Një nga mënyrat më të mira për të demonstruar përgjigjen e kësaj pyetje, është të njihemi konkretisht me çrregullimin e simptomave somatike. Për të filluar njohjen me disa prej këtyre çrregullimeve, theksojmë se truri i njeriut, është komandanti i cili ka pushtetin absolut që nëpërmjet vendimeve që merr, komandon, drejton, urdhëron ose anulon të gjitha reagimet tona. Këtu përfshihen reagimet sjellore që duken, si dhe ato fiziologjike që nuk duken.
Shembull: truri nëpërmjet procesit njohës, merr vendim që ne të vrapojmë para një rreziku që na kanoset, gjithashtu në të njëjtën kohë, vendos që gjëndrat mbiveshkore të çlirojnë adrenalinë si reagim ndihmues fiziologjik. Gjatë punës jetike që bën truri, vazhdimisht ndërhyjnë faktorë të ndryshëm, të cilët ndikojnë në cilësinë e punës që ai bën dhe në rracionalitetin e vendimeve që merr. Në varësi të faktorit që ndërhyn në punën e trurit, dimë se disa faktorë mund t’ia lehtësojnë punën atij, e disa të tjerë mund t’ia vështirësojnë, duke shkaktuar edhe pasoja të ndryshme, në këtë rast perceptim i dhimbjes trupore.
Një karakteristikë dalluese e shumë individëve me çrregullim të simptomave somatike, nuk janë vetë simptomat, por përkundrazi mënyra e paraqitjes dhe interpretimit të tyre. ‘(APA, 2013)
Çrregullimi i simptomave somatike karakterizohet nga shenja të ndryshme fizike që nuk janë të justifikuara apo të shpjeguara mbi bazën e ekzaminimit mjekësor laboratorik. Kjo do të thotë që, klinikisht pacienti mund të ketë problematika të cilat i ankon, por nëse shikohet nga mjeku që të përcaktohet një diagnozë e mirëfilltë organike, mjekësisht nuk justifikohen simptomat dhe ankesat trupore.
Në këtë rast, me shumë gjasë, personi pa e kuptuar po përpëlitet me një vuajtje emocionale që sistemi nervor duke imituar ia reflekton si vuajtje fizike. Po ashtu një situatë tjetër e shpeshhasur, është rasti kur mendimet, besimi dhe bindja e personit sajojnë një sëmundje jo reale, ndaj të cilës personi investohet me shqetësim tepër të madh dhe të pabazë njëkohësisht.
Më poshtë paraqiten disa nga llojet kryesore të çrregullimit të simptomave somatike:
Çrregullimi i simptomës somatike
Në ketë rast kemi të bëjmë me një ose më shumë simptoma somatike që janë shqetësuese dhe rezultojnë me prishje të konsiderueshme të jetës së përditshme të personit. Personi shfaq vazhdimisht mendime, ndjenja ose sjellje të tepërta që lidhen me simptomat somatike ose shqetësimet e lidhura me shëndetin, siç manifestohet nga të paktën një nga këto reagime:
a.Mendime joproporcionale dhe këmbëngulëse për seriozitetin e simptomave.
b.Nivel i vazhdueshëm dhe tepër i lartë i ankthit në lidhje me shëndetin ose simptomat fizike.
c.Koha dhe energjia e tepërt nga personi kushtuar këtyre simptomave ose shqetësimeve shëndetësore.
Çrregullimi i ankthit nga sëmundja
Hipokondria është preokupim i vazhdueshëm dhe frikë e madhe e pabazë se vetë personi vuan nga një sëmundje serioze e rrezikshme. Bazohet në keqinterpretime të simptomave të parëndësishme trupore, ose ekzagjerim i funksioneve normale që bën trupi gjatë punës së tij. Personi reagon me shqetësim të madh ndaj ankesave të shumta trupore që në të vërtetë ndodhen vetëm në mendimet e tij, megjithatë personi është i bindur që ka një sëmundje që nuk po zbulohet dot nga mjekët. Si pasojë, personi shkon nga njëri mjek tek tjetri, nga laboratori në laborator, ku edhe pse të gjitha analizat i dalin shumë mirë, përsëri personi vazhdon t’i nënshtrohet me qindra ekzaminimeve të tjera, për të zbuluar “sëmundjen e tij” në të vërtetë të imagjinuar.
