FB

September 15, 2023 | 8:35

A tregojnë diçka për ne lidhjet që kemi pasur?

Të gjitha marrëdhëniet thonë diçka për ne dhe mund të zbulojnë detaje të rëndësishme për personalitetin tonë dhe periudhën që kemi kaluar kur ishim bashkë me një person të caktuar. Mjafton një introspeksion i vogël dhe dëshira për të zbuluar diçka më shumë për të analizuar marrëdhëniet e kaluara dhe gjithashtu për të nxjerrë mësime shumë të dobishme prej tyre, për t’u përmirësuar dhe rritur.

PËRDORINI MARRËDHËNIET SI USHQIM PËR TË MENDUAR

Çdo marrëdhënie që kemi pasur, mund të bëhet një mjet shumë i dobishëm dhe efektiv për të mësuar të njohim veten në thellësi: në fakt, përmes marrëdhënieve me njerëz të tjerë ne shprehim shumë nga personaliteti dhe karakteri ynë, shpesh edhe në mënyrë të pavetëdijshme, pa filtra dhe censurë. Natyrisht është shumë e vështirë të jesh gjykatës i paanshëm kur vëzhgojmë veten në një marrëdhënie, por distanca kohore mund të ndihmojë për të dhënë një ekzaminim pak më objektiv se si jemi në të vërtetë dhe si lidhemi me të tjerët, për mirë apo për keq. Në fakt, edhe vetë koncepti i introspeksionit bazohet në idenë e të kuptuarit dhe analizimit të mënyrës sesi u shfaqemi të tjerëve, nga jashtë – kështu që përpjekja për ta kuptuar përmes marrëdhënieve të kaluara ka më shumë kuptim sesa mund të mendoni. Natyrisht, ndërsa analizojmë veten brenda një marrëdhënieje, duhet të kujtojmë se edhe partneri do të bëjë të njëjtën gjë dhe do të ketë interpretimin e tij të sjelljeve tona: nëse kemi një marrëdhënie të ekuilibruar dhe të hapur, në të cilën mund të flasim dhe të përballemi me njëritjetrin. T’i njohësh këto përshtypje, është një pikënisje e shkëlqyer për t’u rritur.

ÇFARË MUND TË THONË PËR NE MARRËDHËNIET QË KEMI PASUR?

Çdo marrëdhënie që kemi është padyshim unike, por nuk është e pazakontë që shpesh priremi të ndjekim modele të vërteta të sjelljes në marrëdhënie, modele që përsëriten, dhe të kërkojmë dinamika që mund të jenë të ngjashme: ndodh të pyesim veten pse gjithmonë duhet të ballafaqohem me narcistë ose njerëz toksikë. Mund të mos jetë rastësi, por më tepër tregues i ndonjë problemi të pazgjidhur që do të ishte më mirë të analizohej në thellësi dhe ndoshta të merrej me ndihmën e një psikologu. Të gjitha marrëdhëniet që kemi pasur thonë diçka për ne; nga i dashuri ynë i parë në gjimnaz e deri tek ai aktual. Duke parë në perspektivë mund të mësojmë shumë nga mënyra se si jemi sjellë, nga personaliteti ynë në një moment të caktuar ose nga reagimet tona ndaj situatave të caktuara. Për shembull, nëse priremi të kemi gjithmonë marrëdhënie me njerëz shumë problematikë, mund të pyesim veten nëse nuk kemi ndonjë problem të vogël të vetëvlerësimit ose nëse nuk fshehim një shqetësim më të thellë. Përndryshe, nëse kërkojmë partnerë më “të lakueshëm”, mund të jetë që ne të kemi një karakter dhe vullnet shumë të fortë dhe se ne priremi të kërkojmë një marrëdhënie në të cilën gjithmonë mendojmë se kemi kontroll maksimal, ndoshta jo gjithmonë në një mënyrë të shëndetshme.

Gjithashtu, pamundësia për të qenë besnikë në marrëdhënie me dike ose vazhdimi i ndryshimit të partnerëve mund të jetë spiuni që ne luftojmë, për ndonjë arsye ose një traumë të pazgjidhur, për t’u lidhur dhe për t’i besuar të tjerët dhe mund të jetë një pikënisje e shkëlqyer për ta analizuar këtë sjellje më tej. Shpesh takojmë njerëz që kanë stile të ndërlikuara të lidhjes. Për shembull, ata që fillojnë një lidhje dhe më pas bëjnë përpjekje për t’u ndarë nga partneri, duke i acaruar, sepse thellë brenda vetes nuk besojnë se e meritojnë dashurinë e tyre. Edhe marrëdhëniet me familjen apo me miqtë mund të thonë shumë për ne: kjo padyshim nuk do të thotë që çdo marrëdhënie duhet të analizohet në detaje, përkundrazi.

Është shumë e rëndësishme t’i jetosh marrëdhëniet me qetësi, pa parë çdo qëndrim të vetëm në mikroskop dhe pa kërkuar kuptime të fshehura në çdo marrëdhënie. Të zbulosh se çfarë thonë marrëdhëniet për ne është një mënyrë e shkëlqyeshme për të mësuar diçka më shumë për veten dhe karakterin tonë, por pa e ekzagjeruar: nëse e kuptojmë se kemi marrëdhënie vetëm me njerëz toksikë, padyshim që është tregues i një shqetësimi më serioz, por nëse kemi marrëdhënie të shëndetshme dhe të kënaqshme, mund të mendojmë se në përgjithësi kemi një jetë emocionale mjaft të ekuilibruar. 

 

 

 

 

 

 

Përgatiti Orjona Tresa/ Botuar tek Revista Psikologjia, Nr.183, muaji Shtator

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top