ide apo teori, si teoria kuantike, që janë shumë të vështira për një shumicë të madhe njerëzisht, pra që nuk mund ta kuptojnë e ta kenë të qartë dhe përsëri ajo është një teori e vërtetë. Duke e konstatuar këtë moment, shumë filozofë kanë kërkuar të gjejnë kritere më të sigurtë dhe më të përgjithshëm për të provuar trë vërtetën.

-Pragmatizmi u përpoq të sillte një koncept të ri për kriterin e së vërtetën, për faktin se nuk e kënaqte koncepti i empirizmit, që mendonte, se njohja është pasqyrim i saktë i sendit ose objektit. Ky koncept, mendon Xhejms, pohon që ideja kopjon realitetin, pra është e vërtetë një ide në rast se kopjon me vërtetësi atë që ekziston jashtë saj. Prandaj ajo është e vërtetë, d.m.th, e vërteta është cilësi e idesë. Pra, se e vërteta është cilësia që ka një ide kur kopjon me përpikëri. Kjo do të thotë, arsyeton ai, se e vërteta është në thelb një lidhje inerte e statike. Për pragmatistët, kriter i së vërtetës është dobishmëria. Pra e vërtetë është ajo dije që është e leverdishme dhe mjaft e dobishme për njeriun. Për ta kuptuar këtë, mendonin ata, njeriun duhet ta marrim si një entitet biologjik. Në këtë mënyrë kuptohet se njeriu merret me njohje, se duhet të mbijetojë si qenie njerëzore. “Të menduarit, pohon pragmatisti Djui nuk është një kërkim për të vërtetën, sikur e vërteta të ishte një cilësi statike dhe e përjetshme e gjerave. Te menduarit është akti i përpjekjes për të arritur  një përshtatje midis njeriut dhe mjedisit të tij.” 

-Bernard Rasell, në librin e tij “Një hetim në kuptimin dhe të vërtetën”, përmend katër teori apo koncepte për të vërtetën, për kriterin e së vërtetës. Poperi nga ana e tij i gruponte konceptet për kriterin e së vërtetës në dy grupe kryesore: në grupin e teorive objektiviste dhe në grupin e teorive subjektiviste apo epistemike të së vërtetës. Në analizat që bëjnë ka pika ku janë të një mendimi, por në shumë drejtime kanë mendime të ndryshme. 

 

Evidentimi në mënyrë thelbësore i disa koncepteve për kriterin e së vërtetës 

-Në shkollën pragmatiste është përpunuar edhe një ide apo koncept, sipas të cilës, justifikimi i një teorie apo ideje mund të shërbejë si bazë për ta pranuar atë si një të vërtetë. Kuptohet se këtu kemi të bëjmë me një kriter tërësisht subjektiv, ndërsa e vërteta nuk mund të krijohet nga subjekti. Ajo ka një përmbajtje jashtë subjektit. 

-Ka filozofë që marrin si kriter të së vërtetës koherencën. Kjo do të thotë se janë të vërteta teoritë që kanë një koherencë në paraqitjen e tyre. Sipas këtij kriteri, tipari themelor i të qenit të vërtetë për një teori, është qëndrueshmëria e saj, d.m.th, ekzistenca e një raporti logjik të koherencës midis pjesëve apo ligjeve dhe koncepteve, që përfshihen në atë teori. Qëndrueshmëria apo koherenca e një teorie apo hipoteze, jo domosdoshmërish provon vërtetësinë e saj. Ky kriter i koherencës mund të shërbejë vetëm si një kriter ndihmës që përforcon kriteret e tjetër të së vërtetës. Natyrisht që koherenca ka rëndësi në parashtrimin e një teorie, por ajo nuk mund të konstatojë e të sigurojë se është e vërtetë apo e gabuar teoria e caktuar. 

-Ka filozofë që marrin si kriter të së vërtetës thjeshtësinë e paraqitjes së idesë, teorisë apo mendimit. Sipas këtij koncepti, nëse ideja paraqitet e thjeshtëzuar, kur ajo paraqet lidhje të thjeshta është e vërtetë. Kështu  mendohet, se kur për shpjegimin e një dukurie janë paraqitur disa hipoteza rivale, atëherë pranohet, si një kriter zgjedhjeje midis tyre, ai që bazohet në thjeshtësinë e paraqitjes. Pra, konsiderohet si e pranueshme ajo prej hipotezave konkurruese, që ka një paraqitje më të thjeshtë, kundrejt të tjerave. Në fakt edhe ky kriter nuk mund të jetë i sigurtë, se mund të shprehet thjesht edhe një mendim ose teori tërësisht jo e saktë. 

Edhe Poper mendon se thjeshtësia nuk duhet parë në dukjen e hipotezave, d.m.th, në paraqitjen e tyre më elegante nga pikëpamja matematikore apo më të thjeshtë. Ky kriter i thjeshtësisë, mendon ai, është një problem estetik apo pragmatik, por jo shkencor. ”Njohja shkencore, pohon Poper, ka nevojë për një koncept metodologjik të thjeshtësisë, i cili shtron dy pyetje:

1.A ka ndonjë koncept të thjeshtësisë që të ketë ndonjëfarë rëndësie për logjicienin?

2.A është e mundur të dallohen teoritë që janë logjikisht të barasvlershme në varësi të shkalles së tyre të thjeshtësisë”. 