Simptomat somatike nuk janë të pranishme ose nëse janë të pranishme, janë me intensitet të butë, por preokupimi është qartësisht i tepruar. Dallimi i rëndësishëm midis çrregullimit të ankthit nga sëmundja dhe çrregullimit të simptomës somatike, është që tek ankthi nga sëmundja, shqetësimi i individit nuk buron nga vetë ankesa fizike, por përkundrazi nga ankthi i personit për kuptimin, domethënien ose shkakun e ankesës.
Çrregullimi i konversionit ose Çrregullimi Funksional Neurologjik i Simptomave karakterizohet nga shenja që i ngjajnë problemeve neurologjike dhe përqendrohen më tepër rreth dhimbjeve që burojnë nga sistemi neurologjik. Është një çrregullim i cili përfshin simptoma të pashpjegueshme ose deficite, të cilat ndikojnë në funksionet e vullnetshme motore dhe sensore.
Për shembull: personit me konversion, i ndodh një krizë që i ngjan një krize epilepsie, por në të vërtetë kur bëhet ezheja, dallohet një aktivitet elektrik normal i trurit. Në disa raste, simptoma të caktuara mund të jenë madje në kundërshtim të plotë me njohuritë e përgjithshme neurologjike. Karakteristikë dalluese është edhe ndërthurja ndërmjet pranisë së një stresori tepër të fortë psikologjik dhe simptomave të konvertuara neurologjikisht. Ndodh që personi arrin dhe ta kuptojë se nuk ka një bazë të mirëfilltë neurologjike për simptomat e tij, por e ka të vështirë për të kontrolluar gjendjen dhe vuajtjen që paraqitet njëkohësisht tek ai si reale dhe e pranishme.
Simptoma ose deficiti shkakton shqetësime ose dëmtime klinike të rëndësishme në fushat sociale, profesionale, ose fusha të tjera të rëndësishme të jetës së personit.
Si shpjegohet ekzistenca e dhimbjes?
Jozef Brojer dhe më pas Zigmund Frojd, mbështetën idenë se konfliktet e pavetëdijshme emocionale shndërrohen në simptoma trupore. Po të analizojmë sipas kësaj qasjeje, lufta e dhimbjes emocionale bëhet midis vetëdijes shtypëse dhe pavetëdijes së ndrydhur. Individit i sinjalizohet vetëdija që ka një konflikt emocional për të zgjidhur, më pas si pasojë e dhimbjes që shkakton njohja me konfliktin, individi duke përdorur mekanizma mbrojtës, tenton të ‘mos e pranojë vetëdijësimin’ dhe pavetëdijshëm e përkthen në dhimbje fizike.
Pra konfliktohet e ndërgjegjshmja me të pandërgjegjshmen. E ndërgjegjshmja është që unë në një formë e di që kam një dhimbje që sa herë e mendoj më bën të vuaj. Në këtë moment që unë të mos ndjehem keq nga dhimbja ime emocionale, ndërhyn e pandërgjegjshmja, ku me bekimin e vetëdijes, e rrëmben dhimbjen në labirintet e veta për ta reflektuar më pas në dhimbje fizike. Këto rrethana na bëjnë të kuptojmë se kjo dhimbje nuk është zhdukur, ajo vetëm sa është strukur në thellësitë tona, për t’u rikthyer sërish e transformuar në një formë të re që tashmë as vetë individi nuk mund ta njohë më.
Në një situatë të tillë, personi fillon të sorollatet doktor në doktor, për të gjetur shkakun e problemit të tij. Në rastin më të mirë, doktori mund të tregohet i vëmendshëm dhe të kuptojë se kemi të bëjmë me një shkaktar psikologjik, por ka dhe plot raste që mjeku ngutet për të mbushur më kot recetën me ilaçe, duke menduar se shkaktari është organik.
Duhet theksuar fort se nëse janë bërë të gjitha ekzaminimet që përcaktojnë qartazi se nuk ka një patologji organike, kërkohet menjëherë ndihma e një psikologu!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.