Përgatiti Esmeralda Birçaj, eksperte e shëndetit mendor
“Kur fëmija të flet, hiqe celularin e mallkuar!” dëgjoj zërin tim të brendshëm… Kudo fëmijë dhe adoleshentë me celularë në dorë si një zgjatim i trupit të tyre pa ndërveprim dhe kontakt fizik shoqëror. Nga ana tjetër, as ne prindërit nuk shkojmë pas…
Fëmijë që tërheqin prindërit nga rrobat e tyre, varen në krahët e tyre dhe bëjnë gjithçka që munden për të tërhequr vëmendjen e prindërve. Kemi dëgjuar për fëmijë që u luten prindërve të tyre të mbyllin telefonin. Fëmijët fillojnë të grinden e ankohen në momentin që prindi merr telefonin dhe largohet nga tavolina e darkës.
Unë nuk jam duke demonizuar teknologjinë, por pyes veten, a po rrisim një brez tmerrësisht të vetmuar?
I vetmi mbase “valathyesi” që kemi është përmes rutinave të përditshme dhe ndoshta të mërzitshme të kemi kontakt me fëmijët tanë pa ekrane. Për t’i parë në sy pa celularë mes nesh. Fëmijët tanë ecin ngadalë, hanë ngadalë, vëzhgojnë ngadalë, lexojnë ngadalë, derisa papritur zhduken sepse janë rritur shumë shpejt. Dhe ne qëndrojmë me një celular në dorë…
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.