Sipas Poperit, që ky kriter i thjeshtësisë të jetë i pranueshëm, duhet të lidhet me konceptin e demarkacionit. Nisur nga ky mendim, ai servir dy kritere. Nga kjo pikëpamje, arsyeton Poper, del se, më e thjeshtë është ajo hipotezë që mund të hidhet më lehtë poshtë, që përgënjeshtrohet me lehtësi. Dhe kriteri i dytë pohon ai, është se më e thjeshtë është ajo hipotezë që ka një përmbajtje empirike më të madhe. Pikërisht, këto lloj hipotezash janë më të lehta t’ia nënshtrojmë testeve empirike. Natyrisht që këto kritere nuk mund të mos pranohen për raste të veçanta dhe në vlerën e një kriteri ndihmës. 

-Ka filozofë që i përmbahen mendimit se, e vërtetë është ajo ide apo teori që është probabël. Pra, si kriter i së vërtetës merret probabiliteti. Pra, mendohet, se ka kuptim të flitet për besueshmëri të një hipoteze apo teorie, vetëm kur e vështrojmë atë në raport me një bashkësi të caktuar dijesh të dhëna. Kjo metodë e probabilitetit përdoret në shkencë, por kjo nuk mund të jetë e zbatueshme në të gjitha rastet. Po kështu, ajo nuk provon në mënyrë absolute, nëse dija është e vërtetë plotësisht apo jo. 

Pra, në fushën e caktuar të shkencave, kjo metodë ka dhënë suksese. Kështu Karnap ka sajuar një metodë që lejon të përcaktohet shkalla e konfirmimit të një hipoteze në raport me një bashkësi informatash, për aq sa hipoteza dhe bashkësia e informatave shprehen në të njëjtën gjuhë të formalizuar. Ky koncept kënaq parimet e probabilitetit, prandaj dhe e quante”, probabiliteti logjik ose induktiv”. 

-Ka filozofë që mendojnë se si kriter i së vërtetës mund të shërbejë dhe mbështetja apo krahasimi i dijeve të reja apo teorive me disa teori apo postulate, që janë pranuar më parë si të vërtetë. Pra, pranohen të vërteta ato dije që nuk bien ndesh me teoritë dhe principet e pranuara si të vërteta dhe ato që bien ndesh me to nuk mund të pranohen të vërteta apo të dyshohen si të gabuara. Mbështetja në teori apo postulate të caktuara, shërben të besosh në vërtetësinë e dijes. Por siç pohon Poper, një teori mund të jetë e vërtetë edhe nëse askush nuk e beson atë edhe nëse ne kemi arsye ta pranojmë atë se bazohet në teori të pranuara. Po kështu, një teori tjetër mund të jetë e gabuar megjithëse ne kemi relativisht arsye të mira për të pranuar të vërtetën. Siç shihet, ky kriter ka vlerën e një kriteri jo kryesor, ndihmës, por që nuk mund të jetë i sigurtë. Në rast se praktika nuk e vërteton atë, atëherë ideja është e gabuar. 

-Është e njohur që shpesh, si kriter i drejtësisë së një vendimi e për rrjedhojë i vërtetësisë së tij të merret kriteri i shumicës. Në këtë kuptim pohohet se e vërtetë është ajo që pranon shumica. Edhe ky kriter nuk mund të ketë vlerën e një kriteri të përgjithshëm, sepse mund të ndodhë që dhe një vendim i një shumice të rezultojë i gabuar. 

f

Në përfundim cilësojmë:

Nga ky parashtrim i koncepteve të ndryshëm për kriterin e së vërtetës, mund të kuptohet se në shumicën e rasteve, kriteret e përmendur mund të jenë të vlefshëm në fusha te caktuara, të kenë vlerën e një kriteri të përkohshëm e ndihmës. Ka një mendim të pranuar në mënyrë të gjerë në filozofi, se provimi i së vërtetës mund të bëhet nga një kriter objektiv dhe absolut. Vlera absolute shfaqet në faktin se përtej tij nuk ka kriter tjetër për të provuar të vërtetën.

Në këto cilësi kriter objektiv dhe absolut i së vërtetës shërben praktika. Praktika mundëson të provosh e të bindesh, nëse një ide apo teori përputhet me sendin, me realitetin apo jo. Historia e njerëzimit dhe e njohjes ka provuar se praktika ka shërbyer si kriter  absolut për të provuar vërtetësinë e dijeve dhe teorive të formuluara. Kjo i ka dhënë siguri jetës dhe veprimtarisë së njeriut. Natyrisht, në këtë rol, si kriter i së vërtetës, praktika, nuk vepron si një aparat që të tregon automatikisht të vërtetën apo përputhjen e idesë me sendin. Është mendimi se, është arsyeja ajo që e dallon, e konstaton, përmes praktikës, vërtetësinë e dijes. 

E vërteta dhe argumentimi janë të lidhur ngushtësisht mes tyre. Nëse praktika mundëson të provohet e vërteta, argumentimi mundëson të konstatohet e vërteta, të njihet, të bëhet e vërtetë për ne. Argumentimi është një proces mendor që mbështetet në fakte dhe analiza të tyre, të rrethanave të caktuara dhe duke ndjekur rregullat e arsyetimit korrekt logjik, bën të mundur të konstatohet nëse dija është e vërtetë apo jo. Ky proces argumentimi edhe pse realizohet, duke sjelle fakte, nuk e shton përmbajtjen e së vërtetës, nuk mund ta ndryshojë atë, por vetëm mund ta konstatojë. 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top